Edhe ata që nuk e kanë ndjekur telenovelën “Kloni”, i kanë të fiksuar emrat dhe portretet e Jade-s dhe Lucas-it. Murilo Benício, megjithëse është një aktor shumë i njohur në Brazil, famën e ka fituar pikërisht me rolin e Lucas-it te “O clone”. Por çfarë bën sot Benicio? Vazhdon të aktrojë, vazhdon të jetë një mashkull tërheqës, është 45 vjeç dhe baba i dy fëmijëve dhe mund ta thuash me bindje që telenovela “Kloni” nuk i ka ndikuar vetëm karrierën, por edhe jetën. Ai ka një djalë me aktoren që interpretonte Jade-n dhe, prej më shumë sesa katër vitesh, është në një marrëdhënie të konsoliduar me aktoren që luante të bijën e tij, Mel-in, në telenovelë. Débora Falabella, e cila dje mbushi 38 vjeçe, vazhdon gjithashtu karrierën si aktore në Brazil, ndërsa bashkëjeton me Murilo Benicio-n, shkruan “Class”. Në fillim ata e kanë mbajtur të fshehtë marrëdhënien që duket se ka lindur gjatë kohës që interpretonin në një tjetër telenovelë, “Avenida Brasil”, por më pas gjithçka u bë publike dhe ata janë një nga çiftet më të ndjekur amerikanojugorë, për shkak të roleve që kanë luajtur bashkë, por edhe prej stilit dhe pamjes që i bën personazhe tërheqës edhe në jetën e përditshme. Megjithatë çdonjëri prej tyre ka pasur një jetë sentimentale para se të dashuroheshin.
Po tregojmë fillimisht për Debora-n duke qenë që e ka pak më të thjeshtë, krahasuar me Murilo-n, jeta romantike e të cilit ka qenë një telenovelë më vete. Ajo është martuar në vitin 2005 me Eduardo Hipolitho (të njohur si Chuck), vokalisti i grupit Forgotten Boys. Ata kanë një vajzë të dy, me emrin Nina dhe në vitin 2010 janë ndarë.
Lukasi, djaloshi i lindur në Niteroi, fëmijërinë dhe adoleshencën e ka kaluar duke bërë surf me miqtë në valët e brigjeve të Rio-s dhe Niterói-t, por e la këtë aktivitet kur nisi aktrimin. Është frymëzuar nga Charlie Chaplin për t’u bërë aktor, ndërsa shkrimtari që pëlqen më shumë është Miguel de Cervantes, shkruan sot “Class”. Ka pasur flirtet e tij me marijuanën, duhanin, alkoolin, megjithatë pas shumë vitesh i është kthyer stërvitjes fizike dhe një jete më të shëndetshme.
Për sa u takon historive të dashurisë, ato me aktoret e njohura kanë nisur në vitin 1998 kur nisi të dilte me Alessandra Negrini-in. Ata filluan të bashkëjetojnë dhe patën një djalë, Antônio, që lindi po atë vit. Martesa përfundoi në vitin 1999 për shkak të moskuptimeve të përhershme. Ata u ndanë para se djali të mbushte 1 vjeç.
Menjëherë më pas filloi të dalë me aktoren Carolina Ferraz, e cila gjithashtu ishte ndarë nga partneri. Ata ishin njohur që në vitin 1997, por në atë kohë ajo ishte e martuar. Murilo dhe Carolina nisën të bashkëjetonin deri në vitin 2001, kur çifti u nda. Thuhet që e la Carolina për shkak të xhelozisë së tepruar të Lucas-it tonë. Po atë vit, sepse kush ka kohë për të humbur?, ai nis xhirimet e Klon-it dhe takohet me Jade-n, Giovanna Antonelli-in. Ata filluan ta shtrijnë dashurinë e telenovelës edhe në jetën jashtë xhirimeve gjatë vitit 2002 dhe vetëm pas disa muajsh nisin të bashkëjetojnë.
Në vitin 2004, u ndanë për disa muaj, por u ribashkuan dhe gjatë asaj kohe u bënë me djalë Pedro-n, që lindi në vitin 2005.
Linja e Jade-s dhe lindja e djalit të tyre është një histori më vete. Giovanna Antonelli, vajzë artistësh të njohur, në vitin 1997 u martua me publicistin Ricardo Medina, që e njihte prej vitesh, që në adoleshencë. Ndërsa në vitin 2001, Murilo Benicio ndahej me partneren, në anën tjetër edhe Giovanna ndahej me bashkëshortin e saj.
Në vitin 2004, kur tashmë ishte me Murilio-n, Giovanna pëson një aksident me makinë ndërsa po u ikte paparazz-ëve. Në një konferencë për shtyp që mbajti pasi doli nga spitali, bashkë me të dashurin e asaj kohe, Murilo Benício, ajo tha që ishte shtatzënë. Lajmi u prit shumë mirë nga fansat e tyre dhe djali lindi në maj të vitit 2005. Në kohën që telenovela shfaqej në Shqipëri, çifti ishte bashkë, por pak më vonë, ata do të ndaheshin, sërish për shkak të mosmarrëveshjeve.
Në tetor të vitit 2012, Benício, gjatë një programi televiziv tregoi hapur për historinë e re të dashurisë me aktoren Débora Falabella. Pas një periudhe të gjatë spekulimesh, çifti nisi të dalë hapur. Dhe vazhdon ta bëjë këtë edhe nëpër profilet virtuale…Është viti i pestë i historisë së tyre, ndoshta historia më e gjatë e Lucas-it dhe duken aq mirë, sa kushdo do dëshironte të zgjaste.