Nga Iva Tiço / Fotot: Pirro Beati
Të jesh vëllai i Turjan Hyskos ka të mirat dhe të këqijat e veta. Sepse mund të rrezikosh që të njihesh gjithë jetën thjesht si “vëllai i Turit”. Dhe e ke shumë të vështirë të flasësh e të marrësh fjalën, kudo ku të jesh, sepse Turi flet i pari, qesh i pari dhe me zë më të lartë (kjo nuk vlen vetëm për të vëllain, Eljon, por për gjithë ne të tjerët, po nejse, ky do të ishte një tjetër shkrim).
Po e mira cila është, do të pyesnit ju? Epo ja, që ndonëse nuk ke shumë zë për t’ua prerë fjalën, e di që ai Turi afër teje është shpirt njeriu (dhe për fat, as kjo nuk vlen vetëm për Eljon, por për ne të gjithë) dhe Eljo këtë e ka ndjerë sidomos në momentet e fëmijërisë, kur ka pasur më shumë nevojë dhe që ai vëlla vetëm tetë vjet më i madh, të merrte edhe rolin e të atit që u nda nga jeta shumë herët. E ka provuar nëpër vite dhe sidomos tani, kur të dy janë djem të rritur, sekush në shtëpi më vete, por të lidhur shumë më tepër sesa kur flinin në të njëjtën çati. Dhe atij rrezikut të të njohurit si “vëllai i…”, Eljo Hysko iu shmang fare pa dashur, duke u bërë i njohur me vete, me emrin e tij. Tashmë kryetar i “FRESSH” e anëtar i Parlamentit, mjaft aktiv në fushatën elektorale të saponisur, i deleguar në zonën 5, në zemër të Tiranës, po rrezikon që ta bëjë Turjanin të njihet si “vëllai i Eljos”. Për Turin kjo do ishte një lumturi shumë e madhe, por duke e njohur, nuk është nga ata që do të zhduket ndonjëherë përfare nga ekranet, edhe pse së fundmi nuk është në pjesën e dukshme, por pas tij, si producent i “Klanifornia”-s dhe drejtues i kanalit “Klan Plus”. Por gjithsesi, pranon të shfaqet në një intervistë (i ka vërtet shumë të rralla) në revistën “WHO”, bashkë me Eljon, dhe tani që po mendohem, të gjitha intervistat ia paskam bërë vetëm unë (ju thashë që është djalë flori, edhe pse na e pret fjalën…). Ka folur sigurisht edhe në këtë intervistë pak më shumë se Eljo, por ka folur edhe për të. Duken shumë të ndryshëm për disa gjëra, por janë të ngjashëm në shumë të tjera. Sidomos për humorin dhe ngacmimet, ku Eljo nuk ka sigurisht fare hijen e dikujt që merret me politikë. Dhe nuk duket se do ta ndryshojë ndonjëherë këtë natyrë.
A mund të quhet që jeni shokë ju të dy? Apo është një marrëdhënie që ndryshon nëpër vite, duke pasur momente më të shkëputura dhe momente miqësie?
Turi – Më parë nuk e kam menduar që mund të bëheshim shokë, pasi përveç diferencës disi të madhe në moshë, rrethanat që na erdhën në jetë më “detyruan” të merrja një pozicion pak autoritar kundrejt Eljos, ama me kalimin e kohës gjërat u zbutën, Eljo u rrit dhe tani mund ta them që jemi shokë!
A e mban mend Turi kur lindi Eljo?
Turi – Tani, fiks fare nuk e mbaj mend, por mbaj mend ditën që erdhi në shtëpi. Të them të drejtën, nuk doja ta ndaja vëmendjen me një tjetër, po ç’ti bënim?! Nuk kisha zgjedhje tjetër.
A doje ti edhe prindërit një motër dhe a u zhgënjyet kur në shtëpi erdhi një bebe tjetër çun?
Eljo erdhi në jetë atëherë kur mami dhe babi nuk e prisnin, pra pas 8 vitesh dhe ishte bekim i madh. S’kishte asnjë rëndësi nëse ishte djalë apo vajzë. Thjesht mund të quhej Elja!
Ishe xheloz?
Në fillim po, por pastaj filloi të më pëlqente! Ishte i lezetshëm! Ishte si “hulk” në miniaturë.
Po Eljo a bindej dhe e kishte frikë vëllain e madh?
Eljo – Nuk më dukej që duhet ta kisha frikë për ndonjë gjë. Unë për vete isha në rregull.
Turi – Jo! Ka qenë super kokëfortë! Unë e di ç‘kam hequr për ta vënë në brazdë! Çuditërisht në adoleshencë ndryshoi për mirë. Aty mori peshë fjala “vëllai i madh”.
Keni qenë të prapë dhe e keni munduar mamin?
Turi – Duhet pyetur mami, s’kam asnjë koment!
Eljo – Mami ka veç fjalë të mira.
Kush ka qenë më i urti dhe kush më “i tmerrshmi”?
Turi – Eljo është i shtruar, i qetë, shpërthen rrallë, ka tendencën të dëgjojë, të flasë pak. Ndërsa për mua mjafton të kthesh mbrapsht këto që thashë për Eljon.
Eljo – E dini vetë.
Cila ka qenë loja juaj e preferuar kur ishit të vegjël?
Turi – Unë jam brez cinglash dhe lojrash para pallatit!
Çfarë donit të bëheshit atëherë dhe si e imagjinonit që do të ishte e ardhmja?
Turi – Unë i vogël kam menduar gjithmonë që do angazhohem në politikë dhe boks. Televizionin nuk e kisha menduar kurrë!
Eljo – Gjysma doli, me politikë po merrem unë.
Cili nga ju të dy ka qenë pika e dobët e mamit?
Turi – Besoj unë!
Po më i lidhur me mamin?
Turi – Me periudha të caktuara. Një gjë është e sigurt, Eljo ka qenë i lidhur shumë me babin.
Mesa Turi ka treguar nëpër intervista më parë, jeta juaj ndryshoi pasi babi u nda nga jeta. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për dhimbjen dhe mungesën fizike… Nga çfarë u desh që Turi të hiqte dorë?
Turi – Unë hoqa dorë nga vazhdimi i studimeve jashtë. Kjo është e vetmja gjë! Gjëja tjetër, që në fakt automatikisht iku, ishte ajo ndjesia që 20 vjeç të lejohet gjithçka. Ditën që më duhet t’i tregoja Eljos 12 vjeç, që babi nuk jetonte më, ai s’më la të flas dhe tha: “Unë e di që babi nuk jeton më, por ja tani do jesh ti si babi”. Aty s’e di pse gjeta një forcë të pakuptimtë, s’e di nga buroi dhe thashë “misioni është veç familja”! E tani, falë mamit, falë vetes dhe Eljos mendoj që babin e kemi bërë disi krenar!
Dhe çfarë mundësish pati Eljo më shumë, me mbështetjen e vëllait të madh?
Turi – Të flasë Eljo.
Eljo – Turi e di mirë se si për mua ka qenë çdo gjë më e thjeshtë sesa për të. Thjesht nuk më ka munguar asgjë dhe kam pasur gjithë mbështetjen familjare të mamit dhe Turit, siç e ka çdokush në familje.
Cila ishte puna e parë e Turit kur erdhët nga Berati?
Turi – Kamarier kam punuar.
Po Eljo a ka pasur ndonjë prirje artistike?
Eljo – Kam, por nuk jam marrë asnjëherë me këto prirje.
Turi – Eljo pretendon që po, por unë jua garantoj që jo.
Sa shpesh takoheni? A flisni çdo ditë në telefon?
Eljo – Flasim çdo ditë, takohemi se s’bën dy ose tre herë në javë.
Për çfarë flisni më shumë dhe cila është ajo gjë që ju pëlqen më shumë të bëni së bashku?
Turi – Tani flasim për gjithçka dhe më lumturon shumë ky fakt, që e shoh vërtet të rritur! Tani që po e mendoj, nuk është se kemi një ritual tonin, sepse unë jam pak problematik.
Eljo – Gjëra normale vëllezërish flasim, kur ka kohë Turi dhe kur dëgjon.
Si nisi përfshirja e Eljos në politikë?
Turi – Ka nisur në moshë shumë të vogël, në gjimnaz! Unë kisha merak që të rrinte larg veseve dhe çdo gjë që i merrte kohë, për mua ishte ok. Një ditë më kërkon që do të angazhohet në “FRESSH”. Nuk m’u duk ide e keqe. Pastaj pas ca kohësh u zgjodh sekretar i përgjithshëm dhe e ngacmoja “O Gramoz i vogël”. Një periudhë të caktuar ndodhi që vërtet nuk u mora fare më se çfarë ndodhte me angazhimin e tij: zero info. Një ditë të bukur, më vjen dhe më thotë “unë do të kandidoj për kryetar të FRESSH”. Ngela… S’dija ç’ti thoja! I thashë: “Fiton?!” – “Po”,- më tha dhe më erdhi me një tufë të madhe letrash, dosjesh, projekte, ide, etj! Pjesa tjetër është “classified”… Dhe u zgjodh kryetar i “FRESSH”! Një moment lumturie në familje. Shumë emocion. Aq emocion, sa kur më përqafoi desh ma theu hundën!
Elio – Gjithnjë kam qenë i ri i angazhuar në shoqëri. Fillimisht nisi në një organizatë të shoqërise civile, të quajtur “Përtej Barrierrave”. Viti 2012 ishte një vit i vështirë, një vit që kërkonte angazhimin e të rinjve për të sjellë një ndryshim të situatës sociale dhe politike dhe aty vendosa të bëhesha pjesë e “FRESSH” dhe “PS”, për të dhënë kontributin tim. Sjellja dhe natyra e njeriut kuptohet në mënyrën sesi sillet me ata me të cilët nuk ndan.
Si është për Eljon politika e sotme? A janë të rinjtë më të mirë?
Eljo – Nuk besoj se që të jesh i ri është garanci për të qenë një politikan i ri! Sipas meje politika është vokacion, në çdo moshë qofsh. Nëse nuk e sheh veten në funksion të komunitetit ku jeton, atëherë gjej profesion tjetër. Për mua personalisht është diçka fantastike, edhe pse anatemohet shumë. Në fund të ditës, ndjesia që merr pasi ke takuar njerëzit, ke dëgjuar hallet e tyre, je munduar t’i ndihmosh, është një ndjesi e bukur.
A është Eljo një politikan ndryshe?
Eljo – Jo! Unë pretendoj të jem një ndër socialistët e mirë të forcës më progresive në Shqipëri.
Sa ka ndryshuar Eljo, që nga koha kur merrej thjesht me organizimin e aktiviteteve të “FRESSH”, deri tani që është anëtar i Parlamentit?
Turi – Është pjekur shumë. Një gjë ia kam qejf, i pëlqen të takojë njerëz! Uroj mos ta ndryshojë në të ardhmen. Ka dhe një defekt; nuk i pëlqen shumë të dalë në televizion.
Eshtë bërë më serioz dhe ka ndryshuar gardërobën përshembull?
Eljo – Për herë të parë kostumin e kam veshur në dasmën e Turit dhe Orindës. Hera e dytë ka qenë në Parlament. Sigurisht që përpiqem të jem sa më formal, por të jem i sinqertë nuk ka gjë më të rehatshme se ‘conversat’ dhe një palë xhinse me ‘hoodies’.
Turi – Natyrën s’e ka ndryshuar! Me gardërobën e kemi hall të madh. Vetëm Orinda mund të merret me të.
Tani që Eljo është pjesë aktive e politikës, a e “censuron” Turin për të mbajtur qëndrimet e tij?
Turi – Hahaha! Mua nuk më censuron dot askush. Çështje parimesh. Të them të drejtën, besoj që edhe vetë Eljo s’e ka çuar kurrë nëpër mend ta diskutojë diçka të tillë.
Eljo – Sigurisht që mua ma ka kursyer satirën që bëhet në “Klanifornia”, por përsa i takon pjesës tjetër të aktualitetit politik, gjëja më e shëndetshme që mund t’i ndodhë, është humori.
Nëse Turi do ta ftonte Eljon, siç bën me personazhe publike në “Klanifornia”, çfarë roli mund t’i besonte?
Turi – Interesante kjo! S’e di, një rol doktori urgjence.
Eljo – Rolin e producentit!
A lë Eljo gjëra përgjysmë për të parë në ekran emisionet e Turit?
Turi – Më parë i shihte me lupë, tani ma ka pirë lëngun!
A ndodh t’i thotë ndonjëherë “ia ke fut kot” apo të bëjë vërejte?
Eljo – Kam qenë fansi nr.1 i “Produkt 28” dhe i çdo emisioni të Turit dhe do jem sa kohë Turi investon pasion në to. Në familjen tonë ka hapësirë vetëm për të vërtetën dhe midis ne të katërtve sugjerimet apo komentet për punën e gjithsecilit janë gjithmonë në funksion të përmirësimit.
Turi – Po, po, Eljo më bën vërejtje! Ia kërkoj dhe vetë.
Apo hija e vëllait të madh…
Turi – Kur jam me shumë nerva, ai tërhiqet. Aty del ne pah hija.
Turi për çfarë ndodh t’i ndërhysh apo t’i sugjerosh Eljos?
Turi: Tani, të them të drejtën, prej rrethanave më duket sikur kam ndërhyrë shumë dhe jam i lumtur që mos t’i fus më hundët, sepse vërtet besoj që s’ka nevojë. Është bërë vërtet burrë! Edhe pse flasim për gjithçka bashkë, nuk mërzitem nëse idetë e mia nuk m’i merr për bazë.
Po jashtë politikës për shembull, a i thua që të gjejë një vajzë si Orinda?
Turi – Tek pjesa rozë është e çuditshme, por flet më shumë me Orindën se me mua! S’e marr vesh pse…
Apo e ke gjetur Eljo?
Turi – Të flas a të mos flas!? Duhet pyetur zotëria!
Eljo – Po, jam në një lidhje ?.
Si shkon Eljo me Orindën?
Turi – Janë njësoj. S’kanë lajka për njëri-tjetrin, s’kanë ‘shpirti’ ‘zemra’, pooor e di që e kanë shumë xhan njëri – tjetrin! Plus Orinda ia ka vjedhur zemrën që në fillim, gatuan shumë mirë! Ky s’ka pasur motër dhe ja u zgjidh.
Nga gjërat e postuara për shembull ngjani pak me treshen e famshme William, Kate dhe Harry, përpara se të futej në mes Meghan… Apo s’ka Meghan që t’ju ndajë ju?
Eljo – Orinda është familja ime dhe të jem i sinqertë jemi me shumë fat që e kemi. Jam i bindur që dhe partnerja ime do jetë e njëjtë për Orin dhe Turin.
Turi – Herën e fundit që bëra seriologjikun s’më doli blu gjaku, megjithatë ty të lumtë goja! Të bëhemi njëherë si këta më sipër, se dhe ia gjejmë anën Meghan-it, pa merak. E zbusim, se jemi nga Berati! /revistawho.com