Aktori Eric Dane, i njohur gjerësisht për rolin e tij në serialin Grey’s Anatomy, ka ndërruar jetë në moshën 53-vjeçare, rreth 10 muaj pasi njoftoi se vuante nga skleroza laterale amiotrofike (ALS). Vdekja e tij u konfirmua nga familja për revistën “People”.
Në deklaratën e tyre, familjarët shprehën dhimbjen e thellë dhe bënë të ditur se ai u nda nga jeta të enjten pasdite, pas një përballjeje të guximshme me sëmundjen, i rrethuar nga njerëzit më të afërt , bashkëshortja dhe dy vajzat e tij, Billie dhe Georgia. Ata theksuan se gjatë sëmundjes, aktori u angazhua fort për ndërgjegjësimin dhe mbështetjen e kërkimeve për ALS, duke u përpjekur të ndihmonte edhe të tjerët që përballen me të njëjtën gjendje.
Familja shtoi se ai kishte një dashuri të madhe për fansat dhe ishte thellësisht mirënjohës për mbështetjen që mori, ndërsa kërkoi respektimin e privatësisë në këtë periudhë të vështirë.
Dane kishte bërë publike diagnozën në prill 2025. ALS është një sëmundje neurodegjenerative që dëmton qelizat nervore në tru dhe palcën kurrizore, duke shkaktuar dobësim progresiv të muskujve dhe humbje të kontrollit motorik; sipas Mayo Clinic, nuk ekziston një kurë për të.
Në një intervistë në qershor 2025 në emisionin Good Morning America me gazetaren Diane Sawyer, ai tregoi se simptomat e para ishin një dobësi në dorën e djathtë, të cilën fillimisht e kishte neglizhuar. Më vonë, gjendja u përkeqësua ndjeshëm.
Në shtator të po atij viti, aktori u pa në një aeroport në Uashington në karrige me rrota dhe me vështirësi në të folur. Kur u pyet për fansat e shqetësuar, ai u përgjigj shkurt: “Mbani besimin”.
Muajin e kaluar, ai anuloi pjesëmarrjen në një aktivitet për ALS për shkak të përkeqësimit fizik, pasi sipas organizatorëve, nuk ishte në gjendje të merrte pjesë.








