Para disa netësh më kishte ardhur në email-in tim [email protected] letra që do të lexoni më poshtë. Personi që ma ka dërguar është një njeri që ka preferuar të jetë anonim, por ai dëshiron ta ndajë historinë e tij si një formë sensibilizimi për të tjerët. Është një i infektuar me virusin HIV. Letra është rrënqethëse dhe dilema ime ishte nëse duhet ta konsideroj të vërtetë apo jo, duke qënë se nuk kam një kontakt të drejtpërdrejtë me të. Vendosa ta botoj sepse përmbajtja e saj vlen shumë për çdo njeri që e do jetën dhe do ta ruaj atë. Pyetjet që më lindën pasi lexova letrën ia nisa me email dhe ai më ktheu përgjigje të cilat i keni të renditura dhe mund t’i lexoni poshtë letrës së plotë. Ndërhyrjet e mia të vetme në letër dhe në përgjigjet e tij janë ato për ndonjë korrigjim të gabimeve drejtëshkrimore
Letra
Në ditëlindjen time të tridhjetë nuk e mendoja se do të merrja si dhuratë të qenurit pozitiv!
Po… pikerisht!
Pas një testi vullnetar të cilin nga një vetë-siguri tmerrësisht mashtruese, prepotente dhe të verbër e kisha zvarritur kohët e fundit, mora si dhuratë një “dozë të mirë pozitiviteti”.
Njezetë e tremijë e njëqindë kopje virusesh të HIV të cilët dita ditës pushtonin çdo rruazë gjaku e që së shpejti do të ktheheshin në partnerët e mi të dashur e të urryer njëkohësisht.
Po, sepse një herë pasi ja pranon vehtes gjendjen tënde pozitiv, nuk të mbetet gjë tjetër veçse të përveshësh mëngët, të mbledhësh forcat e të bëhesh gati për një nga bashkëjetesat më të vështira e të komplikuara që mund ti dhuroje vetes.
“Ti, dhe HIV”, “Une dhe HIV” dashuri e urrejtje, luftë e paqe e përditshme, një tërhiq e mos këput, një lojë e hidhur nervore dhe psikologjike e cila të përndjek çdo sekondë të ditës.
çdo sekondë e cila të duket si e fundit, e nga paniku nuk di ku të strukesh, herë nga frika, herë nga turpi herë nga një pështirosje që ndjen ndaj vehtes.
Po, pështirosje, sepse në momentin kur asimilon idenë e “infektimit” me HIV, vetja jote merr një tjetër formë, të neveritet dhe mbi të gjitha tmerrohesh nga ideja se Ti, je një minë me sahat për këdo që të rri pranë.
Sikur dikur të sëmuret me Lebrozë, fillon një gjendje e vet-izolimit, një frikë e brendëshme nga një botë e cila deri dje, ishte e jotja.
Ky është çasti ku pikerisht një person me HIV, fillon të humbasë betejën e tij me këtë virus.
HIV është aty, askush nuk mund të pretendojë se ishte imun, askush nuk (ndoshta shume pak) mund të pretendojë se gjatë gjithë jetës së tyre seksuale kanë qënë mjaftueshmërisht të kujdesshëm sa mos te rrezikojnë kurrë, qoftë edhe në shkallën më të ulët.
HIV i përngjan Vdekjes tek ai filmi hollivudian ku sado ti shkasesh, ajo është kurdoherë aty dhe vigjilente për të të kapur në çastin tënd më të dobët, atëherë kur siguria jote ndaj kujtdo është kaq prepotente sa të harrosh sigurinë për veten dhe partnerin/en tënd/e.
HIV është një bastard i vogël që të kap gafil kur ti nuk e pret, ndaj mos i’a lejoni t’u kushtëzojë jetesën dhe lumturinë tuaj të çdo ditë.
Sot, HIV është një sëmundje kronike e cila mund të mbahet në mënyrë konstante nën kontroll dhe nëse tregohesh gjithnjë i kujdesshem/e një individ me virusin HIV mund të jetoj po aq sa edhe një person i shëndetshëm, por me një diferencë të vogël në dukje : Kushtezimi.
Po, sepse përjetësisht do të jesh i kushtëzuar, (shpesh jo ndaj të tjerëve, por për të ruajtur shëndetin tënd ndaj çdo lloj sulmi të jashtëm e që sistemi imunitar nuk do t’a përballonte).
Do jesh përherë i kushtëzuar në raportet e tua me të tjerët, do të jesh përjetësisht një kronik.
Jeta është NJË, ndaj mos u beni pre’ e një sëmundje që qëndron si një hije, e gatshme të ndërpres hovin e jetës në çastet më të bukura dhe të transformojë tëresisht shpirtin e jetesën tuaj.
Për ata që si unë sot jetojnë këtë marrëdhenie të përjetshme me virusin HIV do doja vetëm t’u thoja se nuk duhet kurrë t’a lejojnë atë të marr hovin mbi shëndetin e tyre dhe se NE të parët nuk duhet kurrsesi të lejojmë që të tjerë t’i bashkohen kalvareve të dhimbjeve tona shpirtërore.
Për një jetë më të sigurtë e të lumtur, testohuni, ruani veten dhe këdo që keni pranë.
Përzemërsisht, një njeri pozitiv!
Më poshtë janë pyetjet që më lindën pas leximit të letrës dhe përgjigjet që mora prej tij!
Ju thoni që bëtë testin kur ishit 30 vjeç. Çfarë marrëdhenie kishit pasur më herët dhe kujt ia “hidhni” fajin që ishit infektuar?
Nuk bëj kënd me faj, virusi i HIV është fatkeqësisht mjaft i heshtur, vepron në qelizë në heshtjen më të madhe duke bërë dëme te parekuperueshme. Në shumicën e rasteve, nuk e dimë e madje as që e mendojmë nivelin e ekspozimit ndaj për këtë nuk bëj me faj askënd. Ndoshta pak veten time për një neglizhim, për një mëndjelehtësi të çastit.
Folet me njeri pas kësaj?
Fatmirësisht që në momentin e parë që më informuan mbi gjendjen, e pashë të rastit ta ndaja me pak vetë. Vetem disa njerëz të ngushtë e dinë dhe që më kanë dhënë e vazhdojnë të më japin një mbështetje të admirueshme.
Pse thoni qe keni ndoht ndonjëherë nga vetja, çfare ju bën të ndjeheni pis?
Në javët e para, ndjesia e këtij “pislliku” kishte të bënte me teper me faktin se tashmë në mua kishte diçka që shkaktonte një gjendje jo-shendetësore. Fakti që virusi ishte në nivel qelizor e që ishte pjesë e pandashme e imja, dhe qe çdo sjellje e imja jo e sigurtë rrezikon të tjerët më jepte këtë ndjesi.
A i jeni nënshtruar më pas trajtimit mjekësor të sponsorizuar nga shteti?
Ditën e parë që bëra konsultimin në ISHP (Instituti i Shëndetit Publik) nga ku më njoftuan, situata dukej thuajse tragji-komike duke qenë se personi që kisha përballë, nuk arrinte dot të përfundonte frazat informuese pasi kisha mjaftueshëm njohuri, si për qëndrat ku duhet të drejtohesha, si për mjekun kryesor në QSUT. Bagazhi im i informacionit ishte mëse i mjaftueshëm, aq sa bënte habi edhe për vetë punonjësen e ISHP-së të kuptonte se si kisha rënë në “grackën” e HIV. Ndonëse, duhet të theksoj se profesionalizmi dhe humanizmi i saj ishte për t’u vlerësuar. Duke u perpjekur të mënjanonte tek unë ndjesinë e fajit që rashë në grackën e diçkaje që kisha mjaftueshem informacion. Jam në kurim prej tashmë një viti përmes strukturave të posaçme. Si dhe në monitorim prej mjekut infektivolog.
Kishit të dashur në momentin e zbulimit të sëmundjes, a keni ende të njëjtën ose të njëjtin? ( ju lutem më saktësoni gjininë tuaj)
Nuk isha në një marrëdhenie, e nuk jam edhe sot.
Nëse nuk keni ende të njëjtin partner a u tregoni të vërtetën partnereve të tjera?
Prej momentit që zbulova gjendjen sierologjike, i jam përkushtuar më së shumti jetës time, shoqërisë, familjes duke evituar tashmë çdo lloj marrëdhenie. Në të gjitha njohjet që kam pasur më parë, evitoj çdo avancë të mundshme nga vajzat, për të mos dhëne kurrsesi mundësinë e një përfshirjeje.
Cila është frika juaj më e madhe?
Nuk e di nga se druhem tani. Ndoshta më shumë druhem nga një jetë në të ardhmen e perbërë nga shqetesime të vazhdueshme shëndetësore. Me kalimin e viteve druaj të mos kem më këtë nivel shëndetësor e që HIV të kushtëzoje vazhdimësinë e jetesës së shëndetshme që kam aktualisht. Duke qënë se kam një gjendje të mirë të parametrave, dhe një përkushtim të shembullit që “virusi im” të bashkëjetoj me mua, por kurrë të mos kthehet në kërcenim serioz.
Jeni i shkolluar dhe a punoni diku?
Kam mbaruar shkollen, dhe aktualisht punoj.
Si e mendoni të ardhmen tuaj dhe sa vjet kanë kaluar nga koha që e morët vesh?
Jam diagnostikuar në 2016, të ardhmen tashmë e shoh si dikur, ne përpjekje të përhershme për të jetuar gjatë, i lumtur e me njerëz mbi të gjitha.
Si është raporti juaj me miqtë?
Kam një raport shumë të mirë, fatmirësisht gjatë jetës jam përpjekur dhe besoj se kam arritur të kem një rreth shoqeror të besueshem, të pazëvendësueshem. Jo të gjitheve ua kam thënë, disa gjëra duan kohë ose shpesh disa gjëra janë shumë intime për t’u përballuar me të gjithë, pavarësisht relatave të mira.
Dikush më ka thënë që kur e zbuloi se ishte me HIV kishte një dëshirë të madhe të infektonte çdo femër, por nuk e bëri, po ju çfarë ndjesie kishit?
E vetmja ndjesi që kisha në javët e para, ishte thjeshtë inati me veten dhe kaq. S’kam pasur s’kam e s’do të kem kurrë një ndjesi hakmarrje ndaj të tjerëve. Nuk më duket e nuk e mendoj si “ngushëllim” t’i dhuroj ferrin të tjereve vetëm sepse unë shkela ndoshta ku nuk duhej, apo sepse unë u tregova mëndjelehtë.
A je i lumtur ndonjëherë dhe e harron që je i sëmurë?
Tashmë pas një viti nga diagnostikimi, e madje shumë më herët se kaq kam arritur të gjej një lloj paqeje me veten, më botën. Ditet e mia jetohen si çdo ditë e zakonshme, nuk e mendoj që jam sëmurë, mendoj thjeshtë se kam një situate të veçantë e cila do një përkujdesje te veçantë. Mundohem të jetoj shëndetshëm, dhe kjo është bërë thuajse një ritual dhe të ndihmon qe t’i kurrsesi të mos e shohesh veten si një i sëmurë.
Mendoni që dashuria mund ta ndaloje infektimin, sepse ndjenjat të bëjnë të jesh i sinqertë që në momentet e para me partneren?
Mendoj se dashuria duhet të jetë kushti primar për një ndërgjegjësim mbi përgjegjshmërinë e marrëdhenieve.
Shpesh kjo gjë anashkalohet edhe në çift.
Në momentin që u diagnostifikova, ju perkushtova në mënyrë intensive grubullimit të sa më shumë informacioneve, të njohjes së njerëzve të tjerë sieropozitiv të shkëmbimit të eksperiencave të gjurmimit të kurave omeopatike dhe fitoterapise që të ndihmojnë për të ruajtur një shëndet sa me të mirë e një jetesë më të shëndetshme. Fatkeqësisht nuk i gjeta kurrë në ndonjë material shqip, nuk njoha kurrë një rast sieropozitiv në Shqiperi i cili te kishte dalë përtej kornizës së të qënurit HIV+ dhe se duhet të merrte kokrrat.
Nese do ta ktheje kohën mbrapsht çfare do doje ta kishe bërë ndryshe?
Ndoshta do isha treguar me i përgjgjshem në çastin kur një “shkëndijë” pëlqimi të kthehej në një çast i cili do të ndryshonte jetesën time. Por ndoshta dhe këtë realisht se di. Ndonjëherë kam përshtypjen se kjo nuk bëri gjë tjetër veçse të krijonte një version edhe më të mirë të vetes time.
Jane inicialet O.A të tuat apo është një kamuflazh?
O.A eshte thjesht nje kamuflazh.
Fatkeqësisht shoqëria në përgjithësi nuk ka mjaftueshem informacion mbi gjëndjen e një sioropozitivi. Kur mendojnë HIV mendojnë vdekjen, por kurrsesi nuk është e tillë, ti je thjeshte një person me një infeksion kronik.
I cili nuk ka shërim (për momentin), por ka një kurë stabilizuese e cila me pak përkushtim të ndihmon të mos jesh i rrezikshem për vete e për të tjerë.
HIV krahasuar me shumë infeksione e semundje të tjera seksualisht të transmetueshme nuk është asgjë.
Ju keni të gjithë mundësinë t’më shkruani me emrin tuaj të vërtetë duke më kerkuar që të ruaj anonimatin tuaj dhe unë do ta beja, çfarë ju pengon?
Ndoshta një ditë, ndoshta shumë shpejt, ndoshta.. nuk e di…
Edhe se jam mëse i sigurtë në mirëkuptimin tuaj dhe mbi te gjitha në mendje-hapësinë tuaj…
Dhe të them të drejtën, përbrenda kam dhe një ndjesi faji përse zgjedh anonimatin…
Por mendoj se do pak kohë… Ndoshta sepse padashur në një mënyrë a një tjetër mund të bëhen lidhje e hamendësime, që mund të jenë shkas edhe për situata të pakëndshme. Sigurisht jo prej jush.
http://www.irenashabani.com