Nga Eraldo Rexho / Fotot: Juxhin Kurti / Hair & Make Up: Suela Çangu / Styling: Rezarta Skifteri
Kanë kaluar shumë vite, nga koha kur ajo për herë të parë iu drejtua publikut duke i thënë “votoni për mua se jam më e vogla”. Kanë kaluar po aq kohë nga herët kur ajo kthehej në shtëpi e shihte ‘Sailor Moon’, sepse tashmë i është rikthyer filmave vizatimorë si shoqëruese e të birit, nga pushimet mes koncerteve. Ende zgjohet vonë, dhe fle po vonë. Malli për shtëpinë tani është një mall për të birin, të cilin, i duket se e gjen gjithnjë e më të rritur dhe se e shqipton gjithnjë e më bukur togfjalëshin: “o mami hajde”.
Fama duket se e ka lodhur. Një mijë sy përballë, një mijë sy që e ndjekin, një mijë gojë që e flasin, njerëz që e gjykojnë dhe të tjerë që ende, ende kërkojnë tek ajo, vajzën seksi të ekranit, duke patur të vështirë të kuptojnë se përtej xhamit të sheshtë, ajo është një njeri që ndjen, njësoj si të gjithë.
“Dua të mos jem më fantazia e 10 mijë burrave, por dashuria e një të vetmi dhe mami më e mirë në botë”, – thoshte ajo vite më parë në një intervistë për “Anabel”. Prej kësaj disa gjëra kanë ndryshuar, disa jo. Të jesh një personazh publik, i debatuar, i lakmuar, i dëshiruar, i kërkuar, si ajo, nuk mundet t’u shpëtosh 10 mijë syve, as 10 mijë gojëve. Mundesh, mbase, dhe këtu duhet pak fat, të jesh dashuria e një të vetmi – por edhe dashuritë kanë një proces: lindin, jetojnë dhe vdesin. Çiljeta ka mundur të jetë sërish, përtej të gjitha mami më e mirë në botë. Kush e njeh nga afër e di se ajo është një mama e tillë, e kush nuk e njeh, duhet të kuptoj se përtej ekranit Çiljeta nuk është më e dëshirueshme – ajo është e dashurueshme dhe gjithë dashurinë që ka e jep!
Në një film të vitit të shkuar “Room”, përtej historisë ka dialogje të jashtëzakonshem. Në një prej skenave më të fuqishme të tij, interpretuar nga Brie Larson në rolin e nënës dhe Jacob Tremblay në rolin e fëmijës dialogu është pak a shumë ky: – “Nëna: nuk kam qenë një nënë e mirë, apo jo?; Djali: Por, ama ke qenë një nënë”. Domeos jeta e Çiljetës dhe ajo e personazhit kanë ndryshime madhore, Larson interpretuar një grua të ngujuar, Çiljeta është një femër që e ka shijuar lirinë – por dashuria dhe të shprehurit e saj, është një instikt mëmësor që vjen që me lindjen, mbase, ose kështu duket.
Në mesin e personazheve të showbizz, Çiljeta është pa dyshim prej atyre që nuk mundesh ta mbash larg. E vërtetë, e çiltër, e qeshur, e dashur me të gjithë dhe mbi të gjitha një vajzë e thjeshtë, që komunikon njësoj me të tërë, pavarësisht statusit social të secilit.
Në këtë intervistë për revistën “WHO”, këngëtarja tregon detaje nga kënga dhe nga klipi i ri. Mandej, ajo vjen në një rrëfim për ndarjen, nga njeriu që donte, nga babai i të birit, me të cilin tashmë komunikimet janë vetëm si prindër të së njëjtës dashuri, Fernandos. I vogli është rritur tashmë dhe të qarat në mesnatë janë më të rralla, ashtu si daljet dhe shëtitjet gjatë ditës janë gjithnjë e më të shpeshta. Fernando tashmë po bëhet një mik, dita-ditës gjithnjë e më shumë. Vetë Çiljeta ndan me ne çaste të sinqerta rrëfimi dhe kujtimesh.
E bukura, koketa, vajza seksi, magjepsësja, këngëtarja, njeriu, vajza dhe nëna – të gjitha anët e Çiljetës zbulohen përmes kësaj interviste…
Dikur ke thënë se dëshiron të jesh mami më e mirë në botë… Mendon se ja ke arritur?
Tani që jam bërë nënë, nuk mendoj se ka nëna të këqija, ose nëna të mira… Ka thjesht nëna. Dhe nuk ka asnjë nënë që nuk e do fëmijën e vet. Unë jam përpjekur me sa kam mundur të jem një nënë e mirë për Fernandon. Për këtë shkak u shkëputa thuajse dy vjet nga muzika dhe nga jeta aktive në koncerte. Tani ai është rritur, ka nisur të shkojë në kopësht, të socializohet me shokë e shoqe dhe për mua gjithçka është më e lehtë.
Cila është koha më e gjatë që ke qëndruar larg Fernandos? Si të është dukur?
Dy deri në tre ditë, që më janë dukur javë e muaj. Unë dhe Fernando jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Kemi të njëjtën datë lindjeje dhe jemi shokë të ngushtë, luajmë bashkë, qeshim e qajmë bashkë… Mendoj që nuk mund të përshkruhet dot me fjalë marrëdhënia nënë-fëmijë.
Ti e ke rritur dhe po e rrit atë shumicën e kohës e vetme, pa një burrë përkrah… Sa e vështirë është?
Nuk është e lehtë, por babai i Fernandos ka qenë prezent për një kohë të gjatë, sidomos gjatë vitit të parë. Ne kemi thuajse çdo ditë komunikime në skype me të. Ai do të jetë përjetë babai i Fernandos tim, siç do të jem unë nëna e fëmijës së tij.
Po Çiljetës vajzë, e asaj grua, sa i mungon një burrë në shtëpi?
Çdo femër ka nevojë të dashurojë dhe të ndihet e dashuruar. Nëse burrin në shtëpi e lidh me sigurinë financiare, unë nuk jam ky rast. Jeta më ka bërë të jem vetë burrë dhe vetë grua në shtëpinë time. Jam mësuar t’i fitoj vetë gjërat e mia që kur isha fare e re, e jo më tani kur përgjegjësitë janë rritur. Kësisoj e vetmja gjë që më mungoi në këtë marrëdhënie ishte dashuria, që është shumë e vështirë të rezistojë përmes bisedave në whatsapp apo qoftë edhe në telefonatat e gjata e lidhjet në skype. Chris është i huaj dhe ka një mentalitet krejt tjetër nga ne shqiptarët, prandaj dhe kjo ndarje nuk qe fare dramatike. Ai më kërkoi që të mësojmë të jemi shokë të mirë për Fernandon, vetëm ai ka rëndësi tani për ne.
A ka në horizont ndokënd që mund ta zërë vendin e mbetur bosh? Ka një mashkull në zemrën tënde?
Për momentin Fernando është mashkulli i vetëm i zemrës sime. Kam shumë miq të mirë, po njoh çdo ditë njerëz të shkëlqyer, sigurisht është dikush që më pëlqen (qesh), por ende nuk ka asgjë për t’u ndarë.
Je po aq e bukur sa në daljen tënde të parë, ndoshta edhe më shumë? E ndjen vetë këtë? Ndihesh e bukur?
Kur ma thonë, edhe më shumë… Është shumë qejf kur një nënë dëgjon komente pozitive për dukjen e saj. Ka ditë kur më pëlqen shumë vetja, siç ka të tjera kur nuk dal dot përpara pasqyrës (qesh).
Po sytë e meshkujve vazhdojnë të të ndjekin po njësoj?
Nuk mendoj që do u shpëtoj ndonjëherë syve të meshkujve. Jam mësuar me këtë tani.
Je kthyer sërish në tregun e beqareve, shpërthyen kërkesat?
Jo, jo, nuk pati ‘boom’ kërkesash, duke përjashtuar këtu mesazhet e “Facebook”… Beqaria ime nuk doli në ankand. Ishte një zgjedhje, që erdhi pas shumë kohësh ‘punë’ me veten.
Çiljeta çfarë ndodhi mes teje dhe babait të Fernandos? Pse vendosët një fund për njëri-tjetrin?
Asgjë e jashtëzakonshme nuk ndodhi… Ne kemi 7-8 muaj që jemi ndarë, por nuk kam dashur ta bëj publike për shkak se kur ka një fëmijë në mes, gjithmonë shanset për një rikthim janë të mëdha. Nuk ishte një vendim i lehtë, por ishte më e mira për të dy ne. Vendosëm bashkarisht t’i jepnim fund një marrëdhënieje që po na ezauronte çdo ditë e më shumë për shkak të largësisë. Unë jepem shumë në dashuri dhe kërkoj që të gjithë atë çfarë jap ta marr mbrapsht. Kur ndonjëherë kjo mungon, filloj ndërtoj skenare në kokën time (kam parë shumë filma).
Duket sikur tashmë ke filluar ta ndash kollaj punën nga jeta e nga çështjet e zemrës? Ishte e vështirë të buzëqeshje para kamerës në videoklipin e fundit?
U bënë vite tani në këtë profesion dhe kam mësuar si t’i fsheh emocionet negative përpara kameras.
Si po pritet “Aventura”?
Ma kanë mbushur zemrën komentet e deritanishme. Si unë dhe Armendi, dëshironim shumë që kjo këngë të dëgjohej nga të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, në makina e diskoteka, në radio e tv dhe impakti ka qenë vërtet mbresëlënës. Për këtë u jam mirënjohëse bashkëpunëtorëve të shkëlqyer dhe fansave të mi, që janë familja ime në skenë.
Cila ka qenë aventuara më e bukur e jetës tënde?
Përgjithësisht çdo udhëtim jashtë Shqipërisë për koncerte është një aventurë më vete.
Je gati të jetosh sërish një aventurë? Kush do të dojë të ishte krah teje?
Ne lindim gati për të jetuar çdo gjë… Kështu që edhe mua gati më keni. Duhet të mendoj për pyetjen e dytë dhe do të të përgjigjem në intervistën tjetër.