Media prestigjioze britanike BBC i ka kushtuar një reportazh të veçantë kuzhinës shqiptare, duke vënë në pah rolin kyç të gjysheve në ruajtjen dhe përcjelljen e traditave kulinare nga brezi në brez.
Pas dekadash izolimi dhe një emigrimi masiv, Shqipëria po përqafon sërish rrënjët e saj gastronomike falë gjysheve, të cilat e kanë mbajtur gjallë artin e gatimit tradicional. Një prej tyre është Tefta Pajenga, 76 vjeçe, e cila përmes emisioneve televizive mëson të rinjtë se si të përgatisin pjata autentike shqiptare, si japrakët – një recetë e vjetër me gjethe rrushi të mbushura me oriz dhe erëza.
Gjatë periudhës komuniste (1946-1991), Shqipëria u shkëput nga bota dhe përjetoi kufizime të ashpra, ku librat e gatimit u ndaluan, importet u ndërprenë dhe shumë receta tradicionale rrezikuan të harroheshin. Më vonë, në vitet ’90, vala e madhe e emigrimit bëri që brezat e rinj të larguar nga atdheu të humbnin lidhjen me traditat e kuzhinës shqiptare.
Pavarësisht këtyre sfidave, gjyshet si Pajenga dhe Gjyste Bici nuk e lanë kulturën e tyre kulinare të zhdukej. Duke ndarë njohuritë e tyre në emisione televizive dhe libra gatimi, ato ndihmuan në ringjalljen e kuzhinës shqiptare dhe përcjelljen e saj tek brezat e rinj. Për më tepër, kuzhinierë si Bledar Kola po e çojnë këtë trashëgimi në një tjetër nivel, duke rikthyer recetat tradicionale në restorante moderne dhe projekte gastronomike që promovojnë kuzhinën shqiptare në skenën ndërkombëtare.
Falë përkushtimit të këtyre grave dhe mbështetjes nga kuzhinierët e rinj, Shqipëria po përjeton një rilindje kulinare, ku e kaluara dhe e ardhmja ndërthuren në një udhëtim të pasur shijesh dhe historish.
Lexoni artikullin e plotë këtu.