Bota e artit shqiptar është në zi pas ndarjes nga jeta të një prej emrave më të shquar të kinematografisë, regjisorit Piro Milkani. Ai u shua në moshën 86-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe kulturore.
Lajmin e hidhur e bëri të ditur i biri i tij, Eno Milkani, i cili me një mesazh të shkurtër, por prekës, njoftoi ndarjen nga jeta të të atit: “Iku babai, shoku dhe kolegu im.”
I lindur më 9 dhjetor 1939 në Korçë, Milkani ndoqi studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë, ku u diplomua në degën e operatorit. Pas kthimit në Shqipëri, ai nisi një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në kinematografi, duke realizuar mbi 20 filma artistikë dhe dokumentarë që kanë hyrë në historinë e filmit shqiptar.
Ndër filmat më të njohur të tij janë: “Kur zbardhi një ditë” (1971), “Zonja nga qyteti” (1976), “Ballë për ballë” (1979), “Militanti” (1984) dhe “Ngjyrat e moshës” (1990). Përveç regjisurës, Milkani ka dhënë kontribut të rëndësishëm edhe si skenarist, operator dhe producent.
Në vitin 1987, ai u nderua me titullin “Artist i Popullit”, ndërsa në vitin 1997 mori “Çmimin e Veçantë” për krijimtarinë e tij në Euro-Festivalin e Saint-Étienne, në Francë. Një moment i veçantë në jetën e tij ishte rikthimi simbolik në bankat e shkollës: në vitin 2024, pas 63 vitesh, ai mori më në fund diplomën e Fakultetit të Filmit në një ceremoni të veçantë në Çeki.
Përtej kinematografisë, Milkani ka shërbyer edhe si diplomat dhe ka qenë i përfshirë në organizimin e festivaleve të filmit, duke kontribuar në promovimin e kulturës shqiptare jashtë vendit.
Vepra dhe figura e tij do të mbeten të paharruara për brezat që vijnë, si një simbol i përkushtimit dhe dashurisë për artin filmik shqiptar.








