Këngëtarja e njohur shqiptare, Genta Ismajli, ka ndarë me publikun një rrëfim të ndjerë rreth gjendjes së saj shëndetësore, e cila po e pengon të rikthehet në skenë me projekte të reja muzikore.
Në një intervistë për emisionin “Weekend” në “Klan Kosova”, Genta ka treguar se po përballet me një problem serioz në qafë, pasojë e viteve të shumta të performancave dinamike dhe vallëzimeve të lodhshme gjatë koncerteve.
“Kam pasur një lëndim në qafë prej vitesh për shkak të vallëzimeve të shumta që kam bërë në skenë. Kam provuar trajtime të ndryshme, por fatkeqësisht rezultatet nuk kanë qenë ato që prisja,”, tregoi ajo. Gjendja, sipas këngëtares, është përkeqësuar pikërisht në momentin kur kishte nisur përgatitjet për rikthimin e saj artistik.
“Mendova se isha shëruar dhe nisa përgatitjet për skenë, por gjatë provave me valltarët, qafa më është lënduar sërish. Për këtë arsye vendosa të anuloj videoklipin që po realizoja,” shtoi ajo .
E prekur emocionalisht, Genta pranoi se mungesa në skenë e ka goditur shpirtërisht, pasi vallëzimi dhe performanca janë pjesë thelbësore e identitetit të saj artistik.
“Vallëzimi është pasioni im më i madh, dhe ndjehem shumë keq që nuk mund ta bëj si më parë,” u shpreh ajo.








