Heidi Baci ishte sot e ftuar në emisionin “Në shtëpinë tonë” në Top Channel. Teksa po hapte petët e byrekut, Alban Musa dhe Julka Gramo i drejtuan disa pyetje të ndryshme.
E pyetur se ku e sheh veten pas 10 vitesh, ish-banorja e edicionit të tretë të “Big Brother VIP” u shpreh se do të donte ta provonte veten në politikë.
Pjesë nga intervista:
Ku e sheh veten Heidi pas 10 vitesh? Duke marrë shkas edhe nga një trend i vitit 2016, ku të gjithë kujtonim se ku ishim para 10 vitesh…
“Gjërat në jetë ndryshojnë në sekondë. Por nëse do të flasim për plane, mendoj se do të doja të provoja në jetën time politikën.”
Vërtet?
“Besoj se po, pse jo. Kur je më e rritur, ke më shumë bagazh, ke mësuar më shumë, ke parë, supozohet, edhe shtete të tjera. Rritesh mjaftueshëm sa të mendosh për një kontribut real për të tjerët. Ke njëfarë pushteti, në kuptimin pozitiv.”
Nëse do të vinte një propozim i tillë, do ta pranoje?
“Nuk është çështje propozimi. Këtu në Shqipëri është edhe çështje propozimi, për këtë të jeni të sigurt, nëse e sheh si karrierë. Është më shumë çështje rritjeje personale dhe angazhimi. Pastaj duhet ta gjesh veten në atë që do të bësh.”








