Pas përfundimit të rrugëtimit të saj në “Big Brother VIP Albania”, këngëtarja dhe artistja Rozana Radi ishte e ftuar në emisionin “Pardon My French”, ku ndau përjetimet dhe reflektimet e para pas daljes nga formati. Ajo foli me sinqeritet për mënyrën se si është perceptuar brenda shtëpisë dhe jashtë saj, si dhe për reagimet e publikut.
Në një bisedë të lirshme dhe me humor, Radi komentoi etiketime të ndryshme që i janë bërë gjatë qëndrimit në BBV, duke theksuar se ndonjëherë është keqkuptuar për shkak të mënyrës së saj të drejtpërdrejtë të të shprehurit.
“Unë kam natyrën pak… ma thonë edhe shoqet që kur futem në një lokal njerëzit thonë ‘sa e egër kjo’, dhe në momentin që ulen me mua në tavolinë ndryshojnë atë perceptimin që kanë pasur për mua. Kështu ka qenë edhe babai im. Ka pasur një portret shumë të egër, por ndërkohë natyrën e ka pasur shumë të çiltër. Mendoj që në fillim nuk jam kuptuar dhe më mirë le të them që ne shqiptarët duam që t’i biem pak rrotull dhe mos t’i themi gjërat në sy, edhe kur meritojmë të marrim një gjë të vërtetë e zbukurojmë atë të vërtetën sepse na duket sikur na dhemb më pak.
Ndoshta nuk jam kuptuar për vetë faktin që nuk i pëlqen e vërteta edhe ndonjëherë duan ta mbulojnë me rërë atë të vërtetën. Unë jam një njeri që i them gjërat ashtu siç i mendoj, ashtu siç janë. Jam e drejtëpërdrejtë dhe mendoj që njerëzit që i duan gjërat e vërteta, që i duan njerëzit e pastër si uji, mendoj që më kanë kuptuar. Ato që nuk më kanë kuptuar them ta shohin edhe njëherë Big-un.”
Në lidhje me etiketimin si “antagoniste”, një term që është përmendur shpesh në rrjetet sociale dhe komentet publike, Rozana u përgjigj prerazi:
“Ato që më thonin antagoniste nuk e dinin as kuptimin e fjalës, kështu që unë nuk i ktheja dot përgjigje.”








