Këngëtarja e njohur Vesa Luma ka vendosur të reagojë publikisht për një prej trendeve më të diskutueshme mes fëmijëve – lojën Roblox, e cila po shqetëson prindërit në mbarë botën.
Në një postim në Instagram, Vesa ndau një video që shpjegon ndikimet e kësaj loje, duke rrëfyer përvojën e saj personale me djalin e saj, Lianin, i cili për disa ditë ishte zhytur në botën virtuale të Roblox.
“O Zot, faleminderit që më ke bërë atë nënën që disa e ‘përqeshin’ se i rri shumë gati djalit! Liani qëndroi vetëm disa ditë në Roblox, deri sa e bëmë të kuptojë vetë që është e keqe si lojë për të. Është alarmante situata”, ka shkruar ajo.
Mesazhi i Vesës është një thirrje për ndërgjegjësim mes prindërve, duke ngritur pyetjen e rëndësishme: Sa i sigurt është interneti për fëmijët tanë?
Edhe pse Roblox duket si një platformë kreative ku fëmijët ndërtojnë botë virtuale, ajo fsheh rreziqe të mëdha. Përdoruesit mund të krijojnë lojëra brenda lojës, ku shpesh mungon kontrolli mbi përmbajtjen, duke i ekspozuar fëmijët ndaj skenave të papërshtatshme, komunikimeve të dyshimta dhe varësisë digjitale.
Në disa vende, përfshirë SHBA-në, janë ngritur padi ndaj kompanisë që menaxhon Roblox, pasi persona të rritur kanë përdorur lojën për të kontaktuar fshehurazi me fëmijë. Ekspertët paralajmërojnë se loja mund të shkaktojë ankth, mungesë përqendrimi dhe varësi emocionale, për shkak të mënyrës se si është ndërtuar për të mbajtur fëmijët të angazhuar pa pushim.









