Një nga momentet më të komentuara të natës paraprake të “Miss Universe 2025” në Tajlandë erdhi nga përfaqësuesja e Xhamajkës, Gabrielle Henry, e cila u përfshi në një incident të papritur. Teksa po ecte me fustanin e mbrëmjes dhe me taka të larta, ajo u pengua dhe ra nga skena, një moment që u filmua nga të pranishmit dhe u bë viral brenda minutash.
Stafi reagoi menjëherë, duke e ndihmuar dhe duke e larguar nga skena me barelë. Pak më vonë organizatorët konfirmuan se Henry ishte dërguar për trajtim në Spitalin Paolo Rangsit, ku mjekët raportuan se gjendja e saj është stabile dhe pa kërcënim për jetën.
Reagimi i parë zyrtar erdhi nga vetë drejtuesi i konkursit, Raul Rocha, i cili njoftoi se kishte shkuar personalisht në spital për ta vizituar. Ai siguroi publikun duke thënë se:
“Sipas mjekëve, ajo nuk ka pësuar thyerje kockash,” megjithëse analizat po vazhdojnë për të shmangur çdo rrezik tjetër. Rocha falënderoi fansat për mesazhet e shumta të mbështetjes.
Edhe Organizata Miss Universe Jamaica publikoi një deklaratë ku theksohet se Gabrielle Henry është nën kujdes profesional dhe se ekipi i saj po qëndron pranë gjatë gjithë kohës. Ata bënë apel për pozitivitet dhe urime të mira për shërimin e saj të shpejtë.
Përfaqësueset e vendeve të tjera reaguan menjëherë online, duke i dërguar mesazhe inkurajuese koleges së tyre, e cila konsiderohej një nga konkurrentet më të forta në fazën paraprake.
Finalja e “Miss Universe”, e cila do të zhvillohet më 21 nëntor, mbetet e konfirmuar, ndërsa publiku pret të shohë nëse incidenti do të sjellë ndryshime në mënyrën sesi organizohet parakalimi në skenë. Fituesja aktuale, Victoria Kjær Theilvig nga Danimarka, pritet t’i dorëzojë kurorën mbajtëses së re.








