Intervista nga Manjola Markola/ Photoshooting: Endrit Mertiri/ Styling: Niko Komani/ Make-up: Henri Gjata (MUA)/ Hair: Flori_hairstyle
Heidi Baçi pas një viti të jashtëzakonshëm, shumë publik, me shumë vëmendje dhe klikime, me plot zgjedhje të papritura dhe vendime, ka vendosur që t’i dedikohet plotësisht jetës së saj, ku në qendër ka vendosur veten. Është përvoja, pjekuria, por po aq edhe momente të caktuara në jetë që na japin një çelës, ku hapim një derë që na mëson të shohim brenda vetes ca më shumë. Dhe të besojmë që kryevepra e vetme në jetë, jemi ne. Në këtë rrëfim që është sa i bukur dhe i thellë, aq edhe në stilin e një vajze autentike, të drejtpërdrejtë, do të keni mundësinë të shijoni një kopertinë plot dritë.
Kemi lënë pas 2 muajt e parë të vitit 2025, teksa për ty nisi vrullshëm dhe me një projekt të ri në duar. Si ka qenë kjo periudhë për ty?
Ka qenë një periudhë intensive. Shumë punë, ritëm, prova, mbledhje. Ditë dinamike dhe të dhe të ngarkuara, ku fokusi ka qenë rritja profesionale.
Në vitin që lamë pas, përjetove përvojën tënde në “BBV”. A ishte pikë kthese në jetën tënde, apo një plan i mirëshkruar dhe pa shumë surpriza në të?
Padyshim që e para. Ka qenë një rrugëtim i paparashikueshëm dhe surprizues. Hera e pare që qëndroja kaq gjatë në Shqipëri dhe në një mjedis me personazhe publike që unë nuk i njihja. Më parë, vizitat e mia këtu ishin vetëm 2 javë në verë te gjyshja në Durrës. “Big Brother” më ka ndryshuar plotësisht jetën. Si një natyrë kurioze që jam, i thashë “PO” ftesës asokohe, pa e ditur ndikimin e vërtetë që kjo eksperiencë do të kishte tek unë.
Nga një reality show në një tjetër, i njëjti format, por në vende të ndryshme, fillimisht në Itali, atje ku je rritur dhe më pas në Shqipëri. Ka kaluar kohë dhe ndoshta tani reflektimi ka marrë një formë të plotë, si kanë qenë të dyja eksperiencat për ty?
Kanë qenë përvoja të ndryshme, pavarësisht formatit të njëjtë. Në “Grande Fratello” përpos faktit që eksperienca zgjati shumë pak, kam qenë më e ftohtë dhe racionale. Nga ana tjetër, në “Big Brother VIP”, nuk kam përjetuar vetëm një eksperiencë televizive. Për mua ka qenë një përjetim gjithëpërfshirës dhe shumë emocional.
Nëse do të kishe pasur mundësinë të zgjidhje që njërën prej eksperiencave mos ta përjetoje, cila do të ishte? Do bëje një zgjedhje?
Nëse do të më duhej të zgjidhja të përjetoja vetëm njërën prej tyre, do zgjidhja “Big Brother VIP”, por sigurisht që nuk do ta përjashtoja Grande Fratello-n, sepse si eksperiencë më ka shërbyer. Më ka njohur fillimisht me publikun, kam fituar mbështetësit e mi të parë, më ka mësuar me televizionin.
Përvoja e radhës të gjen në studion e “Big Brother Fan Club”. Si e ndien veten Heidi si moderatore?
Është eksperienca e parë dhe patjetër që vjen me shumë përgjegjësi. Puna për mua nuk fillon dhe mbaron aty në studio të dielën, por është gjatë gjithë javës. Mundohem të përmirësohem vazhdimisht, sidomos me gjuhën, duke lexuar libra në shqip dhe duke pasuruar fjalorin. E ndiej veten të vlerësuar dhe të dashur, jam e lumtur për feedback-un që kam marrë dhe kjo më emocionon çdo herë që unë dal në ekran, që të vazhdoj të bëj dhe të jap më të mirën për atë që unë përfaqësoj.
Si është të jesh me personazhe që ulen në karrige përballë teje dhe flasin për të njëjtën eksperiencë që ke përjetuar ti vetëm disa muaj më parë?
Unë e kuptoj shumë mirë pozitën e tyre. Megjithatë, sigurisht që persona të ndryshëm e përjetojnë ndryshe si eksperiencë. Të përbashkëta mbeten presioni dhe vështirësia e të qenit i izoluar dhe larg njerëzve të dashur, në një mjedis me njerëz që nuk i zgjedh ti, me të cilët të duhet të bashkëjetosh. Është eksperiencë më e vështirë ngase mund të perceptohet jashtë dhe për këtë unë i kuptoj shumë mirë ndjesitë e banorëve që vijnë të ftuar në studio pas eliminimit.
I rikthehemi Big Brother-it tënd. Thonë se mes periudhës brenda dhe jashtë shtëpisës së “Big Brother”, kjo e dyta është disi më e vështirë për t’u menaxhuar. Sa e vërtetë është kjo për ty?
Për personazhe si unë që nuk ishin mësuar më parë me aq shumë vëmendje publike, padyshim që është pak i vështirë menaxhimi jashtë, por nga ana tjetër e kam ndier gjithë vlerësimin dhe dashurinë e njerëzve dhe kjo më ka bërë dhe vazhdon të më bëjë të ndihem mirë. Në çdo rast do të kesh gjithmonë të dyja anët e medaljes, kështu ndodh edhe me të qenit personazh i njohur. Nuk mund të ankohem, mundohem të marr më të mirën.
E nise sezonin e ri me “Goca dhe gra”, më pas u largove dhe titujt e parë të lajmeve ishin se ti ishe larguar drejt Italisë për mos t’u kthyer më. A pati një vendim të tillë nga ana jote?
Gjëja që ishte përfundimtare në atë moment ishte vetëm largimi nga ekrani. Siç e kam thënë dhe më parë, e kisha të nevojshme t’u jepja prioritet gjërave të tjera në jetën time. “Goca dhe gra” ka qenë përvojë e bukur, aq sa zgjati.
Më pas rikthimi për “Big Brother VIP Fan Club”, le të themi që i trazoi të gjitha ujërat. Ishte një ftesë e papritur që të riktheu nga Italia, apo nuk kishe ikur kurrë dhe thjesht po përgatiteshe për një eksperiencë të re televizive, siç është ky program?
Ftesa për në “Big Brother Fan Club” ishte krejtësisht e papritur. Nuk kisha asnjë plan dhe përgatitje për rikthim në ato momente. Më intrigoi ideja e moderimit të një emisioni, në të cilin më parë kisha qenë pjesëmarrëse. Ishte një sfidë për mua dhe përgjegjësia dhe besimi që m’u dhanë dhe më bënë të mendoj rikthimin në ekran.
Si po ndihesh, është hapësira televizive që të bën të jesh 100% Heidi?
Është një hapësirë televizive që të jep mundësinë të tregosh veten në moderim, sepse ndryshe nga “Goca dhe Gra” ku ishe me kolege dhe puntatat xhiroheshin, në “Fan Club” je vetëm dhe “live”. Ka sprovat e tij si program, sepse je gjithmonë në alert, duke qenë se krijohen shpesh situata të tensionuara mes të ftuarve, apo edhe ndryshimet e momenteve të fundit në skaletë. Në fund, padyshim që ia vlen sepse spontaniteti i “live” të jep shumë emocion.
A ke pasur situata të sikletshme gjatë “Big Brother Fan Club”? Na zbulo ndonjërën prej tyre.
Transmetimet direkte kanë gjithmonë të papritura dhe nuk ke luksin të bësh “cut” asgjë, kështu që mbetet vetëm menaxhimi i situatës. Nuk mund të them se kam pasur një moment të sikletshëm. Ndonjëherë, patjetër që e ndiej të nevojshme të vë limite.
Si është është ditë e Heidit këto kohë? Si nis dhe si mbaron?
Njëra ditë nuk i ngjan tjetrës. Ka ditë që janë të ngarkuara dhe të vrullshme në punë, që nisin herët dhe mbarojnë vonë. Ndërsa në ditët që kam mundësinë t’i organizoj vetë, e marr me qetësi, zgjohem vonë, shijoj mëngjesin, mundohem të kompensoj kohën e ditëve të tjera, duke bërë biseda të gjata me mamin në “facetime”, apo shijoj qëndrimin në shtëpi.
Rikthehemi sërish te “Big Brother VIP 3”, me cilët nga ish-banorët ke ruajtur miqësi?
Siç e kam thënë edhe herë tjetër, me Bardhin e Sarën vazhdoj të ruaj raporte të mira, miqësore. Kanë qenë gjithmonë shumë të sjellshëm dhe të dashur me mua.
Kemi parë që një mbështetje e madhe e jotja është familja, çfarë mendojnë prindërit për gjithë rrugëtimin tënd?
Prindërit janë pika ime e dobët, jam munduar gjithmonë t’i bëj krenarë dhe jam shumë e lumtur që edhe në këtë rrugëtim ia kam dalë. Ata janë suporti im më i madh, edhe pse larg. Më mungojnë shumë, por e di që edhe ata i gëzohen suksesit tim.
Meqenëse jemi po te ky rrugëtim, a ka diçka për të cilën je penduar, që nëse koha kthehej pas, do ta bëje ndryshe, ose nuk do ta bëje fare?
Asgjë, nuk do të ndryshoja asgjë.
Heidin do ta kemi rezidente të përhershme këtu në Tiranë, apo mund të ketë një largim drejt Italisë, herë pas here, ose-ose përgjithmonë?
Nuk e dimë asnjëherë çfarë na rezerevon e ardhmja. Ajo që di me siguri është që dashuria që kam marrë këtu, më ka bërë më të lidhur me vendin. Edhe nëse e ardhmja do të jetë diku tjetër, Shqipëria do të jetë gjithmonë në zemrën time.
Çfarë e bën të lumtur Heidin?
Gjërat e vogla të jetës. Një kapuçino në mëngjes, kënga e preferuar, perëndimi në det, një poezi, një gotë verë në darkë, një bisedë e thellë, një përqafim nga njerëzit e dashur, apo-apo një përshëndetje e ngrohtë nga një i panjohur në rrugë.
Ka diçka të cilën ne nuk e dimë për Heidin, pasion të fshehtë, ose lajm të ri në qarkullim? Na e zbulo!
Nuk e di sa e fshehtë mund të quhet pasioni im për poezinë dhe shkrimin. Është si terapi për mua dhe një nga gjërat që shijoj të bëj më së shumti. Herë pas here i ndaj edhe me ndjekësit. Une shkruaj në italisht ne fakt, po ata gjithmonë i përshtasin perfekt edhe në shqip.
Në poezi je ti, ndjenjat, historitë e tua? Apo jo gjithnjë qasja është kaq personale?
Patjetër që ka poezi ku jam unë, ndjesitë dhe përjetimet e mia. Ashtu sikurse ka edhe poezi për të cilat jam frymëzuar nga ngjarje dhe histori të tjera, të para sipas këndvështrimit tim. Por gjithsesi poezia është art, më pëlqen që çdo lexues e interpreton sipas botës së vet.
Ke menduar të shkruash prozë? P.sh. një libër për përvojat që të ndryshuan mund të kishte interes?
E kam menduar edhe prozën, por shpirti më rreh te poezia, pavarësisht se në disa raste është edhe poezi prozaike ajo që unë shkruaj. Por nëse do bëja ndonjë ditë një libër tjetër përpos poezisë, do ishte padyshim një libër fantazi. Më pëlqen të krijoj botë të reja. Më intrigon shumë dhe do jetë te lista e gjërave që do bëj në të ardhmen.
Çfarë bën ti, Heidi, kur do? Po kur zhgënjehesh?
Kur dua? Dua pa kushte.
Kur zhgënjehem? Së pari mundohem të vihem në këpucët e tjetrit dhe të analizoj ftohtë, pa inate e mllefe. Pastaj, nëse zhgënjimi është i madh, thjesht e pranoj, është diçka që ndodh, dhe një mësim që nxjerr.
A ka qenë fama, fat apo grackë? A zgjohesh ndonjë ditë me dëshirën për t’u kthyer në kohën kur askush s’të njihte?
Fama s’ka qenë kurrë qëllim në vetvete për mua. Ka qenë gjithmonë një pasojë e asaj që kam dashur vërtet të bëj. Mua më ka pëlqyer të bëj modeling, të shkruaj poezi, apo edhe televizion, të cilat kërkojnë një vëmendje publike. Në këtë sens ka qenë fat. Nuk dua ta shoh si grackë famën, se gjithsesi të sjell një avantazh që nuk e ke në asnjë punë tjetër, që është dashuria e madhe që merr nga njerëzit.
Çfarë pret nga viti 2025?
Pres të realizoj çdo synim dhe objektiv që kam, por jeta ka gjithsesi mënyrat e saj për të na befasuar.
*Copyright: revista “WHO”. Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë*