Gjestit ka zgjedhur skenën për të dhënë përgjigjen e tij pas zhvillimeve të fundit që kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale. Pas publikimit të një videoje virale ku shfaqen Stresi dhe Jozi në një moment të afërt, dhe më pas sqarimit nga vetë Stresi se gjithçka ishte pjesë e një bashkëpunimi muzikor, duket se Gjestit nuk e ka kaluar këtë situatë pa reagim.
Në një nga performancat e tij të fundit, ai nuk i kurseu thumbat, madje e bëri me shumë humor:
“Sa puthje po më vijnë nga larg, po asnjë s’po më puth me të vërtetë,” tha ai, duke e shoqëruar me një buzëqeshje që u prit me brohoritje nga publiku.
Ky moment ironik vjen pasi Gjestit vendosi të heqë nga ndjekësit në Instagram Stresin, duke treguar publikisht mospëlqimin për afrimin e fundit mes tij dhe Jozit. Nga ana e tij, Stresi e ktheu të njëjtën masë, ndërsa “pastrimi” nuk ndaloi vetëm te ai – edhe disa miq të tjerë duket se përfunduan jashtë listës së ndjekësve të Gjestit.
Edhe pse Stresi ka shpjeguar se videoja e famshme ishte një “rreng” për të ngjallur kuriozitet rreth projektit të ri muzikor me Jozin, kjo nuk e zbuti reagimin e Gjestit, i cili dikur kishte mbështetjen e pakushtëzuar të reperit gjatë kohës në Big Brother VIP Albania, madje deri në organizimin e një proteste në emër të tij.
Kujtojmë që disa kohë më parë, vetë Stresi ka hedhur deklarata fyese për Jozin pas incidentit në BBV. Prandaj, rikthimi i tyre në një bashkëpunim dhe video e famshme me puthje, kanë ngritur pikëpyetje.
Tani mbetet për t’u parë nëse projekti i tyre muzikor do ta justifikojë gjithë këtë zhurmë – apo do të jetë thjesht një tjetër zënkë në botën e showbiz-it shqiptar.








