“Unë kam vrarë”, libri i gazetares Eni Vasili është i përbërë nga një cikël intervistash të kryera në qelitë e burgut me gra të dënuara, që kanë vrarë fëmijë, apo bashkëshortë për arsye nga më të ndryshmet.
Pjesë e librit është edhe intervista me nënë Hatixhenë, e cila mbyti djalin e saj, pasi dhunohej sistematikisht nga ai.
Intervista e plotë
-Hatixhe Ahmeti u dënua nga gjykata e krimeve të rënda për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal dhe u dënua me 14 (katërmbëdhjetë) vjet burgim, duke i filluar vuajtja e dënimit nga dita e arrestimit të saj datë 16.03.2015, dënim të cilin e pandehura duhet ta kryejë në një burg të sigurisë së zakonshme.
Hatixhe Ahmeti sipas Gjykatës ka vrarë duke e mbytur fillimisht me duar e më pas me një pjesë rrobe në formë litari djalin e saj shtetasin Pëllumb Ahmeti një ditë pasi ishte kthyer nga Italia ku kishte qenë për të vizituar vajzat e saj.
Hatixhe Ahmeti është 71 vjeç, nënë e 4 fëmijëve, dy vajza e dy djem. Asnjë nga djemtë e saj nuk jeton më, njëri prej tyre vdiq për shkaqe natyrale tjetrin e vrau vetë.
E takova në paraburgimin e 325 pasi ajo ishte ende në pritje të gjyqit të saj. E dija që historia që po përgatitesha të dëgjoja ishte përtej dramatikes, përtej njerëzores, për tej racionales apo logjikes. U ulëm të dyja në bibliotekë, në sektorin e paraburgimit. Punonjëset e shërbimit na lanë vetëm menjëherë sikur edhe ato nuk donin të ishin dëshmitare të atij rrëfimi tragjik.
Eni: Nënë Hatixhé, më thuaj, ku ke lindur?
Hatixheja: Unë kam lindur në Kamçisht të Lushnjës më 1944. Aty kam qenë, derisa u martova.
Eni: Me çfarë jetonit atëherë?
Hatixheja: Punoja në kooperativë, aty më kanë rënë kockat.
Eni: A ke bërë shkollë?
Hatixheja: Katër klasë ishte në atë kohë.
Eni: Si ishte shtëpia që kishe tek prindërit?
Hatixheja: Epo, fukarenj a derëbardhë! Ku ishte fshati fukara, do punoje pa të haje…
Eni: Sa vëllezër dhe motra ishit?
Hatixheja: Ishim katër vëllezër dhe katër motra…
Eni: Sa vjeç ishe kur u martove?
Hatixheja: 22 vjeçe isha…
Eni: Nuk u martove me dashuri?
Hatixheja: Jo, jo, me lajmësi, me dasmë të madhe!
Eni: Po kush ta gjeti burrin?
Hatixheja: Im vëlla edhe një lajmës atje…
Eni: Sa vjeç ishte ai? Sa ty apo më i madh?
Hatixheja: Ai ishte nja 5 vjet më i madh nga mua, nuk ishte shumë…
Eni: Kur u martove, ku vajte?
Hatixheja: Në Lushnje brenda, në qytet…
Eni: Në çfarë viti ke vajtur në Lushnje, e mban mend?
Hatixheja: Tani…me bijë…gjynah të them, por nuk e mbaj mend, memoria ime ka ikur fare tani…e di kujt i thonë ka ikur fare?
Eni: Nuk ka problem. Do t’i kujtojmë me ngadalë gjërat. Pra, ti martohesh dhe shkon menjëherë në Lushnje?
Hatixheja: Po.
Eni: Po në Lushnje me çfarë u more?
Hatixheja: Në kooperativë. Pa mbushur dy javë nuse, dola në kooperativë… Do punoje se do të haje…Do të mbaja jetën…
Eni: Edhe burri në kooperativë?
Hatixheja: Po, edhe burri.
Eni: Si shkonit në punë? Se jetonit në qytet, apo jo?
Hatixheja: Në këmbë shkoja, deri në Saravë.
Eni: Sa larg ishte?
Hatixheja: Po ku e dija unë? Se nuk i vura metrin!
Eni: Po sa kohë doje të arrije? Sa ecje? Pra, kur shkoje në këmbë nga Lushnja në kooperativë, sa ishte rruga që bëje? Një orë? Gjysmë ore?
Hatixheja: Jo, ishte shumë, se ishim larg…Ne kaptonim tre ura andej…Bënim 2 orë në ditë të shkonim dhe 2 orë të vinim, moj! Kam qenë gur, po të them, gur…
Eni: Bashkë me burrin e bëje këtë rrugë përditë?
Hatixheja: Burri punonte punë tjetër, se ishte në baxhot, çonte qumështin në baxho…
Eni: E njëjta kooperativë?
Hatixheja: Po, e njëjta kooperativë, pastaj e hoqën dhe e vunë në traktor…
Eni: Kur ngele shtatzënë me fëmijën e parë?
Hatixheja: Po ja…ta them unë tani: 23 vjeçe isha…
Eni: 23! Pra, ke ngelur menjëherë…
Hatixheja: Tani… përse më pyet për këto kështu…? Më fal se po të them…
Eni: Për të treguar historinë tënde. Në qoftë se nuk do ta thuash, nuk ka problem, nënë Hatixhé, si të duash ti.
Hatixheja: Jo, jo, s’ka problem…
Eni: Sa fëmijë pate gjithsej?
Hatixheja: 4 fëmijë: 2 çuna, 2 goca…Çuni i madh pinte…
Eni: Ku i ke fëmijët tani?
Hatixheja: Vajzat janë në Itali. Një djalë më vdiq në Firence…Ishte i martuar, por gjithmonë grindesh, grindesh, nuk e donin andej, nusja s’e donte dhe ai…
Eni: Çfarë bëri?
Hatixheja: E humbi jetën vetë, i ra si…
Eni: Vrau veten?
Hatixheja: Jo, nuk e vrau veten, por, si i themi ne, vdiq nga marazi…Të keqen nëna, se kam vuajtur…kam vuajtur me këtë harrakatin këtu… Ja, ashtu dhe u bëra 71 vjeç…
Eni: Deri në këtë kohë ke jetuar në Lushnje? Deri ditën e fundit, në të njëjtën shtëpi?
Hatixheja: Po, po, në pallat…
Eni: Pastaj iku komunizmi, erdhi demokracia. Sa të rritur ishin fëmijët e tu? Pate pasur probleme në atë kohë?
Hatixheja: Po, u rritën…Dilnin në punë. Punonin të shkretët, se donin të ushqeheshin. Burri më vdiq 37 vjeç. Ai kishte një sëmundje…Ai iku dhe unë hallet i kam hequr vetëm, se të ishte gjallë ai sot, unë s’vija këtu. U thashë këtyre të burgut, se më çuan mua këta në lloj-lloj mjekësh, dale ta vizitojmë, se është shkalluar nga trutë e kokës, u thashë nuk jam e shkalluar, por kisha një të shkalluar.
Eni: Kështu quan djalin tënd, djalin që vrave?
Hatixheja: Kam 14 vjet që vuaj me djalin tim, 14 vjet me të vuajtur! Drogë…drogë… drogë…
Eni: Kur ishte i vogël, çfarë fëmije ishte?
Hatixheja: Kishte babanë, moj të keqen… Dhe të dy, sidoqoftë…Po, që të vuajë nëna 14 vjet, nuk është gjë e paktë. Ai bënte gjilpëra dhe e kishte mishin…Se më thanë mua kur më morën në Lushnje që i kishte futur gjilpërat…e di vetë ti ku i kishte futur, edhe ishte bërë mishi sterrë i zi…Kur bënte gjilpërat i thoshja: ore, pse e ke bërë këtë mishin kështu? Le të bëhet, le të bëhet, thoshte. Ore, mos i bëj gjilpërat, do të marrësh veten në qafë, edhe mua po më merr në qafë…Le të vdes, më thoshte, le të vdes! Po pse more djalë, çfarë ke që të vdesësh? Le të vdes! Ama, gjilpëra në minutë, në sekondë, gjilpëra…Po po dale, more!
Eni: I bënte shpesh?
Hatixheja: Shpesh i bënte, shumë shpesh….Ndizte nga ato e i bënte…
Eni: A shkoi në shkollë djali yt?
Hatixheja: Çfarë shkolle! Ai mezi e bëri atë pak shkollë… as 8 vjeçaren… as katër klasë si puna ime… Mezi e mbaroi me të shtyra dhe ato të katërta…
Eni: Po më pas, filloi ndonjë punë?
Hatixheja: Po çfarë punë të bënte ai! Herë nuk punonte, herë punonte, herë një 2000 lekësh që nxirrte për vete…Të drejtën po të tregoj…
Eni: Si e kuptove që merrej me drogë?
Hatixheja: E merrte fshehtas, që të mos e shikoja unë… Mendoja se mos ishin për qetësi… hoqa të zinjtë e ullirit, hoqa…
Eni: Po pse?
Hatixheja: Çfarë do më të keqe për të hequr ti, kur të merret fëmija me drogë! Çfarë flet! E di ti se nëna është perëndi, të ka lindur, të ka bërë kokën, oooh…fëmija është mëlçi…
Eni: Të keqtrajtonte, të rrihte?
Hatixheja: Më keqtrajtonte sa s’kishte më, më rrihte.
Eni: Po ku e gjente drogën?
Hatixheja: E blinte vetë nëpër farmacira. Pse, pak farmacira ka?
Eni: Po ku i gjente lekët, i jepje ti?
Hatixheja: I jepja nga një 5 mijë lekëshe, se thosha djalë i ri, të hajë ndonjë gjë… O më jep lekë ose zhduku nga shtëpia më thoshte… Moj bijë, unë nuk kam moshë për t’i thënë ato llafe që më thosh ai, më vjen zor t’i them..
Eni: M’i thuaj, nënë, se për këtë punë jemi këtu. Më duhet të kuptoj. Bëj një përpjekje…
Hatixheja: Më thoshte moj putanë, moj kurvë, po të kap e po të shqyej. Do të bëj këtë e atë… Dale more bir, i thosha… Nuk kam guxim t’i them të gjitha… Më bëhet mishi kokërr… Shiko, nuk e duroj dot, se nuk kam moshë për të thënë këto muhabete…
Eni: Jetoje vetëm me këtë djalë?
Hatixheja: Vetëm, vetëm…
Eni: Vajzat u martuan? Ikën?
Hatixheja: Vajzat shkuan te burrat e tyre….
Eni: U martuan përpara se ai të fillonte drogën?
Hatixheja: Ishin në shtëpi vajzat, moj, pastaj u martuan!
Eni: Po vajzat i keqtrajtonte? Grindej me motrat?
Hatixheja: Po, e madhja më tha se do ta merrte në Itali. E mbajti 10 ditë dhe pastaj nuk e mbajti dot më. Ky merrte gjilpërat, shkonte në majë të tarracës, se ishte shtëpi dykatëshe dhe bënte atje fshehtas drogën. E përzuri ajo: “ik”, i tha, “dhe mos të të shoh më këtu”.
Eni: Po vajza, ç’të thotë?
Hatixheja: Ime bijë ka llafosur me avokatë, e me të tjerë… nuk e di se me kë ka llafosur… Pse e mbani mamanë time në burg, u ka thënë. Për atë bir që e ka ndjekur, e ka dërrmuar, e ka sakatuar. Më fal për shprehjen, por kur thotë “hajde të kap njëherë”, thohet kjo, më thuaj, thohet kjo?
Eni: Po me dorë të ka prekur ndonjëherë?
Hatixheja: Po, më ka kapur, dale të puth një çikë, të kap një çikë kështu… oii, nuk t’i tregoj dot, o evlat, më vjen shumë zor, të thashë, ja këto gjëra, këto gjëra më ka bërë…
Eni: Vetëm ta ka thënë apo edhe të ka ngacmuar ndonjëherë?
Hatixheja: Moj, e do ti të vërtetën? Donte të më përdhunonte dhe mori thikën dhe ma ngulte mu këtu, e fundit herë që po ta them, se nuk kam guxim ta them më, se më vjen zor nga vetja…
Eni: Më trego për atë ditë, çfarë ndodhi?
Hatixheja: Erdhi në darkë dhe më gënjevi…
Eni: Për çfarë të gënjeu?
Hatixheja: Do punoj këtej, do punoj andej, dua lekë! Epo, na ore! S’kisha më lekë në shtëpi unë!
Eni: I dhe lekë? Pensionin tënd e kishe?
Hatixheja: Po ku kisha! S’kisha të haja bukë… Ti nuk më beson. T’i tregova të gjitha dhe po t’i them me gjithë shpirt e me gjithë zemër, siç ja kam treguar edhe asaj që më mori në pyetje.
Eni: Po pastaj? Pasi erdhi në darkë?
Hatixheja: Erdhi në darkë… Ja, do vete të punoj andej, tha. Po do lekë, prapë, ai – më tha.
Kush është ky që dashka lekë? Pa ulu aty te tavolina, i thashë. Moj, më tha, ai do lekët, se të mora dhe të bëra namin, të bëra, tha… Kujt do t’i bësh namin ti, i thashë unë, do që të të përzë nga shtëpia, apo si e ke hallin, i thashë. Më përzër, tha, po unë të lëroj nënën, të bëj kështu e ashtu!… Ore bir, i thashë, unë e di pse bën kështu, po rri i qetë, se po ha koren time. Të kam fëmijë, i thashë, prandaj po të mbaj, se unë e di si të kam rritur… Tani jam bërë burrë, tha, nuk kam më nevojë për ty!… Dakort, i thashë, shiko hallin tënd… O Zot, deri në orën 11 kam vuajtur kështu, që shpirti ma di… Nuk duroj dot më, të lutem, i thashë unë…
Eni: Dhe ai vazhdonte?
Hatixheja: Ti që po ma bën këtë, tha, do të të kap me thikë, do të bëj kështu, tha….
Eni: Dhe kur kishte ardhur në shtëpi?
Hatixheja: Erdhi njëherë nga ora 5-6 dhe e mori atë 5000 lekëshin e iku. Brodhi sa andej-këndej, kush i dinte punët e tij… Ai le të bridhte nga të donte, po mua të mos më ngacmonte më…
Eni: E bëri dhe drogën dhe vazhdonte të të shante akoma?
Hatixheja: Çfarë flet moj bijë! Nuk i mbante gjë droga atij!
Eni: Pra, nuk qetësohej?
Hatixheja: Ça të qetësohej, ajo ishte e qelbur! Ca gjilpëra aty, që nuk i shikoje dot me sy, ça të them më unë tyja! E shikon këtë? Një legen me lot ka brenda, ju nuk më dëgjoni dhe nuk më kuptoni!
Eni: Jo, jo, nënë Hatixhé, të dëgjoj dhe po mundohem të të kuptoj…
Hatixheja: Ça të të thotë nëna tani! Po është për të thënë kjo? Nuk është për të thënë, po mos të më mbajnë në pleqëri këtu në burg, se është gjynah i madh. Jam me të drejtën time… Nuk është për të thënë, se nuk e them dot më… I thashë dhe vajzës: dije aman! E di, tha. Epo, nuk ta them dot më.
Eni: Dhe çfarë filloi të bënte në orën 11 të natës?
Hatixheja: Më kapte dhe më puthte… s’më kishte puthur ndonjëherë… nuk kam çfarë të them më o ti bijë, nuk kam çfarë të them më…
Eni: Çfarë bëre ti pastaj?
Hatixheja: Asgjë… ai mori thikën. I thashë, mua me thikë? Unë të kam bërë kokën, i thashë…
Ai bërtiste… do të kap tyja, thoshte…
Eni: Si ndodhi që ia more thikën nga dora?
Hatixheja: Thikën ia mora nga dora, ja kështu… (përpiqet të rindërtojë lëvizjet) dhe unë kështu… dhe i thashë, thermë po deshe…
Eni: Çfarë ndodhi?
Hatixheja: Unë kisha një copë rrip të gjatë. Se ai në polici më pyeste nga e le ti atë rripin… Unë i thashë: po ti ku e ke lënë denoncimin tim, kam bërë dy herë denoncime unë. Ai është fëmija im, i thashë. Donte të më kapte mua, i thashë. Kujtoni se jam grua plakë dhe kam frikë nga juve dhe nuk di të flas? Kam të drejtën time. Si thua ti, e kishte mirë ai këtë gjë, më thuaj, ishte mirë moj, të përdhunonte nënën…? Pa më nxirr denoncimin, i kam thënë atij, ku e ke? Ose vemi të dy atje ku kam bërë unë denoncimin. Ah, mor evlat, e ka të rëndë nëna…!
Eni: Ku e kishe bërë denoncimin? Në policinë e Lushnjës?
Hatixheja: Po, 2 herë…
Eni: Për çfarë e denoncove?
Hatixheja: E denoncova një herë, se ma futi me thikë mu këtu, (tregon vendin). Më rridhte gjaku dhe më tha nipi do të vemë njëherë në komisariat, tha. E di se po të rrjedh gjak, tha. Duhet të të shohin me gjak, që ta dinë, ç’të bën ai njeri…!
Eni: E regjistruan denoncimin tënd?
Hatixheja: Ça regjistrojnë ata, me aman! Të ishte ashtu, e kishin futur brenda, me aman! Po u jepte ndonjë 5000 lekëshe rrugës ky, dhe i gënjente…
Eni: Nuk mori asnjë masë policia?
Hatixheja: Asnjë masë, as të dytën herë. Vajta me vajzën time dhe bëra denoncimin e dytë dhe më thoshin: “lëre, lëre”… Pse ta lë denoncimin? – u thoja…
Eni: As herën e dytë nuk morën asnjë masë? Për çfarë e denoncove herën e dytë?
Hatixheja: Për herë të dytë, se ma theu shtëpinë. Po nuk kisha gajle për shtëpinë se e bëja prapë, po më bëri… ah evlat!… Vajza më thoshte, të dua shumë. E di i thashë, se më do shumë, po hajde vemi atje në polici… Po atyre të policisë nuk ju bë gajle hiç, as na e vuri veshin njeri fare… Merre tët ëmë, i thanë vajzës dhe ik në Itali! Kështu i thanë, ata, të policisë. Po ku të vete unë, i thashë, pse do rri atje unë përjetë?
Eni: Kështu iu thanë ata të policisë? Ikni?
Hatixheja: Po, merre me vete, i thanë vajzës… më beso, ja vemi të pyesim, po deshe…!
Eni: Nënë Hatixhé, kur bëre denoncimin, u the se djali ushtronte dhunë ndaj teje?
Hatixheja: Po, u thashë, bën dhunë ndaj meje… bën ato gjilpërat dhe më copëton bam me shqelma, më dërrmon me grushta dhe, në fund, më tha fjalën më të keqe, u thashë. Ça doni t’u them më?
Eni: Dhe policia nuk mori asnjë masë?
Hatixheja: Asnjë masë. Të kishte marrë masë policia, nuk do kishte ndodhur, do ta kishin futur brenda, të paktën…
Eni: Dhe ty nuk të mbronte asnjeri në atë kohë?
Hatixheja: Asnjeri, fare, fare…
Eni: Nuk kishe asnjeri? Djali i madh nuk vinte t’i fliste të vëllait? Ndonjë nip a ndonjë i afërm tjetër?
Hatixheja: Nipi i shkretë i fliste: “ore po është nëna jote”; “le të jetë, s’ke punë ti, me nënën time”, i thoshte – “shiko punën tënde, hik!”
Eni: Pse nuk e nxirrje nga shtëpia?
Hatixheja: Ku ta nxirrja, moj?! Ia bëra një ditë, Ia mbylla derën nga brenda të mos vinte, ai “bamb” derës “e bamb”, nxori të gjithë njerëzit përjashta…
Eni: Pra, e kishe provuar ta nxirrje nga shtëpia?
Hatixheja: Po, e kisha provuar, nuk e donja më. Po ai më thoshte: ti më nxore nga shtëpia mua e unë t’i thyej dyert, t’i bëj copa-copa! M’i bëri vajza dyert e reja një herë, se ai i shiti të gjitha, të gjitha. Ah sa ka vuajtur kjo nënë…!
Eni: Shiti dyert?
Hatixheja: I hoqi të gjitha dyert, i shqiti nga muri, i shiti… unë nuk i llogarisja dyert, mendoja vetëm që do më therte me thikë. S’ka gjë, tha vajza, do t’i bëjmë prapë, s’ka gajle…! I bëri dhe një herë qyqja… Kështu, t’u bëftë nëna kurban ty, se kur llafos me ty kam një shqetësim që nuk rri dot në këmbë… nuk ta bëj dot këtë muhabet…
Eni: Më vjen shumë keq që po të shqetësoj…
Hatixheja: Shqetësohem gjithmonë, se gjithë natën lotët e mi bien kështu, ja… (qan me zë të lartë).
Eni: E di, e di, se je nënë… jo, nuk e di, më saktë, e marr me mend çfarë ke hequr… se nuk kam si ta di…Të të sjell një gotë ujë? Një kafe? Nënë Hatixhé, më fal…Do që ta ndërpresim?
Hatixheja: Jo, jo, më fal ti… më fal…!
Eni: E di çdo bëjmë ne? Do të marrim të dyja nga një kafe…
Hatixheja: Lëre, jo. Mos u mundo kot, t’u bëftë nëna…!
Eni: Do ta pimë të dyja nga një kafe.
Hatixheja: Po, s’ka gjë, m’i ka sjellë vajza të gjitha, që o Zot, si e kam, flori e kam!
Eni: Të sjell vajza kafe?
Hatixheja: Po, vajza time. Erdhi njëherë këtu… tani do vijë kur të marrë pushimet, se është në punë, do të ushqehet…
Eni: Është e martuar? Ka fëmijë?
Hatixheja: Jo, nuk ka fëmijë. (vazhdon të qajë)
Eni: Nënë, mos u shqetëso! Me gjithë këto që ke kaluar, më të keqen e ke hequr…
Hatixheja: Edhe këtu po heq, se të ishin të mirë ata të gjyqit, me këto që kanë dëgjuar nga mua do thoshin: moj plakë, je në një moshë që nuk janë llafe për të thënë këto, po shko… Ohhhohh! Se, sa e dua unë, nuk e duan ata fëmijën tim. Po vetëm nga droga ma bëri copë trupin, nga droga. Por, atë tjetrën nuk e duronja dot… Durohet çuni 14 vjet, 38 vjeç, si thua ti? Të vuash nga një djalë 38 vjeç… Ai duhet të ishte me grua, me fëmijë sot, jo të vuaj unë në pleqëri… prandaj nuk di të shpjegoj gjithmonë kur më pyet… Rri vetëm atje, si qen, dua të rri në qetësi. Nuk bashkohem as me një, si ai njeriu i shkalluar, në hallet e mija… Ohhohh! (psherëtin thellë). Ia thashë dhe atij drejtorit… (drejtorit të burgut), qava aty brenda dhe thashë: o Zot, kam nevojë për ty, (vazhdon të qajë) se nuk janë mirë këto gjëra të tregohen…! Po si të më kapi djali mua?? Të më falësh edhe ti, po pse kur njerëzit thonë donte ta kapte djali, prandaj u fut brenda në burg, është mirë? Si e shpjegon ti? Turp për nënën, o evlat!
Eni: Nuk është mirë, moj nënë, është fati yt i keq.
Hatixheja: Më fal edhe një herë… të bëhesh ti në moshën time, qoftë larg, të kesh një bir kështu, e duron dot? Duroje po deshe, se nuk janë 4 vjet, po 14 vjet!
Eni: Do të më tregosh tani se çfarë ndodhi atë natë?
Hatixheja: Po ja, e mori thikën ai kështu dhe ma vuri mua në fyt dhe më tha… ty unë dua të të kap një herë mirë, si të ta them unë tani, se ato fjalë nuk t’i them dot se jam pleqëri, se aty vajti puna…
Eni: Po pastaj çfarë bëre ti?
Hatixheja: Pastaj unë e mbyta, me duar e mbyta.
Eni: Ishit në këmbë po përlesheshit?
Hatixheja: Po ai ra, moj ti, se nga droga ai ra poshtë. “o do të kap tyja o s’ka!”… aman se nuk të them dot më, nuk janë për të thënë këto…
Eni: E kape me duar? Duhet të kesh qenë shumë e fortë, se ai… 38 vjeç…
Hatixheja: Moj, ma dha Zoti, se i thashë Zotit: “o Zot, hakat e mija e zënçin, o Allah!” – ai ma dha fuqinë… se do ma kishte marrë mua jetën Zoti… më pa që isha një pleqëri e vuajtur, e copëtuar… “ça t’i bëj o Zot”, thashë… “më thuaj…!”
Eni: Edhe e mbyte vetë, me duar apo me gjalmin që kishe?
Burimi: Opinion