Pas një pauze të shkurtër, ish-lojtarja e “Big Brother 5”, Françeska Jaçe, është rikthyer me një set fotosh në dëborë, ku pozon kësaj here me pompozitet si nuse. Në temperaturat -5 gradë celcus, Françeska Jaçe ka pozuar për orë të tëra në malin e Dajtit, për të realizuar fotot dimërore me Juxhin Kurtin. Ky set vjen pas disa lajmeve në lidhje me jetën e saj private, pasi u fol për ndarje dhe më pas për ribashkim me të dashurin biznesmen. Për arsyen pse nuk ka plan të martohet, studimet në diplomaci dhe ofertat në televizion, Françeska flet për gazetën “Panorama”:
Je identifikuar si lojtarja bionde e “Big Brother”, pse vendose të bëhesh brune?
Vendosa të bëja një ndryshim në pamjen time, duke qenë se dhe në këtë stinë të ftohtë rekomandohen ngjyrat e mbyllura të flokëve. Përveç kësaj, gjithmonë më pëlqen të bëj ndryshime drastike.
Pozon si nuse moderne në setin e ri të fotove të realizuara në dëborë, sa ishin temperaturat?
Fotot janë realizuar në borë, në -5 gradë celcius, në malin e Dajtit.
Sa orë t’u deshën për të shkrepur të gjitha fotot, dhe cila ishte tema apo ideja e këtij seti dimëror?
Ideja për këtë set lindi nga koleksioni i ri i fustaneve të Merita Merja, e cila vendosi që t’ia reklamoja unë. Normalisht, bashkëpunimi im me fotografin Juxhin Kurti ka vite që funksionon, përtej miqësisë sonë shumë të mirë. Kështu, të tre bashkë menduam të realizonim këtë set të veçantë dhe pak të lodhshëm prej kushteve atmosferike.
Të kemi parë shpesh të pozosh si nuse. Çfarë kanë të veçantë këto foto?
E veçanta e këtij seti, për të cilin kemi punuar aq shumë, janë fustanet e stiluara me aq detaje nga Merita Merja, por gjithashtu dhe vendi ku janë realizuar.
Sapo ka filluar një vit i ri për të gjithë, për ty ka nisur i mbarë?
Këtë vit e kam nisur si çdo vit tjetër në jetën time, me pozitivitet dhe projekte. Po i përkushtohem shkollës, që është më e rëndësishmja për mua, si dhe pasionit për photoshoot. Ndihem shumë mirë kur njerëzit admirojnë punën time, apo kur vajzat e reja me ambicie për këtë fushë, më kërkojnë këshilla.
Me anë të këtyre fotove të reja sugjeron modelin e nuses me forma. Je përkujdesur shumë për trupin?
Mundohem shumë për ta mbajtur trupin në formë, sepse dobësia ime janë ëmbëlsirat. Por duke ushtruar palestër, nuk i privoj vetes asgjë.
Ku ke qenë këto kohë që ke qëndruar larg medias?
Në Shqipëri kam qenë shumicën e kohës, por pa lënë pas dore udhëtimet, që janë gjithashtu një pasion tjetër i imi.
Po dashuria si po shkon?
Perfekt.
Çfarë e bën të tillë?
Respekti që kemi ndaj njëri-tjetrit dhe dashuria që janë themelore në një lidhje.
Ishte e vërtetë që u ndatë dhe u ribashkuat?
Jo.
Jeni xhelozë për njëri-tjetrin?
Xhelozi me limit ka në çdo lidhje.
Deri tani të kemi parë nuse për punë, po në jetë kur mund të ndodhë? Keni plan të martoheni?
Sa për martesë s’kam plane për momentin, pasi jam e fokusuar te shkolla dhe karriera.
Karrierë në ç’aspekt?
Unë kam mbaruar studimet për diplomaci, dhe jam duke bërë masterin këtë vit. Normalisht, sapo të përfundoj masterin do të nis punë në profilin tim, por duke mos lënë pas dore ofertat e vazhdueshme në botën e showbiz-it.
Mund të përmendësh ndonjë ofertë?
Kam pasur oferta të ndryshme për të punuar në televizion, por të pashqyrtuara mirë për shkak të shkollës. Kam pasur dhe oferta të ndryshme për të qenë imazh i produkteve të ndryshme.