Kur vuri në kokë kurorën e më të bukurës shqiptare, Almeda Abazi deklaroi se një ditë do të ishte një showgirl e suksesshme. Asokohe ajo ishte një vajzë thjesht e bukur dhe ende nuk i kish shfaqur potencialet e saj. Fati deshi që një tjetër shtet të tregohej më i zgjuar e t’i dhuronte asaj skenën, ku Almeda shfaqi talentin e madh dhe këmbënguljen për t’u bërë një yll. Sot e bukura shqiptare, që mban mbi krye edhe kurorën e “Miss Globe”, është pikërisht ajo që kish ëndërruar në adoleshencë: një yll i Turqisë dhe një emër shumë i dashur në vendin tonë. Për herë të parë në një media shqiptare ajo rrëfen privatësinë e saj. Në një kohë të lumtur si kjo e tanishmja, Abazi tregon për njohjen me djalin që i rrëmbeu zemrën e që iu desh të priste me muaj për të marrë një “Po” nga vajza jonë. Në “revistawho.com” Almeda flet dhe për familjen, punën dhe ato që e presin në të ardhmen. Atë që nuk e ka provuar ende, ka vendosur ta bëjë shumë shpejt. Lexojeni se për çfarë bëhet fjalë…
Almeda nga postimet në rrjetet sociale, duket se gjithçka po shkon mirë për ty, sidomos në aspektin sentimental. Pamë që kalove ditëlindjen dhe Shën Valentinin në Itali… Ndaj jemi kuriozë që menjëherë të dimë më shumë për nisjen e kësaj historie? Si u njohe me aktorin turk, si të propozoi?
Me Tolgahanin njiheshim prej kohësh, sepse punonim në produksione të njëjta dhe na ndodhte të takoheshim shpesh në ambiente të ndryshme. Pas një farë kohe ai shprehu interesin që kishte ndaj meje. Nga atëherë kaluan shumë muaj derisa unë u binda t’i jepja nje shans për ta njohur.
Sa kohë keni bashkë?
U bë një vit e gjysëm që dalim bashkë.
Çfarë ka ai që fitoi dashurinë e Almeda Abazit?
Ne ngjajmë shumë me njëri-tjetrin në karakter, në të menduar. Kemi shumë gjëra të përbashkëta. Kjo e bëri atë të fitonte vëmendjen time.
Ai është më i famshëm se ty në Turqi, të pengon kjo gjë?
Jo aspak. Ai ka vite në botën e ekranit duke qenë se është dhe më i madh në moshë se unë. Është merita e tij për çfarë ka arritur, gjë që më bën të lumtur mua.
A është e vështirë një lidhje mes dy njerëzve të famshëm? Vëmendja e njerëzve, mediave, është më e madhe dhe rrjedhimisht edhe thashethemet…
Sigurisht që është e vështirë. Njeriu kërkon qetësi shpirtërore dhe mendore pas një dite pune të lodhshme, por ne tashmë jemi mësuar me këtë lloj jetese dhe mundohemi të mos ndikohemi.
Ç’marrëdhënie ke me mediat në Turqi?
Në përgjithësi mirë. Por ndodh edhe që vetëm për të bërë lajm, ata “detyrohen” të sajojnë gjëra që nuk ekzistojnë.
Ndërkohë nga jeta profesionale kemi të reja? Me çfarë po merresh?
Për momentin po punoj për një projekt të ri për të cilin do të shprehem kur të vijë koha.
Si të duket, ke më shume fansa turq apo shqiptarë?
Turqia është një shtet shumë i madh dhe normalisht fansat janë më të shumtë. Sa i përket shqiptarëve të mi, kam më shumë fansa nga Kosova se sa nga Shqipëria. Po përfitoj nga kjo intervistë t’i dërgoj përqafimet e mia të përzemërta të gjithë shqiptarëve kudo që janë.
Si ishte rikthimi në një skenë shqiptare, krah një personaliteti si Ardit Gjebrea?
Ishte mrekulli! Të punosh me Arditin ishte një kënaqësi që rrallë e kam hasur. Do të jem e gatshme në çdo rast të punoj përsëri përkrah këtij njeriu aq zemërgjerë, intelektual dhe me shumë vlera, që rrallë i gjen tek njerëzit e kësaj fushe. Shkurt, njeri me kualitet!
Çfarë të mungon më së shumti nga Shqipëria? Ndonjë gatim, apo një vend në veçanti?
Më mungon fëmijëria, rrugët, tregu i fshatarëve në lagje dhe buka e furrës që na digjte duart kur e blinim.
Si ishte për ty viti që sapo lamë pas? Je lodhur shumë? Mendon se e mbylle me sukses?
E lodhur, por e kënaqur, dhe duke falenderuar Zotin për mundësitë që më ofron.
Cila prej punëve që bëre të ka dhënë kënaqësinë më të madhe? Cila të ka stresuar më shumë?
Më shumë kënaqësi kam marrë nga projekti i fundit “Para Bende” që shëtita botën duke i mundësuar teleshikuesve të informohen për shtete të ndryshme se si mund të vizitohen me shumë para por dhe me pak fare para në xhep.
Po mamin çfarë e gëzon më tepër nga gjërat që bën ti?
Mamin e gëzon çdo gjë që mua më gëzon. Nëse unë marr kënaqësi nga puna që bëj ajo është njeriu më i lumtur në botë.
Është mësuar ajo atje, apo i mungon Shqipëria?
Mami Turqinë e ka bërë si shtëpinë e saj pasi dhe në Shqipëri kur jetonte merrej me turizëm dhe ofronte turizmin turk për pushime tek shqiptarët. Mund të them se ka shëtitur më shumë se vetë turqit e falë saj u mësuam edhe ne shumë shpejt me Turqinë.
Marrëdhënia që ke me motrën? Asaj nuk i pëlqen fama?
Me motrën jemi të pandara, kudo bashkë dhe mund të them se është po aq e famshme sa unë. Fansat turq janë të çuditshëm, të zhbirojnë me rrënjë në familje sa persona të jesh, e i flasin dhe i komentojnë sikurse mua. Plus që edhe shoku i motrës është një basketbollist shumë i njohur në Turqi, Kenan Sipahi nga Kosova, por që jeton në Stamboll.
Almeda çfarë do të doje të bëje tjetër?
Unë kur kam fituar Miss-in jam shprehur që do të bëhem një showgirl. Aktrimin e bëj, prezantimin e bëj, kërcimin e bëra tek ‘Dancing With The Stars”. Tani më ka ngelur kënga, do ta tregoj dhe aty veten.