Në një bisedë të sinqertë në shtëpinë e saj me moderatorët e “UëTëFëë Show!” të Andale Media, Artemis Senja dhe Kostjan Gjerazi, Orinda Huta ka ndarë një nga momentet më të sikletshme të historisë së saj të dashurisë me Turjanin: propozimin për martesë.
Moderatorja tregoi se gjithçka nisi shumë më herët nga sa mendohej, me një unazë që ajo e zbuloi rastësisht dhe që nuk i pëlqeu aspak.
“Kur Turjani kishte ndër mend të propozonte herën e parë, ai ka qenë madje viti ynë i vështirë. Ai ishte viti që jetoja me Turjanin në shtëpi. Më thotë Turi ‘më bëj çikë rrobat gati dhe nisemi direkt’, do shkonim me pushime. Filloj bëj gjërat gati, hap sirtarin, shoh unazën. E hapa, nuk më pëlqeu fare.
Ishte e tmerrshme, mirë atë, po kishte harruar dhe çmimin brenda. Kushtonte shumë dhe aty m’i ngriti nervat më shumë. Atë ditë do shkonim me pushime dy-javore në Spanjë, aty e kishte planifikuar ai që do e jepte unazën. Ikëm në Spanjë, ai nuk e mori unazën me vete.”
Edhe pse e dinte tashmë surprizën, propozimi nuk po vinte, ndaj Orinda vendosi ta përballte drejtpërdrejt Turjanin për unazën që rrinte ende në sirtar.
“Pas disa kohësh kjo unaza qëndronte te sirtari.
Dhe i thashë ‘Turjan!’.
‘Po,’ tha, ishte ulur, po rrinte në telefon.
‘Se s’të kam thënë,’ i thashë, ‘kam gjetur një gjë te sirtari.’
‘Çfarë?’ tha.
‘Kam gjetur një unazë.’
‘Hë,’ tha, ‘edhe?’
‘E kujt është?’ i thashë.
‘E mamit,’ tha.
‘Po kujt po ia fut ti këto,’ i thashë unë. Dhe aty filloi sherri.
‘E prishe,’ tha.
‘Nejse, nuk më pëlqeu unaza,’ i thashë.
‘Nuk të pëlqeu? Atëherë mbaje në gisht,’ tha, ‘Nuk është ky propozimi, ta gëzosh unazën.’ Nuk u bë propozimi me këtë unazë.”
Propozimi “zyrtar” erdhi më vonë, në ditëlindjen e 30-të të Orindës, gjatë një fundjave në Romë. Por as ky moment nuk shkoi pa tension dhe siklet.
“Propozimi i vërtetë ka qenë kur unë bëra 30 vjeç, ka qenë një fundjavë në Romë. Festoja datëlindjen, e ndieja që do ta bënte. Pata një dyshim sepse ai kërkoi Marçelën [Lati], e donte që t’i zgjidhte unazën, ta zgjidhte tamam.
Hëngrëm një darkë dhe tha ‘shkojmë pimë një gotë, presim datëlindjen tënde’. Marrim taksinë, po më zinte datëlindja në taksi. Dhe kur s’po priste që taksisti t’i kthente kusurin, por po thoshte ‘dil, dil, dil’, kur e pashë që ishte aq nervoz, thashë ‘mos, ky do ulet në gjunjë’.
Më erdhi siklet aty shumë, ishte ora 12, po prapë kishte shumë njerëz.
I thashë ‘mos u ul’.
‘Më lër ta bëj tamam,’ tha.
I thashë ‘mos u ul, të lutem, të lutem.’ ‘Ma jep,’ i thashë, ‘s’ka gjë, po, po, po.’
‘Po si s’më le,’ tha, ‘ta bëja tamam’.
‘Nuk e di,’ i thashë, ‘më kapi një siklet.'”
Një histori ndryshe nga propozimet romantike që shohim zakonisht, por që sot Orinda e rrëfen me humor dhe sinqeritet, duke treguar se jo çdo “po” vjen në mënyrën e përsosur, mjafton të jetë e vërtetë.








