Një histori që nisi si një kontroll rutinë policor po kthehet në një nga skandalet më të komentuara për çiftin Loredana Zefi – Karim Adeyemi. Sulmuesi i kombëtares gjermane, një nga fytyrat më të njohura të Borussia Dortmund, është dënuar tashmë me një gjobë marramendëse prej 450,000 eurosh, pasi autoritetet gjetën sende të ndaluara në pronësinë e tij dhe të këngëtares shqiptare.
Sipas Bild, gjithçka ndodhi rreth një vit më parë, kur gjatë një kontrolli policor u zbuluan “dy objekte të klasifikuara si armë të ndaluara” në sendet e çiftit. Hetimet nisën menjëherë, duke vendosur në qendër të vëmendjes një nga futbollistët më të përfolur të Bundesligës.
Gjykata gjermane vendosi që gjoba të paguhet në 60 këste mujore prej 7,500 euro secila. Edhe pse nuk u dha masë burgimi apo dënim penal, mediat vendase e kanë quajtur rastin një “goditje serioze për imazhin e një futbollisti të kombëtares”.
Adeyemi ka zgjedhur heshtjen, por menaxheri i tij, Jorge Mendes, dha një shpjegim të pazakontë: armët nuk ishin blerë qëllimisht, por kishin mbërritur si pjesë e një “mystery box” të porositur nga TikTok. Megjithatë, ky pretendim nuk ndryshon përgjegjësinë ligjore.
Borussia Dortmund ka reaguar me deklaratë zyrtare duke theksuar se klubi “e merr shumë seriozisht çdo çështje penale” dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet. Nuk ka ende konfirmim për masa të brendshme, por në Gjermani pritet të hapet një hetim i brendshëm disiplinor.
Ngjarja pritet të ndikojë jo vetëm në imazhin e Adeyemit, por edhe në raportimin mediatik që prej kohësh ndjek me vëmendje çdo lëvizje të çiftit.








