Nesër do të shkruhet historia në Francë, sepse dy vëllezër do të luajnë për herë të parë si kundërshtarë në një kampionat europian.
Dhe ka qëlluar që këtë histori do ta shkruajnë dy shqiptarë – Taulant dhe Granit Xhaka.
I vetëdijshëm për këtë rëndësi të momentit, Graniti, që luan me Zvicrën i ka dedikuar një letër vëllait të madh, të cilën e ka postuar në Facebook, njofton Klan Kosova.
“Vëlla, unë dhe ti gjithmonë kemi qenë të bashkuar, pa marrë parasysh situatën. Nesër do të jetë hera e parë që ne ballafaqohemi në fushë si kundërshtarë dhe shpresoj e besoj se do të jetë hera e parë dhe e fundit. Ne do t’i tregojmë botës se përkundër që 90 minuta do të jemi kundërshtarë, prapëseprapë do vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar ashtu siç vetëm vëllezërit mund të bëjnë.
Një ndeshje asnjëherë nuk mund të na hy në mes, as si vëllezër e as si shokë. Të dëshirojë shëndet dhe shumë fat në ndeshjen e nesërme.
Ti je dhe gjithmonë do jesh shembull për mua”, ka shkruar Graniti në Facebook, njofton Klan Kosova.
Klan Kosova