Fotot: Françeska Shirka – www.franceskashirka.com / Make Up: Arbër Bytyqi
Ajo jep përgjigje të mençura, prej të cilave kuptohet që e ka zbuluar çelësin e suksesit. Po flasim për shqiptaren e parë që theu rekorde në rrjetet sociale, për vajzën që po arrin 1 milion ndjekës në “Instagram”. Quhet Ruensa Haxhiaj, është vetëm 20 vjeç dhe të gjithë nëpër botë e njohin si Enca. Themi nëpër botë, sepse tashmë emri i saj po merr famë ndërkombëtare. Me një vokal të veçantë, e bukur dhe me një talent të lindur si performuese, këngëtarja ka bërë për vete shumë të rinj. Dihet që fama sjell me vete edhe disa efekte anësore, siç janë thashethemet apo lajmet e pavërteta. Mos mendoni se Enca nuk i lexon meqë është e angazhuar me koncertet e saj, përkundrazi, ajo shpesh edhe nevrikoset apo mërzitet me to. Por në përgjithësi, teksa e dëgjon kupton se bukuroshja e skenës ka fituar një lloj paqeje dhe po i lë fjalët të rrjedhin. Ndaj ne u ndjemë të vlerësuar, sepse Enca vendosi të flasë në “revistawho.com” për të sqaruar gjithçka. Të gjitha lajmet e çuditshme që keni lexuar, dëgjuar dhe diskutuar përgjatë vitit 2015, sepse ky ka qenë viti i Encës. Virgjëria, operacionet, fotoshopi, dashuria, paratë… Enca jua zbulon të gjitha të vërtetat, duke rrëfyer edhe për atë çka e pret në 12 muajt e ardhshëm.
Enca, po mbyllet një vit që për ty ka qenë…
Viti më intensiv i jetës sime. “Intensiv” është vërtetë fjala e duhur, sepse ka qenë tejet i stërmbushur. I kam provuar të gjitha emocionet brenda hapësirës kohore të një viti, nga më të bukurat tek më të këqijat. Por padyshim do e cilësoja si vitin tim më të bukur dhe të suksesshem deri tani, sepse kam filluar të realizoj ëndrrën time. Them filluar sepse synimet e mia shkojnë shumë më larg se kaq. Kam marrë dashuri pa fund nga fansat kudo që kam udhëtuar e mbajtur koncerte në Europë dhe jo vetëm. Kam takuar njerëz të rinj pafund, eksperienca të reja, çdo ditë ka qenë ndryshe nga tjetra, e mbushur me adrenalinë e emocione, dhe mbi të gjitha kam mësuar shumë. Pavarësisht se e konsideroj vetëm si fillimin tim, i jam shumë mirënjohëse Zotit!
A ke kujtime të këqija nga viti që lamë pas?
Do t’i quaja momente të pafata dhe të vështira. Në aspektin profesional kujtimet e këqija kanë të bëjnë me vonesat apo zvarritjet e projekteve nga bashkëpunëtorët jokorrektë. Problemet teknike të fluturimeve, ku më është dashur të bëj 5 fluturime brenda 24 orëve dhe humbja e ndonjë koncerti apo bagazhi si rezultat i kësaj. Mbi të gjitha këto gjëra të lodhin, por supersuksesi që shfaqjet e mia kanë pasur këtë vit si me audiencë edhe me atmosferë i ka kompesuar të gjitha. Të qenurit gjithë kohës nën “lupë”, nën vëmendje konstante, ndonjëherë më ka ndryshuar gjendjen emocionale duke më tensionuar, ose shkaktuar ndonjë mërzitje momentale. Ka qenë e pamundur të kaloja një dite larg “gojës” së medias ku shpesh janë shkruar dhe gjëra të pavërteta apo tendencioze. Sado që përpiqem ta mbaj jetën personale të shkëputur nga jeta publike, ndonjëherë situata vështirësohet. Duhet të jesh shumë e kujdesshme dhe e vëmendshme për të kuptuar kush është aty për Ruensën dhe kush për Encën këngëtaren.
Je zënë me njeri? Merzitesh për shoqëritë e prishura?
Sigurisht që edhe prej profesionit që kam, kontaktet me njerëz të ndryshëm janë të shumta dhe të përditshme, por shumica janë profesionale dhe unë e stafi im përpiqemi të jemi korrektë në maksimum nga ana jonë. Si pasojë e një pune intensive dhe të pandalshme edhe momentet më të tensionuara apo debatet e vogla kanë qenë të pranishme, por pa e kaluar limitin e etikës. Sa i përket shoqërisë sime, rrethi im është i vogël dhe i mrekullueshëm. Miqtë e mi të vërtetë janë ata që i kam pasur prej vitesh. Kam edhe miq të rinj, por ata janë gjithmonë të fshehur, do të thotë nuk janë pjesë e showbiz-it apo e televizionit. Miq nga showbiz-i mund të konsideroj vetëm 2-3 persona, por përgjithësisht me të gjithe kolegët kam marrëdhënie shumë korrekte dhe të respektueshme.
Çfarë të pëlqen më shumë nga puna që bën?
Pikërisht ajo që bëj. Një shprehje thotë “pasionin shndërroje në profesion dhe nuk do të të duhet të punosh asnjë ditë në jetë”. E kam ëndërruar këtë profesion që e vogël dhe kam punuar shumë për të, pra ka qenë ajo që kam dashur gjithmonë. Nëse duhet të flas për detaje, më pëlqen shumë fakti që nuk është punë monotone por me rrisqe, sepse asnjëherë nuk mund të parashikosh ditën e nesërme. Muzika është art dhe mbi të gjitha më lejon të shpreh veten në maksimum. Më pëlqen të argëtoj njerëzit, t’i bëj të ndihen mirë me muzikën time dhe ndihem shumë e lumtur kur marr komente prej të rinjve që thonë se i kam inspiruar të ndjekin ëndrrat e tyre. E çfarë mund të kërkosh më shumë nga “puna” jote?!
Do të jetë kënga profesioni yt deri në plakje?
Një gjë është e sigurt, gjithmonë do të jem artiste dhe do ta dua atë që bëj.
Do tërhiqesh nga muzika në një moshë të caktuar?
Ndoshta në një moment të jetës sime mund të tërhiqem nga skena si këngëtare dhe performuese por kjo s’do të thotë që do të heq dorë nga muzika. Planet për të ardhmen janë hapja e një kompanie muzikore për menaxhimin e artistëve të rinj.
Ti studion për marrëdhënie publike, në sytë e tu çfarë gabimesh bëjnë artistët shqiptarë në marrëdhënie me publikun?
Baza e marrëdhënies me publikun është komunikimi dhe komportimi me audiencën. Njerëzit duhet të kuptojnë se çfarë artistët duan të shprehin dhe tek e fundit askush nuk do ta pëlqente një artist arrogant.
Mendon se është i rëndësishëm PR-i?
Absolutisht që po!
A do t’i ofroje asistencë kolegëve të tu?
Siç e përmenda më sipër, ëndrra ime për të ardhmen e largët është themelimi i një kompanie për menaxhim artistësh të rinj. Unë kam filluar karrierën si një artiste e re me pasion shumë të madh por pa mbështetjen apo orientimin e duhur. Besoj se do të di t’i drejtoj më së miri talentet e rinj që mbi të gjitha kanë këmbënguljen, por kjo sigurisht pas një karriere shumëvjeçare si këngëtare në skenë.
Çfarë po ndodh me muzikën tënde, po mendon për diçka të re?
Për momentin kam më shume se 20 demo të cilat përpunohen dhe rishikohen vazhdimisht për të nxjerrë më të mirat. Të punuarit në studio është esenciale për mua pasi në këngët e mia jam gjithmonë bashkëautore në muzikë dhe tekst. Kënga e re del në fillim të 2016-tës.
Je dakord ti me rregullin e pashkruar, që thotë se ‘me rëndësi është të prodhosh muzikë, edhe nëse ajo s’ka sukses’?
Arti ka qenë gjithmonë mënyrë të shprehuri nëpërmjet tingujve, pamjeve vizuale, etj. Por unë mendoj që muzika profesionale, kontemporane të cilën njerëzit e ndjejnë dhe e pëlqejne do të jetë gjithmonë e suksesshme.
A mund të quhet 2015-ta viti i Encës?
Mediat e kanë cilësuar si të tillë… Personalisht nuk e shoh këtë aspak si konkurrencë për të fituar ndonjë çmim. Vërtetë mendoj që muzika në Shqipëri ka ecur shumë dhe kemi artistë të talentuar, sidomos të rinjtë. Jam vërtetë e lumtur që ne kemi muzikë të mirë, dhe që unë kam kontribut në të.
Çfarë të ka mbetur peng që nuk e bëre dot dhe ke në plan ta realizosh në vitin 2016?
Pushimet e verës, të cilat planifikoj t’i realizoj në janar të 2016-tës në ndonjë vend të nxehtë (qesh). Sa i përket muzikës, mund të them se ndihem e realizuar dhe shumë entuziaste për vitin 2016, të cilin e kam planifikuar tashmë. Po përpiqem që të bëj hapa të sigurtë. Besomëni që 2016-ta do të jetë bombë!
A ke bërë një listë me detyra e dëshira për vitin e ri? Do të na i tregosh?
Dëshirat e mia janë pothuajse të njëjtat këto vitet e fundit…
Dua të jem gjithmonë e lumtur pranë njerëzve të mi të dashur, dëshiroj që Zoti të më mbajë në udhën e duhur dhe të kujdeset për mua siç ka bërë deri tani, të jem e rrethuar me dashuri dhe pozitivitet. Lista me detyrat për veten është e gjatë, por përgjithësisht dua të punoj që në fund të 2016-tës të jem një njëri më i mirë dhe një artiste më e madhe. Ka gjithmone vend për të përmirësuar.
Enca je një nga personazhet më të diskutuar në showbiz. Çfarë nuk është thënë e nuk është shkruar për ty… Je dakord që sot në “WHO” të sqarojmë ca të vërteta?
Jam 100% dakord!
A ke bërë ndonjë ndërhyrje kirurgjikale? Buzët i ke fryrë? Po gjoksin?
Me sinqeritetin më të madh, më vjen keq t’i zhgënjej ata që besojnë se kam bërë ndërhyrje. Falë gjenetikës s’më është dashur të bëj asnjë ndërhyrje. Përsa i përket buzëve, e di që ka patur aludime dhe kolazhe nga më të ndryshmet ku janë kapur momente të papërshtatshme të miat nga video të hershme ku kam qenë duke folur. Sigurisht që edhe ‘make up’-in profesional unë kam filluar ta praktikoj vetëm dy vitet e fundit dhe kjo ka ndikimin e vet. Por buzët e mia kanë qenë gjithmonë të fryra. Për t’u bindur mjafton të shikosh video apo foto të prindërve të mi, të cilët i kanë buzët edhe më të mëdha së të miat. Edhe nëse nuk do të kisha buzë të mëdha, s’do të guxoja të ndërhyja sepse rezultati i buzëve artificiale s’më ka pëlqyer kurrë dhe mbi të gjitha kam një tip fobie ndaj gjilpërave. Ndërsa për gjoksin, që në fotot apo videot 13-14 vjeç, volumi është mëse i dukshëm, pavarësisht se atëherë veshjet e mia kanë qenë femijërore. Megjithatë nuk do e gjykoja aspak një personazh publik (ose jo) që do të ndërhynte për të përmirësuar pamjen. Kur je i famshëm njerëzit përpiqen të kërkojnë gjilpërën në kashtë kur bëhet fjalë për të gjetur diçka që nuk shkon tek ti. Pamja e një artisti skene apo televizioni është shumë e rëndësishme ndaj i kuptoj më së miri këto vendime për ndërhyrje, pavarësisht se e vlerësoj shumë bukurinë origjinale dhe të qenurit unik në tipare.
Po fotot, i punon me fotoshop për të rregulluar format trupore?
Tek fotot profesionale sigurisht që editimi është i domosdoshëm për kualitet, dhe kjo bëhet nga profesionistë e jo nga unë. Është e vërtetë që ndonjëherë kam ndërhyrë dhe vetë në fotot e mia, më së shumti për të rregulluar diçka që nuk shkon, dhe më duket injorancë dhe hipokrizi të gjykohem për këtë, sepse kjo gjë bëhet nga të gjitha vajzat normale deri tek personazhet më të famshëm në botë, pavarësisht se jo të gjithë kanë mendjehapësinë ta pranojnë. Por kur je nën një vëmendje kaq të madhe siç jam unë, sigurisht që do të ketë dhe njerëz që do t’i keqpërdorin apo ekzagjerojnë këto ndërhyrje për përfitim personal, apo për të bërë veten të ndihen më mirë. Jo rrallëherë janë publikuar foto të miat të ‘fotoshopuara’ keq për të bërë lajm. Në internet mund të gjesh lloj-lloj fotosh të miat, që nga momentet më të mira, deri tek ato më të këqijat prej koncerteve ku unë jam e djersitur, pa mendje, apo në performancë e sipër ku do të theksoja se interpretimi im është ‘live’ dhe sigurisht që jo e gjithë vëmendja ime do të fokusohet tek qëndrimi estetik. Asnjëherë s’e kam thënë që kam trupin perfekt. Këtë hipotezë e kanë ngritur mediat dhe njerëzit, dhe janë po të njëjtët që e përqafojnë apo rrëzojnë. Unë ndihem shumë ‘ok’ me veten time, ushtrohem rregullisht dhe për sa kohë ka plot njerëz që e pëlqejnë fizikun tim siç është, jam shumë e lumtur.
Je vërtetë e virgjër?
Ky është një tjetër lajm i rremë, apo ndoshta nuk e kanë kuptuar batutën që unë bëra në një emision. Pyetja që m’u drejtua ishte “a je e virgjër” dhe përgjigja ime ishte thjesht një shmangie e pyetjes duke mos dhënë asnjë koment mbi të. Ka kaq shumë për të komentuar nga muzika dhe shfaqjet e mia sa përgjigja e kësaj pyetjeje është vërtetë e parëndësishme. Nuk jam nga ato personazhe që mezi dalin nëpër media vetëm falë të tilla lajmeve.
Ke dashuruar ndonjëherë?
Po.
Sa fiton për një koncert?
Ftesat janë aq të shumta sa nëse do t’i pranoja të gjitha do të isha duke kënduar nga dy herë çdo ditë. Unë kam parimet e mia mbi përzgjedhjen e koncerteve, që nga ambienti, klientela, kapaciteti, shpeshtësia e herëve që mund të këndoj në një qytet/club. E ruaj shumë imazhin tim, nuk tundohem aspak nga paratë për të shikuar deri poshtë hundës sime. Performanca ime është rreth një ore, ‘live’. Pjesëmarrja e audiencës ka qenë gjithmonë maksimale dhe shpesh është thyer rekord në shfaqjet e mia. Për këtë mund të pyesni të gjithë organizatorët. Qëllimi im është që të gjithë njerëzit të largohen të kënaqur nga shfaqja dhe me simpati akoma më të madhe për mua. Në çdo koncert performoj sikur të jetë koncerti im i fundit. Mendoj se për të gjitha këto, çmimi im është i justifikueshëm.
A e synon tregun ndërkombëtar?
Projektet e mia të fundit kanë pasur sukses internacional, veçanërisht në Europë apo në disa vende në Azi dhe Afrikë. Jam duke pasur vazhdimisht koncerte dhe ftesa në të gjitha këto vende (organizime jo shqiptare). Kam një numër të madh ndjekësish realë dhe virtualë të cilët janë ushtria ime e fortë, ndaj mendoj që kjo më klasifikon disi ndër artistët ndërkombëtarë. Por siç e përmenda në fillim, ky është vetëm një fillim i mbarë.