Nga Eraldo Rexho / Fotot: AlbaPro / Flokët: Lidia Shkreli & Altin Nebihu / Grimi: Vjosa Metaj Cena
Një histori dashurie e nisur me një shikim krejt rastësor në një restorant sushi në Michigan, është kurorëzuar me një superdasmë në Miami.
Është ende diell në tarracën e “1 Hotel South Beach”, kur të ftuarit e kuruar në detaje si në një dasmë fisnikësh, i afrohen vendeve pranë altarit. Një arredim minimalist ku mbizotërojnë dy ngjyra: e bardha e orkideve dhe e gjelbra e gjetheve, përthyhej prej alegrisë së dasmorëve që trokisnin gotat hareshëm.
Ajo e veshur me të bardha, e ai me kostum të zi, sillnim një kombinim mes tradicionales e modernes, që nga veshja deri tek dasma.
Dhëndri i kujton nuses kur e pa për herë të parë. Javët që kërkonte numrin e saj, ditët kur i shkruante një adrese false në ‘Facebook’ – duke pretenduar se po i shkruante asaj, natën kur i gjeti ‘Twitter’-in dhe të gjitha herët që i bënte ‘retweet’ se vetëm kështu, ajo një ditë do e kuptonte se dikush po bënte çmos të fliste me të.
Kanë kaluar vite, nga ajo drekë, kur Afërdita pa që një adresë ‘verified’ i shpërndante ‘tweet’-et e saj. Prej asaj dite, u bënë të pandashëm, edhe pse jeta e tyre kalohet në avionë mes qiejve.
Ajo, modele e këngëtare. Ai, sportist. Ajo, e bukur. Ai, simpatik. Ajo shqiptare, ai çek. Tanimë bashkëshortë.
Në të parën intervistë si ‘Zonja Kindl’, Afërdita Dreshaj rrëfen ekskluzivisht për ‘revistawho.com’ dashurinë e saj, fejesën, dasmën milionëshe, unazën me diamant dhe surprizën e bashkëshortit për pushime në St. Lucia.
Nga muaji i mjaltit, ajo tregon edhe përzgjedhjen e dizenjos për dy fustanet, kërcimet edhe me muzikë shqiptare, tortën e lulet, raportet e dhëndrit me vjehrrën e kunatën që e ka ‘partner in crime’ për surpriza. Jeta e saj e ëndrrave sapo ka filluar e disa prej tyre i ndan me ne.
Afërdita, vetëm pak ditë më parë kurorëzove në martesë dashurinë tënde me hokejistin çek Jakub Kindl… Përpara se të flasim për dasmën gjerë e gjatë, duam të dimë se si nisi historia juaj?
Jemi njohur në një restorant sushi… Unë isha vetëm për tre ditë në Michigan dhe kisha dalë atë mbrëmje për një darkë, sepse ime motër Jehona, kishte ditëlindjen. Përballë nesh ishte një tavolinë me dy djem, të cilët na qerasën, ne i falenderuam, u përshëndetëm me ta dhe vazhduam.
Pas asaj mbrëmjeje Kubi kishte bërë gjithçka për të gjetur numrin tim të telefonit. I ishte lutur pronarit të restorantit, që ne e kishim mik, por ai nuk ia kishte dhënë. I kishte treguar vetëm emrin tim dhe Jakub, kishte nisur kërkimet dhe mesazhet në rrjetet sociale. Më kishte shkruar në ‘Facebook’, por ajo adresë nuk ishte e vërtetë. Pastaj kish nisur të më ndiqte në ‘Twitter’ dhe të më bënte ‘retweet’, sepse nuk më dërgonte dot mesazh aty, pa e ndjekur dhe unë. Disa ditë më vonë unë isha në aeroport për të shkuar nga Chicago në Miami për punë dhe vetëm aty shikoj një adresë të verifikuar që më bënte ‘retweet’ për të më fituar vëmendjen. Në atë moment fillova dhe unë ta ndiqja në ‘Twitter’ e Jakub më dërgoi mesazh dhe aty filloi çdo gjë.
Kjo është arsyeja pse menuja e ‘pre wedding’ ishte aziatike?
(Qesh) Jo, faktikisht nuk ishte kjo arsyeja pse zgjodhëm atë menu, por unë dhe Jakub e dashurojmë pafund ushqimin në restorant ‘Komodo’ në Miami ndaj dhe vendosëm që ‘pre wedding’ ta bënim atje.
Dasma jote është më e veçanta që kemi parë. Duke nisur nga festa e beqarisë, e deri tek mbrëmja e madhe… Sa kohë e ke menduar?
Si fillim duhet të tregoj se unë asnjëherë nuk kam qenë tipi i dasmave. Asnjëherë në jetë nuk e kam menduar veten time si nuse dhe nuk e kam pasur ëndërr fustanin e bardhë, si shumica e vajzave. Nga momenti kur Jakub më propozoi për martesë, nisëm të mendonim për mundësitë se kur do ta bënim dasmën. E kishim të qartë që do ta bënim në verë, por nuk e dinim nëse këtë vit, apo tjetrin. Në fund vendosëm ta bënim këtë verë, sepse do të shkonte shumë gjatë. Që prej asaj kohe, për gjashtë muaj me radhë kam filluar të hulumtoj çdo detaj. Kam marrë dy planifikues dasmash, që më kanë ndihmuar shumë dhe ia kanë dalë të realizojnë atë çfarë kisha unë në kokë.
Një festë e çmendur beqarie që zgjati disa ditë, në vendin e çmendurive – Las Vegas… U more vetë me organizimin?
Festën e beqarisë e ka organizuar të gjithën Jehona, ajo e ka zgjedhur vendin, ajo ka folur me shoqet e mia më të ngushta që të mos mungonte asnjëra… Jemi argëtuar pafund, kanë qenë vërtet ditë të paharrueshme.
Pse një dasmë në Miami? Pse jo në Çeki, Mal të Zi, ose Shqipëri?
E menduam gjatë bashkë me Jakub se ku do ta bënim dasmën. Njëherë menduam ta bënim në Pragë, pastaj vendosëm përfundimisht në Miami, sepse donim të kishim detin pranë dhe zgjodhëm Amerikën, pasi aty u njohëm dhe vetëm atë mund të bëhej realitet dasma që ëndërronim.
Shumë nga komentuesit në rrjet, ju kanë cilësuar si ‘Barbie & Ken’, sepse dukeshit vërtet si personazhe përrallash. Kush u kujdes për dukjen tuaj?
Po, e kam parë që na cilësojnë kështu si ‘Barbie & Ken’, ndoshta sepse të dy jemi biondë. Faktikisht Jakub ka dhe sytë blu, unë jo për fat të keq dhe pse ka qenë gjithmonë ëndrra ime (qesh), po shyqyr që ka lente. Për dukjen time kanë ardhur nga shumë larg, njerëz të cilëve u besoj. Për ‘make up’-in është kujdesur Vjosa Metaj Cena, të cilën dua ta falenderoj shumë, sepse në jetën time nuk e kam ndjerë veten më të bukur. Për flokët janë kujdesur Altin Nebihu dhe Lidia Shkreli, që i falenderoj gjithashtu shumë. Ndërsa për fustanin kam punuar me një atelie të njohur në fustanet e nusërisë dhe Jakub po ashtu e ka pasur të porositur kostumin e tij.
Një fustan i personalizuar nga koka te këmbët. Sa prova ke bërë dhe ishte zgjedhja jote apo u besove stilistëve?
Ky ishte problemi dhe dilema më e madhe, fustani i nuses. Duke qenë se unë kam bërë reklama të fustaneve të ndryshme, në shumë firma të njohura dhe asnjëherë në jetën time nuk kam thënë: “Kështu do ta kem fustanin kur të martohem”, zgjedhja ishte shumë e vështirë. Siç thashë edhe më lart nuk kam qenë asnjëherë njeriu i dasmave, jam një njeri spontan. Kur erdhi koha të dizajnoja fustanin tim, arrita në momentin më të vështirë të të gjithë përgatitjeve. Vendosa të bëja dy, një për ceremoninë dhe një për darkën. Fustani i parë që kam veshur është realizuar nga dizajnerja Ines Di Santo, e cila e ka bërë fustanin direkt për mua nga koka tek këmbët dhe të dyja ishim në një mendje sa i takon modelit, menduam të bënim një fustan romantik, të bukur dhe të përjetshëm.
Ndërsa fustani i dytë është bërë nga një stilist nga Izraeli, atë e doja sa më të lirshëm që të kërceja gjithë natën dhe ta shijoja dasmën time. Gjithçka shkoi perfekt, sepse fustani i parë ishte për ceremoninë, fotografitë, hyrjen në sallë dhe pastaj për festën vesha të dytin.
Na e trego pak diamantin, sa karat është ai, sa kushton?
Diamantin e ka zgjedhur Jakub dhe unë nuk kam ditur asgjë. Ishte 100% surprizë dhe çdo gjë ishte si në ëndërr. Diamanti është mbi 5 karat, e di që ka shpenzuar shumë, por nuk dua të përmend shifra. Po ju them vetëm që paguaj një siguracion të majmë për të.
Të bësh një dasmë në Miami do të thotë të shpenzosh shumë para… I keni bërë llogaritë? Sa keni harxhuar?
Të bësh një dasmë në Miami do të thotë të shpenzosh shumë dhe ti e thua këtë, sepse e pe vetë gjithçka. Mjafton të llogarisësh vetëm orkidetë në sallë, të gjitha natyrale dhe do të arrish në përfundimin që ka qenë një dasmë shumë e kushtueshme. Por dasma bëhet vetëm një herë në jetë dhe do të mbetet gjithmonë, si kujtimi më i bukur i dashurisë sonë, në të cilën kishim pranë të gjithë njerëzit që donim. (VIJON NË PJESËN 2) / revistawho.com