Pak ditë më parë në faqen zyrtare të ‘Instagram-it’ të Revista Who, krijuam mundësinë që çdokush që ka aktualisht probleme me fytyrën ose ka pasur dhe kërkon zgjidhje, të drejtojë lirisht pyetjen që ka për të marrë përgjigje nga Dr.Prof. Migena Gega, dermatologe e specializuar dhe me një karrierë të gjatë në këtë fushë. Në një intervistë për Revista Who, Dr. Migena dha informacion të zgjeruar për të gjitha pyetjet që ju vetë keni drejtuar, me seriozitet dhe profesionalizëm.
Kam probleme në fytyrë me shenjat e kuqe të akneve. Si mund t’i heq?
Shenjat nga aknet janë një problem që duhet marrë seriozisht, pasi mund të ngelen për një kohë të gjatë. Është shumë e rëndësishme që përveç një protokolli mjekimi të cilin e vendos dermatologu juaj, të hartohet dhe një plan trajtimesh si psh: microneedling me dermapen (nxit sintezën e kolagenit), peeling kimik (aplikimi i acideve në fytyrë), plazma e mezoterapi. Gjithashtu mund të bëhen dhe procedura me lazer. Të gjitha këto duhen bërë në përputhje me moshën dhe teksturën e lëkurës tuaj.
Çfarë më sugjeroni për të pastruar fytyrën nga aknet?
Akne-t janë një sëmundje dhe duhen mjekuar korrekt si të tilla. Është shumë e rëndësishme zgjedhja e produkteve të duhura që patjetër duhen vendosur nga mjeku juaj, pasi mund të keni nevojë si për mjekime lokale (kremra në lëkurë), ashtu dhe mjekime nga goja.
Është faktor shumë i rëndësishëm të bëni kujdes me çdo fondatinë apo krem hidratues që përdorni të cilët duhet të jenë oil-free dhe të mos bllokojnë poret. Shmangni përdorimin e vajrave të ndryshëm për hidratim lëkure, pasi mund të bllokojnë poret. Duhet të dini se mjekimi për aknet duhet të jetë afatgjatë.
Kam probleme me njollat kafe në fytyrë, të krijuara nga deti. Si mund t’i largoj?
Njollat kafe kërkojnë shumë kohë e durim për t’u zbehur. Kryesorja është mbrojtja nga dielli, jo vetëm në verë, por gjatë gjithë vitit. Mund të përdorni substanca depigmentuese si ‘Aesthetico whitening complex’ në darkë lyerje të fytyrës, dhe rilastil D-clar në mëngjes me spf 50 plus. Për të vendosur më tej, nëse ju duhen mjekime më të forta, si dhe për të vendosur për protokoll trajtimi, duhet të konsultoheni me mjekun dermatolog. Mund të ndihmojnë për njollat në lëkurë edhe trajtimet e ndryshme si peeling, mezoterapi, apo trajtime anti-njollë.
Kam probleme me mollëzat, pasi kanë gjithmonë skuqje. Çfarë mund të bëj për ta zgjidhur?
Përsa i takon problemit, keni vetëm skuqje apo dhe kapilarë në lëkurë? Mund të jetë dhe problem genetik, por si substanca lehtësuese mund të përdorin ‘aesthetico gel couperose’ në darkë dhe ‘korff anti rossore crem’ në mëngjes. Evitoni pijet e nxehta, pijet alkoolike si dhe pikantet. Ndërsa për të parë gravitetin dhe shkaktarët e problemit tuaj duhet të konsultoheni me mjekun dermatolog.
Çfarë do të thotë të kesh puçrra vetëm në zonën e mjekrës?
Për puçrrat në zonën e mjekrës, duhet parë natyra e tyre më parë, nëse janë vërtetë akne, apo dermatit perioral. Mund të jenë dhe me natyrë hormonale, ku për të vendosur ju duhet të bëni një echo vezoresh, si dhe analizat hormonale.
Duhet të di dhe a keni marrë mjekim, a po reagojnë ndaj ndonjë mjekimi dhe nëse përdorni substanca që bllokojnë poret.
A është e mundur që plazma të aplikohet edhe në muajt e verës?
Plazma (prp treatment), mund të bëhet pa problem edhe gjatë muajve të verës. Këshillohet të mbroheni nga dielli dhe të përdorni krem epitelizues (riparues), pasi ta bëni plazmën. Gjithashtu, merrni rekomandimet nga mjeku dermatolog nëse procedurën e bëni me ose pa dermapen dhe protokolli i ndjekur në shtëpi, ka shumë rëndësi.
Mund të më sugjeroni një krem hidratues për lëkurë të thatë?
Përsa i përket kremit hidratues për lëkurën e thatë do ju sugjeroja kremin e linjës ‘korff correctionist’, mund ta kombinoni dhe me serum të këtij lloji për efekt më të plotë. Serumi aplikohet i pari, masazhohet fytyra, e më pas vazhdohet me kremin e darkës që ju sugjerova më lart.
Jam 26 vjeç dhe kam 10 vite që kam probleme me puçrrat në shpinë. Kam përdorur disa mjekime dhe antibiotikë, por pa efekt. Mund të më ndihmoni me sugjerimet tuaja?
Shikoj që problemi juaj me aknet në shpinë paska ecuri të gjatë dhe qenka rezistent ndaj mjekimit. Kurat i keni bërë korrekt, sipas mjekut tuaj? Ndonjëherë dhe antibiotikët e përdorur për një kohë të gjatë mund të krijojnë rezistenca bakteriale dhe veprimi i tij bëhet i dobët më pas. E mira është të aplikoni në kurriz shampoo anti-akne, kremrat me ‘bezoyl peroxide’ ndihmojnë shumë. Megjithatë për të parë gjendjen e akneve dhe për të vendosur për mjekim të mëtejshëm duhet të konsultoheni me mjekun dermatolog. Ka dhe trajtime që mund të bëhen krahas mjekimit.
Kam parë para pak ditësh një njoftim për analizën e intolerancës. Mund të më thoni si veprohet?
Analiza e intolerancës bëhet nëpërmjet gjakut, ka klinika të posaçme që e ofrojnë. Nëse ju duhet për problematika në lëkurë, mendoj që duhet të bëni ekzaminime specifike të tjera të vendosura nga dermatologu juaj.
Më kanë mbetur disa njolla në ngjyrë kafe nga aknet. Ka ndonjë mënyrë për t’i larguar?
Njollat kafe nga aknet kërkojnë një protokoll trajtimesh të tilla si dermapen me kokteile vitaminash dhe substanca që zbehin pigmentin, plazmën e gjakut, me veti të mira rigjeneruese, peeling kimik, microdermabrazion si dhe një protokoll të rregullt në shtëpi. Aesthetico whitening solution është një zgjedhje e mirë për t’u përdorur në darkë, por prapë për t’ju pershtatur më mirë lëkurës tuaj dhe për më shumë efekt duhet të ndiqeni nga mjeku dermatolog.
A largohen rrudhat e para me krem?
Rrudhat e para mund të përmirësohen nga përdorimi i vazhdueshëm i një kremi të mirë hidratues, serumi si dhe shumë i domosdoshëm është kremi i diellit me faktor mbrojtës.
Një linjë e mirë mund të ishte ‘rilastil micro’ për rrudhat e para, por që për t’u përshtatur sa më mirë me lëkurën tuaj ju duhet mjeku i specializuar për lëkurën.
Jam 13 vjeç dhe kam 3 vite që kam akne në fytyrë. A është normale kjo gjë?
Aknet mund të dalin që në fillimin e periudhës së pubertetit. Duhet të dihet që aknet bëjnë pjesë tek sëmundjet e lëkurës dhe duhen mjekuar patjetër si të tilla. Mjekimi i tyre shpejt në kohë, bën të mundur të mos ngelen shenja dhe njolla më pas. Ju duhet një mjekim i posaçëm për aknet, pasi të jetë përcaktuar faza e tyre.
Vuaj nga Blepharitis. Çfarë më sugjeroni të bëj?
Blepharitis mund të ketë disa shkaqe: bakteriale, fungale (lloj myku) apo me natyrë alergjike. Nuk di nëse keni përdorur gjë më parë, por mund t’ju rekomandoj tobradex, solucion me pika dhe tobradex crem. 2-3 pika 2 herë në ditë po ashtu dhe lyerje me kremin. Për të parë llojin duhet marrë pak material tek pjesa e qepallës.
Sa herë e laj fytyrën, pa larës, madje vetëm me ujë e kam shumë të thatë dhe si të plasaritur. Çfarë mund të bëj?
Është shumë i rëndësishëm përdorimi i një kremi të mirë hidratues i rekomanduar nga mjeku juaj. Gjithashtu për ta bërë më të fuqishëm hidratimin mund të përdorni dhe serum përpara kremit dhe kremin e diellit me substanca qetësuese dhe hidratuese.
A ka ndonjë mënyrë për të hequr aknet që më kanë mbuluar fytyrën? Jam 17 vjeç.
Patjetër që ka shumë mënyra për të kuruar aknet tuaja. Vetëm duhet marrë shumë seriozisht mjekimi si nga ana juaj ashtu dhe nga ajo e mjekut dermatolog. Mund të merrni mjekimin përkatës dhe nëse është e nevojshme, një protokoll trajtimesh i personalizuar. Mjeku ju rekomandon dhe disa analiza për të përcaktuar shkakun e akneve.
A mund të përdorim vajin e Vitaminës E për moshën 30 vjeç?
Mund ta përdorni Vitaminën E nëse keni lëkurë të thatë, por duhet parë me kujdes, pasi tek persona që kanë lëkurë të yndyrshme, mund të rrisë tendencën për bllokimin e poreve.
Në cilën moshë mund të përdorim kolagjen për fytyrën? Pyes sepse më ka shkaktuar skuqje.
Serumet e pasur me kolagjen mund të përdoren pas moshës 25 vjeç, por meqënëse thoni që ju skuqet fytyra, është shumë e rëdësishme të shikoni dhe përbërësit e tjerë të serumit apo kremit që përdorni. Ndoshta ju alergjizon ndonjëri prej tyre.
Më ka rënë floku në një vend të caktuar. Ka mundëi të më mbijë flok i ri me maska të ndryshme?
Nëse ju ka rënë floku në një vend të caktuar në formë pulle, është problem që duhet marrë seriozisht, pasi kërkon një sërë ekzaminimesh për të gjetur shkakun, si ekzaminim i hormoneve të gjendrës tiroide, titri i ASLO, anemia etj. Më pas duhet mjekuar me pomada ose solucione mjekues të problemit, të përcaktuara nga mjeku juaj. Maskat mund të ndihmojnë shumë pak.
Për çdo informacion apo kontakt të mëtejshëm me Dr. Migena Gegën, ose për të marrë trajtim të specializuar dhe specifik për problemet tuaja kontaktoni në numrin tel: 042421413 ose vizitoni klinikën në adresën: Tirana Ring Center, Zogu i Zi./ revistawho.com