Dje znj.Trëndelina Aliko u kthye në qendër të vëmendjes së medieve dhe rrjeteve sociale, pas publikimit të një videoje ku ajo shfaqej e dëshpëruar pasi i ishte sekuestruar karroca e kokoshkave nga policët bashkiak.
Ajo ka dhënë sot një intervistë për lëvizjen e shoqërisë civile, “Nisma Thurje”, pas daljes nga spitali.
Rrëfimi i plotë
Unë jam Trëndelina Aliko. Kam lindur në Elbasan dhe jam 52 vjeç. Vij nga një familje me tetë fëmijë dhe prindërit tanë kanë punuar gjithë jetën në Metalurgjik. Kam tre fëmijë, dy goca, një çun. I kemi rritur me thërrime kur i thonë llafit.
Jeta ime ka qenë një karvan i rëndë hallesh e vuajtjesh. Në 1991 morëm një shtëpi sociale, aty në Elbasan, brenda Metalurgjikut E morëm me leje nga organet që ishin atëherë.Ishte e pabanueshme, por ishte e jona. Ndoshta ndër të paktat raste gëzimi që më ka dhënë kjo jetë. U vumë bashke me burrin dhe e rregulluam. Futëm dhe letrat për legalizim, por nuk arritëm dot ta gëzonim. Erdhën këta që privatizuan Metalurgjikun dhe na nxorën nga shtëpia. Nuk dinim si të mbroheshim, thjesht nuk dinim si të mbroheshim. Ata ishin shumë të fortë për ne. Ne ishim një plesht përpara atyre. U dorëzuam.
Erdhëm në Tiranë me shpresën e një jete më të mirë. Jetojmë me qira. Çuni ndenji pak dhe kur s’bëri dot gjë as këtu, iku në emigracion. Tani jetojmë me njërën nga gocat, se tjetra është martuar. Gjithë burimi ynë i jetesës është ajo karrocë kokoshkash. Është drita e syve tanë, buka e përditshme. Mundohem që të kënaq njerëzit dhe e ndjej që ata kënaqen nga kokoshkat e mia. Të gjithë m’i lavdërojnë. Vajzat e shkollës aty afër vijnë të gjitha blejnë tek unë dhe kjo më gëzon. Si çdokush që do të gëzohej kur njerëzit ja bëjnë hallall atë lek që i japin.
Fitoj 700-800 lek në ditë. Por jo çdo ditë. Kur bie shi për shembull. Dal dhe rri te vendi i zakonshëm, më tepër që të jem në paqe me veten. Por unë e di, askush nuk blen kokoshka kur bie shi. I shoh njerëzit që nxitojnë prej shiut dhe as kokën nuk kthejnë. I kuptoj.
Dhe kështu ikën ajo ditë. Ndodh që shiu zgjat me ditë të tëra. Dhe gjëja që mendojmë bashkë me burrin është çfarë do të hamë? Me se do të paguajmë qiranë?
Tani që jam edhe e sëmurë, hallet shtohen edhe më. Këto ditë që është hapur pak koha, kam punuar pak më gjatë që të mblidhja lekët për ilaçe. Me duheshin edhe 600 lekë që t’i plotësoja dhe thashë se me të djeshmet do të më plotësoheshin. Por ndodhi ajo që ndodhi.
Nuk dua të punoj pa rregulla me shtetin. Ja shikoni që kam çuar kërkesën për pajisje me licencë që në Dhjetor vjet, por s’më kanë kthyer përgjigje. Por mua më duhet të dal, se dua të ushqehem e të paguaj qiranë…çdo ditë. Prandaj nuk pres dot derisa të më kthejnë përgjigje.
Edhe dje, kur erdhën ata zotërinjtë e policisë bashkiake, u munduam t’i sqaronim, por ata na thanë që ashtu ishte rregulli. Prandaj dhe vajza ju njoftoi juve të Nismës Thurje, sepse vetë nuk dinim si ta zgjidhnim. Gjithsesi ajo histori, iku. Juve si ‘Thurje’, ju falënderoj shumë për ndihmën që na u gjendët për gjobën dhe për ilaçet, ua kemi borxh.
Sot kur dola nga spitali, vajza më tha që në internet aty janë ofruar shumë veta për të na ndihmuar. Qava kur m’i lexonte ato fjalët që kishin thënë. Qava sepse e kuptoj që thellë-thellë njerëzit janë të mirë të gjithë. Është koha që jetojmë ajo që i detyron disa të nxjerrin anën e keqe. Unë i bekoj nga zemra dhe iu uroj që Zoti t’i shohë të gjithë në shtëpitë e tyre e në familjet e tyre, mbarë e mirë. Një mijë herë zoti i bekoftë. Por faleminderit! Ajo që do nëna, është vetëm të më jepet ajo licenca dhe të punoj e qetë. Vetëm këtë. Nëse ka mundësi do t’u kërkoja të gjithëve t’i dërgonin një mesazh Kryetarit të Bashkisë që të më nxjerre Licencën që të punoj pa frikë. Dua të jetoj jetën që më ra në pjesë, ashtu me halle dhe vuajtje siç ma caktoi Zoti, por dua ta jetoj me dinjitet.