Fotograf: Erjon Beshiri
Shumica e vajzave të vogla, kur të rriten duan të bëhen gazetare. Eshtë një nga përgjigjet më të shpeshta, bashkë më ato që duan të bëhen këngëtare apo doktoresha. Shumica e atyre që thonë gazetare, sigurisht që duan të japin lajmet. Ndokush vijon ta ndjekë ëndrrën kur rritet, të tjera akoma ndërrojnë fakultetin apo fillojnë punë në redaksi lajmesh, edhe pse mund të kenë studiuar diçka tjetër… Ola Bruko nuk bën përjashtim. Edhe ajo si shumë vajza të vogla lexonte lajmet përpara pasqyrës, pa menduar që do të vinte dita e do ta bënte këtë çdo ditë në studion e “News 24”. Por ne kësaj radhe kemi preferuar ta nxjerrim nga studio ku ajo u rrit, u fut ende “fëmijë” dhe u bë ndërkohë me dy fëmijë…
Për ta njohur më shumë e për t’i bërë një intervistë, preferuam ta nxjerrim nga studioja, të mos merremi fare me lajmet dhe emsionet, me të cilat Ola është marrë boll sidomos muajin e fundit dhe të bëjmë një piknik me ngjyra dhe ëmbëlsi. Sepse përtej profesionit, ajo është një grua e re, nënë e dy fëmijëve, që ka ç’të tregojë, edhe pse shumicën e kohës familja e sheh në ekran, kurse ajo i sheh në celular në komunikime të vazhdueshme. Ky është pakti që duhet të bësh me ndjekjen e ëndrrës për t’u bërë gazetare dhe vetëm ata që ndajnë të njëjtin profesion dhe pasion e kuptojnë krejtësisht.
Si shkoi fushata elektorale dhe raportimi pas zgjedhjeve? Të duhet ca pushim për rikuperim apo mund të thuhet se je mësuar tashmë me të tilla ngjarje?
Si gjithmonë ishte një periudhë shumë e ngarkuar për të gjithë ne gazetarët. Për mua edhe më shumë, sepse veç ngarkesës së zakonshme që ka fushata elektorale, më duhej të përgatitesha edhe për emisionin “Pikat mbi i” që transmetohej tre herë në javë dhe duhet të zhvilloja takime të përditshme në funksion të projektit tim “Dola Te Ola”. Nuk e kuptoja kur fillonte e kur mbaronte dita. Por adrenalina që fal gazetaria mua më pëlqen, ndaj nuk ankohem.
Ola, në telefonin tim ta kam ruajtur numrin prej kushedi sesa vitesh “Ola News 24”. Ndryshe nga gazetarët që lëvizin shpesh, ti je e branduar bashkë me televizionin. Sa kohë u bënë me të vërtetë aty dhe a ke pasur ndonjëherë tundimin për të ndërruar ekran?
U bënë 16 apo 17 vite tashmë. “News24” është shtëpia ime. Atje shkova fëmijë dhe u bëra me dy fëmijë. Po, kam pasur tundime sigurisht, sepse ofertat nuk mbarojnë asnjëherë dhe vazhdojnë ende. Provova të lëvizja njëherë, për një vit qëndrova larg “News-it”, në një ekran tjetër, një arrati interesante, por jo aq sa të më bënte të mos kthehesha më në shtëpinë time, “News24” . Deri sot nuk ka ekzistuar asnjë ofertë që më joshë më shumë se vetë ekrani i jetës time.
E megjithatë, brenda “News24” ke bërë gjithmonë gjëra të ndryshme. Aktualisht në sa emisione/projekte je e përfshirë?
Kam pasur fatin të kem mbështjen e drejtuesve të mi, që më kanë besuar projekte të ndryshme, veç drejtimit të studios së lajmeve përditë nga ora 12-16 dhe të ftuarit e ditës. Programet që kam zhvilluar dhe drejtuar kanë pasur dhe kanë gjithmonë në thelb lajmin, që për mua është pasioni më i madh në jetë. “Njerëz në Fokus”, “Shqiptarët për Shqiptarët”, “Pikat mbi I” dhe “Dola te Ola” më kanë rritur edhe më shumë profesionalisht, ndonëse gjykoj që në këtë profesion kam gjithmonë shumë për të mësuar.
“Dola te Ola” duket që e ke mjaft për zemër, përderisa ka në titull dhe emrin tënd.
Po, ka emrin tim dhe kjo erdhi krejt natyrshëm nga bisedat që bëja me kolegët e stafit të emisionit. Pastaj kuptova edhe nga të ftuarit e mi të përditshëm, të cilët më tregonin se pasi dilnin tek unë i kontaktonte një televizon tjetër dhe disa me shaka përgjigjeshin: Po ç’të vi? Ç’do them? Unë dola te Ola. Më tërhoqi edhe sepse është si lojë fjalësh, që i jep gëzim e pozitivitet të folurit televiziv.
Cila mund të thuash që është puna jote më e mirë?
Nuk do të veçoja një mes të shumtave, sepse të gjitha i kam bërë dhe i bëj me pasion dhe përkushtim. Ajo që më gëzon është fakti se çdo punë (dhe këtu po i lejoj vetes pak mungesë modestie) është impakti pozitiv që ka në publik.
Përpara se të merreshe me gazetari, çfarë mendoje të bëheshe “kur të rriteshe”?
Balerinë ose pianiste. Prindërit kishin këto dëshira dhe më dërgonin njëherë në kurs baleti dhe njëherë në kurs pianoje, por unë lexoja gazetat përpara pasqyrës pa e ditur ende se gazetaria do ishte rruga ime.
Cila ishte ajo pjesë e gazetarisë që të tërhiqte më shumë? Terreni dhe gjithë dinamikat e reporteres apo ndriçimi i studiove?
Unë e kam filluar në radio dhe kjo e fundit për mua është magji, dashuria e parë për të cilën kam gjithmonë nostalgji. Më pas terreni, që është adrenalinë dhe e dua shumë dhe sa herë mundem i rikthehem. Studio e lajmeve pastaj, drejtimi i një programi të caktuar, sigurisht të mbush e të bën të ndjehesh e plotësuar profesionalisht. Të gjitha i dua fort, sepse secila ka veçantinë e saj.
A mund të quhet një punë ëndrrash? Apo realizmi i një ëndrre?
Me plot gojën, po. Endrra ime është realizuar, por do shumë punë t’i rezistojë çdo kohe dhe unë jam njeri që nuk kënaqem me pak, jam kritikuesja më e madhe e vetes çdo ditë e çdo ditë.
Çfarë iu thua gazetareve të reja apo vajzave që duan të studiojnë gazetari, nëse të pyesin? A ua rekomandon apo iu thua të merren me diçka tjetër?
Ndjekësit e mi më pyesin shpesh për këtë. Për disa jam idhull (kështu më thonë), edhe pse kjo më duket fjalë shumë e madhe. Më gëzon fakti që për disa jam kthyer në shembullin për t’u ndjekur. Ndiqni ëndrrën tuaj, iu them, ndiqeni me ndershmëri dhe pasion dhe mos hiqni dorë asnjëre, herët a vonë ajo do realizohet.
Si ndjehesh përballë ndryshimeve që ka pësuar sot gazetaria apo dhe të qenit personazh publik? Dikur njerëzit bëheshin të njohur vetëm në ekran, sot është fama e rrjetit, ndonjëherë më e madhe sesa e ekranit…
Nuk ndjehem keq. Eci me hapin e kohës. Koha ka ndryshuar dhe normalisht dhe këto elemente do ndryshojnë. Jam njeri që përshtatem lehtë dhe përpiqem të gjej më të mirën kudo.
Por megjithatë, edhe ti dukesh shumë aktive në rrjetet sociale. Me studion e “News-it” dhe punën tënde pak më shumë sesa me jetën private. A të gllabëron ty rrjeti? Apo e ke nën kontroll?
Po ndonjeherë më gllabëron edhe mua rrjeti si të gjithë, por më pëlqen. Mendoj që gjithsesi situatën e kam nën kontroll. Më merr kohë edhe kjo punë se tani është kthyer në punë në fakt kjo, sepse nuk më pëlqen të mos u kthej njerëzve përgjigje kur pyesin për diçka, apo kur kërkojnë ndihmë. Përfshihem dhe filloj kontaktoj institucionet që t’ua zgjidh problemin apo të marr informacionin që ata më kërkojnë. Pra, jam në bashkëveprim me ndjekësit e mi, sepse rrjetet sociale i konsideroj mediume që shërbejnë edhe për ta ndihmuar tjetrin. Postimi i një fotoje apo video është i qëllimtë, sepse dua të jem pranë tyre edhe në përditshmërinë time. Unë jam një prej tyre, jam si ata, edhe pse jam në ekran.
Si është për një nënë të jetë shumicën e kohës në redaksi/studio dhe ca më pak në shtëpi, sesa të tjera gra: pa fundjava të gjata, pa ditë festash, duke raportuar dhe natën e Vitit të Ri… Si e ka përjetuar familja jote këtë?
Kjo është pak e dhimbshme, sepse do kisha dashur të qëndroja më shumë kohë fizikisht me fëmijët e mi, por i tillë është profesioni im dhe ata e kanë kuptuar dhe pranuar. Jam me ta gjithmonë, komunikojmë në telefon ose përmes platformave të tjera, ku edhe shihemi vizualisht në çdo moment dhe orë të ditës. Sidomos me djalin, që është tani në moshë delikate (fillim adoleshence) dhe këshillat e mia i kërkon në çdo moment. Kloi pastaj është “karamelja” ime, e cila llastohet edhe në telefon me kërkesat e saj. Jam krenare për ata të dy, sepse janë fëmijë të mbarë, të edukuar dhe studiozë.
Sa vjeç janë fëmijët e tu dhe kush rri me ta kur mami Ola është në punë? Si të shohin ata në ekran dhe si e bëjnë ndryshimin nga ajo që shohin me mamin e tyre?
Më ka bekuar Zoti me dy fëmijë: Klesti 13 vjeç dhe Kloi 8 vjeç. Pasi kthehen nga shkolla, qëndrojnë me gjyshen e tyre. Ne jetojmë me mamin e Andit dhe jam e lumtur për këtë. Fëmijët i kam në duar të sigurta, gjë që më bën të punoj e qetë. Në shtëpi unë jam një mami gati fëmijë, bëhem si ata dhe shpesh më thonë se përse nuk jam kaq gazmore edhe në ekran.
Ka raste të thua “dreqi e mori, do i lë të gjitha”?
Po, ka raste plot, sepse jo të gjitha ecin vaj. Ka mërzitje, pezmatime ka ngarkesë të lartë psikologjike. Nuk kam menduar asnjëherë t’i lë të gjitha, por kam menduar ta thyej telefonin aq shumë bie. Ajo që më qetëson dhe më kthen në rutinë është gjithmonë pasioni dhe dashuria që kam për profesionin tim.
Çfarë të pëlqen të bësh kur je vetëm fare? Domethënë pa punën, pa lajmet në celular, pa familjarët? Kush është ajo gjë që është “vetëm e Olës”?
Të eci dhe të jem vetëm me Olën. Kush më njeh mirë e di që kur unë jam e lodhur, ose e trishtuar futem në guackën time dhe qëndroj me Olën për orë të tëra. Mendoj, analizoj, meditoj dhe rikuperohem. Kohën për ta bërë këtë ose xhiron e gjatë (2-3 orë me biçikletë) e gjej gjithmonë edhe sikur të jetë mbrëmje vonë.
Çfarë planesh ke bërë për këtë verë?
Në jug, si gjithmonë, pranë oazit tim. Pranë fëmijëvë të mi. Mezi e presim qëndrimin bashkë 24 orë në 24. Nuk më pëlqen të udhëtoj jashtë Shqipërisë për pushimet e gjata të verës, nuk më pëlqen as të lëviz nga një vend në tjetrin. Kam nevojë për çlodhje dhe atë e marr duke qëndruar qoftë edhe një muaj në të njëjtin vend pranë të dashurve të mi. Zgjedhja prej shumë vitesh tashmë është i mrekullueshmi jug i vendit. Më pëlqen shumë deti, por mbi të gjitha muzgu pranë tij me një libër në dorë dhe zhurmët e dallgëve që shoqërojnë leximin./revistawho.com