Personi që shihni në foto është 32-vjeçari, Blerim Bizhga, i cili humbi jetën tragjikisht sot në një aksident automobilistik në Gjirokastër, pranë liqenit të Viroit.”Lapsi.al” raporton se fatkeqësisht po afër këtij vendi, i riu kishte humbur vëllain në një tjetër aksident automobilistik. Aksidenti ndodhi duke u gdhirë dita e hënë. Bizhga bashkë me shokun që kishte në makinë, Sokol Lushkaj, ndodhej në një prej lokaleve të Gjirokastrës nën shoqërinë e disa miqve të tyre. Të dy po ktheheshin nga Gjirokastra për në Tepelenë. Blerim Bizhga punonte në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit në Bashkinë Tepelenë, ndërsa shoku i tij i plagosur rëndë nga aksidenti shërbente si ushtar me pagesë në Forcat e Armatosura. Dyshohet se mjeti me të cilin ata udhëtonin ka dalë nga rruga për shkak të humbjes së kontrollit mbi makinë, por edhe prej mjegullës dhe lagështirës në rrugë.