Një skenë që duhej të ishte festë u kthye në një moment alarmi. Rosalía, një nga artistet më të mëdha të momentit global, u detyrua të ndërpresë koncertin e saj në Milano, duke lënë publikun mes duartrokitjesh dhe shqetësimit. Fituesja e Grammy, që vetëm pak ditë më parë ishte vlerësuar si artistja më e mirë ndërkombëtare në Brit Awards, u shfaq në një tjetër dimension, atë njerëzor, të brishtë.
Mes përpjekjeve për të vazhduar performancën, ajo iu drejtua publikut me një rrëfim të drejtpërdrejtë dhe të dhimbshëm: “Jam përpjekur të vazhdoj këtë shfaqje. Që nga fillimi kam qenë e sëmurë. Kam pasur helmim të madh nga ushqimi. Jam përpjekur ta përfundoj deri në fund, por ndihem shumë keq. Po vjell aty. Dua të jap shfaqjen më të mirë, por jam mbi dysheme”. Fjalë që për pak sekonda e zhveshën nga çdo status superstar-i dhe e kthyen në një artiste që lufton për të qëndruar në këmbë për publikun e saj.
Pas disa përpjekjeve për të vazhduar, Rosalía zgjodhi të largohej nga skena, duke i dhënë fund një nate që nuk shkoi sipas planit. Një puthje për fansat dhe dora mbi bark, një gjest i vogël, por i mbushur me kuptim, shënuan fundin e një performance që mbeti pezull mes profesionalizmit dhe limitit njerëzor.
Dhe ndoshta pikërisht aty qëndron forca e këtij momenti, jo te koncerti që nuk u mbyll, por te transparenca e një artisteje që nuk fshehu dhimbjen. Sepse edhe në kulmin e suksesit global, trupi vendos kufijtë, dhe ndonjëherë, skena ndalet për të kujtuar se edhe yjet kanë limite.









