Nga Eraldo Rexho / Fotot: Geljant Kaleci
Një fytyrë e rrumbullakët e plot dritë pasqyrohet në xhamat e syzeve. Buzëqesh dhe në buzët e vogla dallon dhëmbët e parë. Ke parasysh gjithë çfarë të ka munguar për të qenë i plotë dhe nuk e ke ditur se sa shumë të mungonte. “A jam një baba që po bëj gjithçka mirë?”, – kjo është pyetja më e vështirë me të cilën përballet një prind kur sheh foshnjën e vogël që rritet në duart e tij. Nis që nga mënyra si e mban në duar, si e përkëdhel, si e puth, si e ushqen: a po i bëj mirë?
Për herë të parë pyetja “a po e bëj mirë” merr një peshë të imagjinueshme aq sa vetë qenia jote ka dalë në plan të dytë. Për Eno Popin, pyetja ka bartur me vete një peng që ditën kur vajza e tij Liv, erdhi në jetë.
“Kur lindi, unë nuk isha pranë saj dhe ka qenë një ndër vendimet më të vështira për mua. Pengje të tilla, mbeten aty dhe nuk e kthejnë dot kohën pas”.
Gazetari, moderatori, autori dhe pedagogu, tani si baba vjen në një rrëfim krejt ndryshe. Një prej ikonave të “Top Channel” ka njohur dashurinë më të madhe të jetës dhe qasja ndaj botës e ndaj vetë jetës ka marrë një tjetër përjetim. Tani bota përreth është bota ku do rrisë fëmijën e tij, tani vendimet që merr do ndikojnë dhe te fëmija i tij dhe bota e fëmijës së tij duhet të jetë më e mirë.
“Liv ne e deshëm gjatë, derisa ajo erdhi mes nesh. Ndoshta do t’i them që të mos bëjë gabimet e mia”, – thotë Eno në të parin rrëfim si baba dhe ndër të rrallët për jetën private, ekskluzivisht për ‘revistawho.com‘. Ndjen në përgjigjet e tij e në pohimet e tij një Eno tjetër, një Eno të ndjeshëm që në një vit të vetëm ka gjetur te Liv arsyen më të madhe për të qenë, si prindi i një fëmije të adhurueshëm që të bën për vete në pak çaste. Eno e sheh, e mban në krahë, luan me të, e mbron dhe mbushet me jetë.
“Nëse do të doja diçka, është që të bëhet e denjë për jetën, kudo ku do të zgjedhë të jetojë”, – thotë ai, duke na rrëfyer mes rreshtave edhe shumë të pathëna, për familjen, punën në televizion dhe në fakultet.
Eno, që kur je bërë baba si ka ndryshuar jeta jote?
Liv erdhi tek ne pas një periudhe të vështirë për mua dhe siç jeta është ciklike, ishte dielli që mungonte në familje. Kur lindi, unë nuk isha fizikisht pranë saj, një ndjesi që m’u desh ta përjetoja nga larg. Ishte një nga vendimet më të vështira për mua, që më ka peshuar pafund në ndërgjegje muajt pasardhës. Pengje të tilla, mbeten aty dhe nuk e kthejnë dot kohën pas.
Gjithsesi, është e pashmangshme që jeta të mos marrë tjetër rrjedhë. Ritualet e një fëmije në vitin e parë, kërkojnë kujdes maksimal dhe frikërat personale, a po vepron drejtë apo jo, janë gjithmonë aty. Për mua, që nga ai çast jeta është bërë më e komplikuar, por me plot dashuri. Nuk mohoj dot që edhe emocionalisht kam përjetuar ulje-ngritje të forta, deri ekzistenciale. A jam një baba që po bëj gjithçka mirë? Ka ditë që nga pagjumësia, bota duket sikur më kthehet kundër por gjithçka zhbëhet nga e qeshura, përqafimi, belbëzimet apo hapat e parë. Kisha dëgjuar vazhdimisht nga ata që e kanë përjetuar prindërimin më përpara, se fëmija të ul egoizmin në tokë, dhe në fakt kështu ndodh. Liv, si çdo fëmijë në familje, është në qendër të vëmendjes dhe përkushtimit. Deri përpara se të nisnim bashkëjetesën të tre, kam patur për shkak të punës orare krejt të ndryshme, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Tani duket sikur gjithçka është përmbysur. Mëngjeset tona janë më të qeta, darkat më të kufizuara dhe nata na kthen në roje tek koka e vajzës.
Përshtatjen fillestare e kam patur jo pa trauma të vogla. Nuk e di a ka një depresion post edhe tek baballarët, por ndryshimi radikal i të përditshmes më ka ndikuar jo pak. Përpiqem të jem sistematik si natyrë dhe heqja dorë nga rutina, takimet dhe koha e shpenzuar me njerëz jashtë shtëpisë, fillimisht më shkaktonin nervozizëm, por paralelisht rritej dita-ditës dëshira për t’u kthyer në shtëpi e për të shpenzuar kohë më shumë në jetën e re. Unë nuk jam as i pari dhe as i fundit, proces që besoj se e kalojnë pak a shumë të gjithë.
Shpirtërisht, tashmë si baba si e sheh jetën?
Të mbushur gjithmonë dhe me shikimin nga e nesërmja. Jam në këtë fazë që e gjej veten falenderues sesi jeta na është plotësuar. Liv ne e deshëm gjatë, derisa ajo erdhi mes nesh. Pikërisht për këtë kthehem dhe mendoj që prioritetet në jetë e kanë një emër, të tjerat janë kalimtare.
A do doje që vajza të ndiqte gjurmët e tua në jetë?
Sa herë ua kam drejtuar unë këtë pyetje të tjerëve kur më është dashur të degjoj projeksione prindërish mbi të ardhmen e dëshiruar të fëmijëve. Nëse do të doja diçka, është që të bëhet e denjë për jetën, kudo ku do të zgjedhë të jetojë. Hapat t’i hedhë vetë.
Cila do të jetë këshilla e parë që do t’i japësh kur ajo të jetë gati për të kuptuar dhe për të nisur jetën?
Ndoshta do t’i them që të mos bëjë gabimet e mia.
Zakonisht baballarët janë shumë të dhënë pas vajzave. A ka vërtetë një lidhje speciale baba-bijë?
Kështu thonë të gjithë. Koha do më vërtetojë edhe mua a është kështu apo jo, edhe pse me mamën e vet Liv është më e lidhur tani. Por ama, fjalën e parë ajo e ka thënë BABA dhe pastaj luan me BA BA BE BA BEBI. Nga qejfi, fillimisht mendova, ja pra, lidhja me vajzat, por pastaj kuptova që Liv po rritet dhe kërkon të komunikojë me ne sipas mënyrës së saj.
Si do ta përkufizoje prindërimin nga eksperienca që ke deri tani?
Me shumë pikëpyetje në kokë, të tipit “Am i Dad enough? (buzëqesh).
Si është raporti yt me bashkëshorten? Ajo është graphic designer. Sa të ndihmon ty për imazhin, për anën vizuale të programeve, për një balancë në profesion?
Ndonjëherë them, sa forcë dhe durim ka që merret me mua. Jam me fat që Atenën e kam në krah. Ndonëse profesionet tona lidhen shumë pak, dëshira për të përmirësuar njëri-tjetrin në atë që bëjmë është gjithmonë aty.
A mendon se je në borxh me të kur mendon se i ke lënë asaj më shumë përgjegjësi për familjen e fëmijën?
E mendoj vazhdimisht. Dhe jo vetëm marrëdhënien e ngushtë brenda shtëpisë. Në shumë momente e kam kapur veten duke mos ruajtur balancën edhe me gjërat jashtë familjes, gjë që edhe lëndon. Por Liv po rritet me shumë dashuri dhe kjo më lumturon.
A ke menduar ndonjëherë të jesh dhe ti si ajo, në një punë me më pak drita dhe zhurmë si pjesa e dukshme e televizionit?
Patjetër. Mua nuk më ka trembur shuarja e reflektorit mbi portret. Një pjesë e detyrave të mia kanë qenë të tilla, nga ngarkesat autoriale tek ato organizative. Në një botë me plot mundësi, edhe pa kamera dhe imazh, jeta vazhdon, dhe shumë interesante, madje. E njoh mirë këtë proces pasi e kam jetuar për vite me radhë.
Njihesh si pedagogu që përzgjedh studentët më të mirë dhe i merr në “Top Channel”. Si i pikas?
A thua? Shoh që ecin në rrugën e tyre dhe gëzohem që ndërtojnë një rrugë në karrierë edhe në “Top Channel”. Gjithmonë kam besuar tek mundësia e parë dhe tek ata që të japin dorën. Disa syresh e kanë merituar dhe unë jam përpjekur me aq sa kam mundur të bëhem një urë kalimi mes shkollës dhe televizionit më të madh në vend. Të paktën kur kam parë që kanë dëshirë të merren me këtë zanat, që nuk u tremben angazhimeve dhe që duan të punojnë, në vend që të vegjetojnë.
A mendon se breza të mirë stundentësh po dalin nga gazetaria?
Relativisht. Sot teknologjia ka ndryshuar pafund edhe botëkuptimin mbi informacionin dhe qasjen e profesionistëve të fushës. Çdo brez ka 4-5 studentë shumë të mirë, nga ata që pa frikë mund t’i referosh për në punë, apo t’i japësh detyra profesionale. Unë angazhohem me Multimedian, Editorinë digjitale dhe ajo që u mësojmë studentëve është që të përpiqen që kudo ku shkruajnë, raportojnë dhe punojnë, ta bëjnë sa më mirë dhe pastër. Shkolla nuk është kanonike, ndryshon dhe përshtatet. Karakterin s’ta mëson dot shkolla, e as dëshirën për punë, vullnetin apo ndershmërinë. Sot, në kohë virale, trafikohet informacion pafund dhe nga fake news deri tek përdorje influencash personale me gazetarë për të dëmtuar të tjerët janë pjesë e këtij realiteti, që vetëm lidhje me gazetarinë, lajmin, burimet, nuk kanë.
Kaq shumë vite në ekran, sa ka ndryshuar televizioni dhe media në Shqipëri?
Vazhdimisht është në ndryshim. Diktuar nga logjika e marketingut dhe paratë në qarkullim, sot përmbajtja është cënuar e para. Por televizioni ende mbetet fuqi dominuese në treg dhe audiencë, prandaj të gjithe e duan. Media e kohëve që jetojmë është bërë më sipërfaqësore, shpeshherë sheh programe me kosto të ulët dhe inflacion fjale e bisedash.
Sa ka ndryshuar qasja jote ndaj televizionit?
Shumë, duke u rritur edhe unë brenda tij, vazhdimisht. Tani shoh që idealistët numërohen me gishtërinj, pra, ata që nuk bëjnë kompromise për shkak të rutinës apo pagesës. Unë jam pjesë e kësaj industrie dhe do të jem sepse këtë zgjedhje kam bërë, por tani e shoh gjithçka më ftohtë.
Ke provuar emisione të ndryshme në Top, “Wake up”, “Big Brother”, “Dilema”, “Top Talent”, etj., a është e vështirë të kalosh nëpër role të ndryshme, a shijohen njësoj? A i ke dashur njësoj?
Natyrisht që jo. Janë më shumë se aq sa listoni. Për 10 vite kam krijuar dhe mbajtur së bashku me kolegë programin e mëngjesit. “Wake Up” ishte dhe mbetet në një dekadë identifikimi im me radion dhe TV për një kohë të gjatë, por këtë rrugë zgjodha vetë ta ndal. Paralelisht iu dedikova një tjetër zhanri në TV që janë Game dhe Quiz show. Gazetaria e mëngjesit dhe zbulimi i elementëve njerëzorë tek kushdo që kam hasur në studio më ka bërë që të kuptoj se çfarë duhet në ekran. “100 Milionë”, ishte një format i paharrueshëm, angazhimi me “Big Brother” një eksperiencë interesante, puna me fëmijët në “Are u Smarter than e 5th Grader”, një eksperiencë që më bëri më të duruar me të vegjlit, “Dilema Deal or No Deal”, një program i mbushur me adrenalinë, që në njëfarë mënyre tregon se çfarë janë në gjendje të bëjnë njerëzit përballë parave. Për aq kohë sa jam angazhuar, i kam dashur këto programe, por asgjë nuk shijon njësoj dhe përgjithmonë.
A e ndjen veten ndonjëherë të lodhur nga ekrani? Çfarë të lodh?
Vazhdimisht. Sa herë mendoj gjatë ulje-ngritjeve të mia emocionale që shkakton puna, se kaq ishte. Ta mbyll me kaq! Por prapë vazhdoj dhe bëj punën dhe profesionin që kam zgjedhur këtu e 20 vite më parë. Unë ekranit i marr çdo ditë, dhe i jap po aq, nga pasioni, dëshira për të mos i lënë gjërat përgjysmë, apo nga durimi deri në zhgënjim ndonjëherë dhe dashuria pa kushte. Por këto nuk zgjasin përgjithmonë, pambarim.
Prej shumë vitesh je zëri zyrtar i “Top”-it. Çdo promo ka zërin tënd. Duket sikur ti e identifikon “Top Channel”. A është kjo një tjetër lidhje me topin?
I ndjeri Dritan Hoxha e bëri këtë zgjedhje shumë vite më parë dhe ashtu mbeti. Lidhja është bërë si ADN tashmë.
A e imagjinon veten Eno në një ekran tjetër pas kaq vitesh?
Mendoj që një profesionist mund të lëvizë kudo. Si na shohin të tjerët, kjo është tjetër gjë. Unë kam zgjedhur edhe kur kam refuzuar, por për të zhvilluar veten dhe karrierën, e shoh veten kudo ku më jepet mundësia. / revistawho.com