RRËFIMI I ARTISTES UNIKE PËR JETËN BRENDA DHE JASHTË SKENËS
Nga Eraldo Rexho / Fotot: Geljant Kaleci / Hair & Make Up: Dhurata Curri
Rrugëve të kalldrëmta të Korçës, ndanë shtëpive me arkitekturë franceze, e ulur në një “Mercedes-Benz” të bardhë, model i viteve ‘30, ajo i kthehet qytetit të lindjes me këngë. Eli Fara, pritet të publikojë së shpejti këngën e saj më të fundit “Në ke Perëndi”, një rikthim plot mall te këngët tradicionale, një pëshpërimë e melodive të vjetra të jugut, por e sjellë në kohë. Klipi (ne e kemi parë) shpërfaq një orkestër modeste, që në një fraksion sekonde të sjell ndërmend korin “Lira”, një mbrëmje korçare, shtëpinë e doktor Polenës, plakat e jugut ulur nën qemerin e portave me shaminë e zezë mbi kokë, vajzat e bukura që i gëzohen rinisë, djemtë e këndshëm që i gëzohen jetës, nën një melodi që të fton në nostalgjinë e kujtimeve, duke të dhënë njëherësh një sëmbim të gëzueshëm shprese në kraharor. Kamera vallëzon nga një imazh në tjetrin, nga Eli te figurantët, nga rruginat te shtëpitë, nga orkestrantët te detajet e veshjes së këngëtares, duke sjellë në fund një imazh të kuruar ku çdo detaj qëndron në qoshen e vet. I mirëmenduar në çdo skenë, klipi i Elit, ka zgjuar tek ajo kujtimet e pafundme të fëmijërisë, por këngëtarja bën me dije, se nuk është vetëm një klip. “Një këngë, është një histori, është një kujtim, është një film, është një gjendje – një këngë, jeton shumë më gjatë se njerëzit, kështu që duhet parë me përgjegjësi” – thotë ajo për “revistawho.com”. E tërhequr dhe modeste, Eli Fara mendon se të dalë në media nuk është “sporti i saj” i preferuar. “Mendoj se duhet të dalësh të flasësh, për gjëra që i prek vetë me dorë, për gjëra që mbeten, jo për ato që janë thjesht të momentit, por për gjëra që bëhen për të mbetur përjetësisht”. Në një intervistë për revistën, ajo rrëfen ditët e saj të verës, pushimet, marrëdhëniet me të bijën, shkëputjen prindër-fëmijë, dhe mallin e bartur në vete ndër vite, atë mall e paqe që ia jep vetëm Korça.
Vini para artdashësve, me një këngë të re të titulluar “Në ke Perëndi”, ku vihen re motivet tradicionale, dhe me një klip të xhiruar në Korçë. Pse një këngë me melos shqiptar?
Ndonjëherë, gjërat vijnë vetë, në kohën e duhur, në çastin kur ti e ndjen se ka ardhur koha. Në vijim të këngëve të reja që unë kam sjellë, që janë të gjinive të ndryshme, mendova se kishte ardhur momenti dhe më kishte marrë malli për folkun shqiptar, ai me të cilin unë e kam filluar karrierën time dhe që është një nga anët më të forta të miat.
Them se duhej ta bëja, kisha filluar të ndjeja një lloj nostalgjie. Mendoj se edhe publiku e pret këtë, sepse shpesh më thonë: këngët i ke shumë të bukura, por ah, si ato të vjetrat…
Kush i ka bërë tekstin dhe muzikën e këngës?
Tekstin e bëri Jorgo Papingji, një nga poetët më të mirë, me të cilin unë kam një bashkëpunim të hershëm që e çmoj shumë. Muzika është e Adi Hilës, me të cilin vijoj bashkëpunimin pas disa këngëve shumë të mira. Orkestrantët janë ndër më të mirët, që kanë luajtur ‘live’ gjithë muzikën. Muzika është e gjitha e pastër, të vjen i pastër folku shqiptar, melodia e jugut.
Ka edhe figurantë?
Po, ka figurantë. Janë edhe vetë instrumentistët pjesë e klipit. Janë interpretuar të gjitha pjesët muzikore enkas për këngën, pjesët me lahutë, me dajre, e jo vetëm. Mendoj se është një material që tërheq.
Është një këngë ftuese, e qetë, që të fut në atmosferën e vet. Kësaj atmosfere i shtohet edhe një klip i xhiruar në rrugicat dhe në bulevardin e Korçës. Si u mendua e gjithë fabula?
Po. Kur bëra këngën, mendova që klipi t’i përshtatej. Sigurisht, mund të ishte bërë në linjën e këngëve të fundit dhe vijnë mirë. Por, më pëlqeu më shumë ideja e një klipi në Korçë, i cili u qëndron shumë mirë motiveve folklorike të këngës.
Shfaqeni në rrugica, në makinë, por edhe brenda një prej shtëpive më të bukura të Korçës.
Ajo është vërtet një nga shtëpitë më të bukura të Korçës dhe një nga më të vjetrat. Është shtëpia e doktor Polenës, me një stil të këndshëm francez, me një arkitekturë të veçantë. Prej kohësh, ia kisha vënë syrin dhe mendoja që brenda saj të xhiroja një klip. Mendova se për klipin e këngës “Në ke Perëndi”, kishte ardhur rasti i artë.
Veshja juaj është sërish brenda motiveve popullore. Kush është kujdesur për të?
Është kujdesur Joni Peçi. Janë dy fustane, një i zi dhe një i kuq, të dyja me motive popullore. I kisha parë në fotografi, dhe i ziu më pëlqeu shumë. I vesha vjet te Festa e Flamurit dhe ndihesha mirë, më pëlqente vetja, dhe kur do punoja për këngën, mendova se ishin veshjet e duhura për të. Nuk mendoj se mund të gjeja veshje më të bukura se ato dy fustane për këtë lloj kënge e klipi.
Cilat janë ndjesitë që ju kanë përfshirë gjatë ditëve të xhirimit: në makinën e bardhë që ecën rrugëve të kalldrëmta, kur hapni portën e shtëpisë?
Është e vërtetë që, sa herë që shkoj në Korçë, bëhem nostalgjike. Më kujtohen kohë të ndryshme, vitet e fëmijërisë, fillimet si këngëtare, njerëzit, dashamirësia, mirënjohja, përkrahja. Sa herë që shkoj atje, para se të arrij në shtëpinë e prindërve, dal në Korçë dhe bëj një xhiro në rrugët kryesore.
A ju mbush shpirtërisht Korça?
Sigurisht që po! Këtë herë, ngaqë xhirova, m’u kthyen shumë kujtime, nga fëmijëria e rinia dhe nga koha kur sapo u bëra e famshme. Më erdhi ndërmend dashuria e njerëzve. Ndërsa xhiron nëpër rrugë, familjet e Korçës dalin, të përqafojnë, të thonë, ‘eja të të bëj një kafe’, ‘ne jemi këtu për çfarë të të duhet’, u hapën të gjitha dyert, shumica dilnin miq e kushërinj dhe na kujtonin, takimet apo njohjet, jetën e përditshme. E gjitha kjo, po, më mbushi vërtet.
A ju ndodh edhe juve, kur ktheheni në Korçë, të mendoni se 10 vitet e para të jetës, pra ato dhjetë vitet e fëmijërisë, janë aq të rëndësishme sa shënjojnë gjithë pjesën tjetër të jetës, duke filluar nga karakteri?
Është e vërtetë. Ndikon shumë mënyra e të jetuarit, në një ambient ku lind, edukohesh e rritesh. E ndjen herë pas here. Dhe kur shkoj atje, unë them: nuk ka si këta njerëz! Unë jam një figurë publike dhe më shohin të gjithë, dhe ngaqë më kanë parë shpesh, u dukem sikur jam e shtëpisë së tyre. Është një marrëdhënie shumë njerëzore dhe e bukur. Mbushesh me mirësi atje. Atje është magji çdo gjë: mënyra si të shohin, mënyra si të përshëndesin, kujtimet që ke vetë në ato rrugë, në ato lagje, fytyrat e njerëzve që kanë ndryshuar ndër vite.
Edhe kënga e përcjell nostalgjinë?
Po, në melodi, në atmosferë, ngjan si ato këngët e vjetra që kemi trashëguar e nuk përsëriten më. Unë përpiqem të kem qeliza të atyre këngëve.
E ndjeni në koncerte, që janë këto këngë, pra motivet e vjetra, që duhen më shumë, që kërkohen më shumë?
Po, kjo ndodh më shumë jashtë Shqipërisë. Ata që nuk jetojnë këtu, që e kanë lënë vendin e tyre, kanë mall, kthehen te bërthama, duan tradicionalen, populloren, atë që i përfaqëson. Atje e ndjej emocionin për çdo këngë popullore që këndoj. Më vjen mirë që edhe këtu ka ndodhur. Unë nuk dal shumë, por të paktën në ato pak vende ku kam qenë, si te “Crazy Calvin” apo “Cavaliero”, kam vënë re që, kur këndohen këngë popullore, pëlqehen. Kur ka këngë popullore, të gjithë ngrenë duart lart, brohorasin dhe kërcejnë apo këndojnë. Njeriu, ngado që të shkojë, kthehet në “vendin e vet”.
Ku do shfaqet kjo këngë?
Ky klip është realizuar nga “Provideo Albania” dhe mendoj që do transmetohet në të gjitha kanalet. Unë do përpiqem ta promovoj.
Ju, dilni shumë rrallë në media, në intervista. Pse jeni kaq e tërhequr?
Mendoj se njeriu duhet të dalë kur ka diçka për të thënë. Unë nuk dua të dal vend e pa vend, vetëm sepse duhet të dal. Shpesh, gazetarët të nxjerrin edhe pa ditur gjë ti. Krijohen skenarë a tituj që janë abuzivë në një farë mënyre. Unë nuk jam nga ato që dua të dal ditë përditë dhe të lodh njerëzit me ‘ja kush jam unë’. Njeriu del kur ka diçka të re për të thënë, merr kënaqësi dhe nuk i lodh ata që lexojnë apo ata që dëgjojnë.
Kjo është pjesë e natyrës suaj, sepse jeni e njëjta edhe në art?
Mbase. Unë nuk dua të dal kot. Kur kam një këngë të re, dua që ta promovoj, dhe të marr edhe kënaqësinë e punës që kam bërë. Por kaq, pa e tepruar. Mendoj se duhet të dalësh të flasësh, për gjëra që i prek vetë me dorë, për gjëra që mbeten, jo për ato që janë thjesht të momentit, por për gjëra që bëhen për të mbetur përjetësisht. Ato që vlejnë edhe për kulturën, edhe për artin. Një këngë, është një histori, është një kujtim, është një film, është një gjendje – një këngë, jeton shumë më gjatë se njerëzit, kështu që duhet parë me përgjegjësi. Unë tani, kur krijoj, kur bëj këngë, mendoj edhe ata që do e dëgjojnë pas disa vitesh. Nëse dëgjoj një trevjeçar që këndon fraza nga këngët e mia “Me mua mos”, ose “Dënglat”, gëzohem dhe them ‘e fitova edhe këtë brez, kënga ime do jetojë gjatë’. Një këngë, që është këngë e mirë, kalon breza të tërë, ndaj është përgjegjësi e madhe dhe kënaqësi.
Ju përmendët përgjegjësitë dhe pasionin për t’u marrë me këngën, melodinë, tekstin. Në këtë kuptim, ju i përshtateni edhe me një veshje të hijshme, të fisshme, serioze, ndryshe nga shumë këngëtare që preferojnë të tregojnë hiret?
Varet nga natyra. Jam natyrë shumë serioze, që më pëlqen sportivja, por adhuroj klasiken më së shumti. Hiret e një femre dalin edhe po të jesh tërësisht e mbuluar, dalin përmes dritës së syrit, linjave, buzëqeshjes. Është çështje natyre, formimi, karakteri.
A keni qenë gjithnjë kështu, me këtë natyrë, përtej asaj që sheh publiku?
Kështu kam qenë. Me kohën njeriu ndryshon, por ndryshon për të perfeksionuar atë që ka, jo për ta ndryshuar. Synon të kurojë ato që ka, pa i ndryshuar tërësisht ato, vetëm duke i përmirësuar.
Në fillim, në skenë kisha shumë emocione. Shumëkush mund të thotë që, unë kam shumë vite në skenë dhe tani duhet të mësohem me emocionet, ose nuk duhet të kem më emocione. Por, emocionet sa vijnë e shtohen, sepse, sa më shumë vite të kalojnë e sa më shumë eksperiencë të kesh, aq më shumë i shikon detajet. Dikur, unë vrapoja nëpër skenë dhe nuk pyesja se kishte publik apo se kishte njerëz. Ndërsa sot, jam më e përqendruar, më e përgjegjshme.
A ia ke përcjellë të gjitha këto vajzës, a ngjani?
Jo, nuk është natyra ime, edhe pse është vajza ime. Shpesh, gjërat në jetë nuk imponohen. Njeriut me të cilin jeton, edhe pa dashur i ‘vjedh’, ‘i merr’ anë të karakterit a sjelljes, mënyrën e të folurit a komunikimit. Unë besoj se ajo ka marrë nga unë shumë gjëra. Ajo është rritur me mua, por është absolutisht njeri tjetër.
Si ka ndryshuar raporti juaj ndër vite? Fëmijët, sa më shumë të rriten, aq më shumë shkëputen, largohen nga prindi, edhe nëse jo fizikisht; ju, e ndjeni këtë?
Unë jam e një brezi, që u jemi përshtatur kushteve në të cilat jemi rritur. Ka qenë një mënyrë jetese tërësisht tjetër, ndaj jemi bërë edhe më të fortë. Unë jam larguar shpejt nga familja dhe nuk më bën përshtypje kjo. Fëmija duhet të rritet, duhet të bëhet i pavarur nga prindi, dhe mua më pëlqen kjo. Është një brez tjetër që i do prindërit shumë afër. Eksperiencat janë gjithnjë personale. Ne jemi shkëputur shpejt, dhe kemi ikur, jemi bërë të pavarur, jemi rritur ndryshe. Ndërsa ata që janë sot 30 vjeç, janë si adoleshentët 17-vjeçarë të asaj kohe.
Si kanë qenë pushimet tuaja këtë verë?
Këtë verë nuk është se kam bërë pushime të mirëfillta, nga ato që shkon diku dhe e stakon trurin. Më shumë kam pritur njerëz, që kanë ardhur nga jashtë, miq e të afërm. Vijnë rrallë dhe jam kënaqur me ta, kemi dalë e kemi qëndruar bashkë. Miq të ndryshëm. Më pas, kanë qenë koncerte të ndryshme, brenda e jashtë Shqipërisë, në jug, në Kosovë, në Maqedoni, si edhe dasmat. Pra nuk kam pushuar në kuptimin e plotë të fjalës, por kam shijuar ato ditët e pakta kur gjendesha në shtëpi. Ditët që më mbeteshin lirshëm kam pasur dëshirë të pushoja.
Si është një pushim për ju në verë, koha për veten, deti, kohë për të menduar, kohë për të ndjerë paqe, për të rimarrë energji?
Mua më pëlqejnë më shumë pushimet e dimrit. Do kisha më shumë dëshirë të shkoja në një mal me dëborë sesa në pushime gjatë verës. Jam e kënaqur kur jam në punë, nuk e kam problem se nuk kam shumë pushime. Një ditë është mjaftueshëm, të nesërmen dua të shkoj të punoj diku.