Fituesi i “Big Brother VIP Albania 4”, Gjesti, ka thyer më në fund heshtjen mediatike pas një periudhe të gjatë mungese në publik. Ai zgjodhi rrjetin social TikTok për t’iu përgjigjur drejtpërdrejt fansave në një transmetim live, duke adresuar pyetje mbi jetën personale, projektet muzikore dhe thashethemet që e kanë shoqëruar muajt e fundit.
Ndër momentet që ngjallën më shumë kuriozitet ishte një video virale nga një koncert, ku Gjesti dëgjohej duke thënë “jam i martuar”. Fansat nuk vonuan ta pyesin për këtë deklaratë gjatë transmetimit.
Por artisti e mori me sportivitet dhe e sqaroi me humor:
“Jam i martuar me muzikën.”
Kjo përgjigje i vuri kapakun spekulimeve për një lidhje të mundshme me Eglin dhe hodhi poshtë zërat që aludonin për romanca të reja.
Në të njëjtën bisedë me ndjekësit, Gjesti ndau edhe planet për të ardhmen artistike, duke treguar se aktualisht është duke punuar për një këngë të re solo. Megjithatë, ai nuk e përjashtoi mundësinë e bashkëpunimeve.
“Kish dasht me pas një bashkëpunim… Dhuratën kam kështu që më pëlqen shumë, e ka një stil të veçantë edhe ka bërë shumë hite të mëdha. Dhurata Dora të don Kingi,” – u shpreh ai, duke lënë të hapur një derë për një projekt të përbashkët me këngëtaren.
Ndërsa për jetën private, Gjesti zgjodhi të mbajë një ton më të rezervuar, por gjithsesi ndau një moment reflektimi për familjen. Ai pranoi se rutina e ngjeshur i ka lënë pak kohë për të dashurit e tij, por premtoi se do t’iu kushtojë më shumë kohë pas sezonit veror:
“Do të gjej më shumë kohë për ta edhe për ta festuar fitoren e Big Brother,” – tha ai me sinqeritet.








