Elton Ilirjani edhe njëherë tjetër shkaktoi zhurmë, këtë radhë në “Paris Fashion Week” 2024. Eventi më i rëndësishëm i modës në Francë bëri bashkë shumë personazhe të njohur jo vetëm stilistë e modelë, por edhe njerëz me ndikim të fortë në shoqëri.
Të gjithë ishim në pritje të surprizës së radhës nga Elton Ilirjani, supermodeli ynë shqiptar dhe më në fund ajo erdhi.
E ku ka më bukur se mes të tjerash të ngrihen lartë vlerat e njeriut që të ka sjellë në jetë dhe mbi të gjitha që shprehnjë mbështetje të fortë edhe kur duket se gjërat nuk funksionojnë siç duhet.
Në “PFW”, Eltoni, bëri njoftimin e rëndësishëm se tashmë ai do të shfaqet kudo me emrin e artit HANKO dhe jo më kotë, por, si një shenjë mirënjohje për nënën e tij. E kemi dëgjuar teksa ka folur shpesh në media me shumë dashuri për prindërit, kryesisht nënën e cila e ka mbështetur fortë që nga momenti kur ka kuptuar orjentimin gjinor të të birit. Ajo gjithmonë ka dhënë dashuri pa fund për Eltonin duke e ndihmuar shumë që të mos binte pre e bullizmit nga shoqëria dhe njerëzit me koncepte të ngushta në këtë aspekt. Dhe ai vërtetë diti t’ja shpërblente. Dashuria e tij për mamanë këtë radhë u manifestua ndryshe, jo vetëm me fjalë, por me një performancë që i mahniti të gjithë pjesëmarrësit, në të cilën edhe muzika ishte e dedikuar për të.
Me një fustan blu lëkure dhe një gërshet të gjatë si një“Rapanzell” e vërtetë, supermodeli e mori të gjithëvëmendjen ashtu siç ndodh me çdo debutim publik të tij.Malan Breton Fantome prezantoi koleksionin e ri Pranverë- Verë 2025 dhe Eltoni ishte modeli kryesor i sfilatës. Malan Breton është marka, imazhi i së cilës është filantropisti shqiptar i identifikuar me frazën “Je suisnona…”.
Performanca e tij është përfolur shumë edhe në titujt kryesorë të mediave prestigjioze në botë si “Bazaar”, “Madame Le Figaro”, “I Fashion Network”, etj.
Si një punë e bukur në tërësi, falenderimet e Ilirjanit për stilisten e njohur shqiptare Mirela Baci nuk mund tëmungonin. Ajo është kujdesur në detaje për pamjen e tij në Paris, si dhe një javë më parë në Milano. Ai shpreh mirënjohje gjithashtu për Malan Breton stilistin e famshëm që krijoi veshjen me të cilin Ilirjani shkëlqeu.
Ndonëse Javët e Modës u mbyllën, aktivitetet për të ende vijojnë. Nga data 3-15 tetor ai do të jetë në disa aktivitete në Tiranë si dhe pjesë e “Miss Globe”, ndërsa më 4-9 dhjetor do të udhëtojë sërish për Miami Art Basel.