Ndërsa drama mes Nicola Peltz, Victoria Beckham dhe Brooklyn Beckham vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, interesi publik është zhvendosur edhe drejt një këndvështrimi tjetër: si e kanë përjetuar ish-partneret e Brooklyn jetën brenda familjes Beckham dhe, veçanërisht, raportin e tij me nënën.
Gjatë viteve, disa prej ish-të dashurave të Brooklyn kanë folur hapur për përvojën e tyre me këtë familje kaq të ekspozuar. Deklaratat e tyre ndryshojnë nga njëra-tjetra, por së bashku krijojnë një panoramë interesante mbi famën, afërsinë familjare dhe presionin e vazhdueshëm.
Tallia Storm
Brooklyn dhe Tallia Storm u lidhën kur ishin ende adoleshentë. Në atë kohë, Tallia e quajti Brooklyn-in “dashurinë e saj të parë”, duke qenë gjithashtu vajza e parë që u shfaq publikisht në krah të tij.

Së fundmi, ajo ka reaguar ndaj deklaratës së fortë të Brooklyn për Victoria Beckham, në një intervistë për The Mirror:
“Mendimi im i parë ishte: mirë ka bërë. Njerëzit kanë dëgjuar miliona histori ndër vite dhe mendoj thjesht: Zoti e bekoftë Brooklyn-in që doli hapur dhe mbrojti veten.”
Tallia theksoi se qëndron plotësisht në anën e tij:
“Mendoj se thjesht i ka ardhur në majë të hundës. Jam 100% në anën e tij. Ajo që ka kaluar ky djalë për gjithë këto vite, në atë ‘rrjetën Beckham’, siç e quaj unë, është shumë për këdo. Prandaj, mirë bëri që tha ‘mjaft më’. Ky është momenti kur ai po rimerr fuqinë e tij.”
Chloe Grace Moretz

Chloe Grace Moretz dhe Brooklyn Beckham kanë qenë bashkë për afro katër vite, nga 2014 deri në 2018, çka do të thotë se ajo ka kaluar një pjesë të madhe të kohës pranë familjes Beckham.
Fillimisht, ajo është shprehur shumë pozitivisht për Victoria Beckham. Gjatë një interviste në “Watch What Happens Live!” me Andy Cohen, ajo tha:
“Ajo është njeri i jashtëzakonshëm. E admiroj shumë etikën e saj të punës. E dua, e dua linjën e saj. Si familje, janë fantastikë.”
Megjithatë, me kalimin e viteve, perspektiva e saj ndryshoi. Në një intervistë për InStyle në vitin 2016, Moretz e përshkroi lidhjen me një person kaq të famshëm si “të tmerrshme dhe të çuditshme”, duke shpjeguar se kaosi, ndjekja e vazhdueshme dhe mungesa e privatësisë e bëjnë të pamundur të shijosh momente të thjeshta dhe normale.

Lexi Wood
Edhe ish-e dashura tjetër e Brooklyn Beckham, Lexi Wood, ka folur hapur për marrëdhënien e saj me familjen Beckham. Në podkastin “The Viall Files”, ajo u shpreh:
“Këto janë pikërisht familjet me të cilat jam mësuar – familje që janë në të njëjtën industri, që i japin njëra-tjetrës këshilla, punojnë bashkë kur munden, janë shumë të afërta, udhëtojnë dhe jetojnë bashkë.”
Sipas Lexi-t, ky mentalitet familjar është diçka pozitive:
“Mentaliteti është që familja të mbron, pa kushte. Mendoj se këto familje janë të shkëlqyera.”
E pyetur se si është të dalësh me djalin e një prej burrave më të famshëm në botë, ajo u përgjigj thjesht:
“Për mua, ai ishte thjesht babai i Brooklyn-it. Nuk mendova asgjë tjetër në fillim. Ata janë një familje shumë e bukur. Victoria është ikonë mode. Janë familja më cool.”
Ndërsa zhurma rreth familjes Beckham nuk po shuhet, rrëfimet e ish-partnereve të Brooklyn ofrojnë një perspektivë të veçantë mbi dinamikat e brendshme të kësaj familjeje të famshme, ku fama, lidhjet familjare dhe presioni publik ecin gjithmonë paralelisht.







