Pas një periudhe të gjatë shkëputjeje nga muzika, këngëtari Alban Ramosaj ka befasuar ndjekësit e tij me një lajm të shumëpritur.
Nëpërmjet një postimi në Instagram, ai duket se mund të ketë njoftuar publikimin e këngës së tij të re më 31 janar, duke shënuar rikthimin në skenën muzikore.
Në postim ai shkruan: “Jeni gati? Unë po!”
Ky vendim vjen pasi Ramosaj kishte deklaruar më parë se po largohej nga muzika, duke i mbyllur dyert e karrierës së tij artistike.
Në gusht të vitit 2023, këngëtari ndau një letër prekëse me ndjekësit e tij, ku foli hapur për sfidat krijuese dhe presionet që e çuan drejt këtij vendimi.
Në atë letër, Ramosaj përshkroi konfliktin e tij të brendshëm si artist: një përpjekje për të ruajtur autenticitetin në një industri shpeshherë të ashpër dhe të pabarabartë. Ai e përshkroi këtë proces si një betejë të brendshme që kishte zbehur pasionin dhe ëndrrën e tij fillestare.
“Fusha e betejës ka lënë fëmijën tim të brendshëm të plagosur,” kishte shkruar Ramosaj, duke përdorur një ton poetik për të shpjeguar largimin e tij të përkohshëm. Gjithsesi, lajmi i rikthimit të tij ka ngjallur entuziazëm dhe pritshmëri të mëdha mes fansave, të cilët mezi presin të dëgjojnë krijimin e tij më të fundit.
Me rikthimin e tij, Alban Ramosaj duket i vendosur të rifitojë energjinë dhe frymëzimin që dikur e bënë një nga artistët më të dashur në skenën muzikore shqiptare.