Kjo javë karakterizohet kryesisht nga nevoja për komunikim. Do të jemi shumë të komunikueshëm dhe do të na preokupojnë temat e jetës sonë të përditshme si: ana sentimentale, fëmijët, si dhe preokupime të tjera të ditës. Njëkohësisht është një periudhë që karakterizohet nga një ndjeshmëri e tepruar dhe nga atoni. Vëmendje të veçantë duhet të tregojmë rreth datave 6 dhe 7 qershor, të mos marrim vendime, të mos bëjmë marrëveshje apo kontrata pasi mënyra se si ne i perceptojmë gjërat është e turbullt dhe e paqartë. Mbani shportë të vogël ndaj premtimeve që do t’ju bëjnë dhe mos besoni gjithçka që dëgjoni. Ruani marrëdhëniet në datën 6 qershor dhe lini mënjanë xhelozinë si dhe tendencat sunduese. Fundi i javës nuk është për shumë gjëra, relaksohuni duke bërë ndonjë shëtitje apo duke shkuar në kinema.
DASHI
Gjatë kësaj jave do të jeni shumë të komunikueshëm, do të keni shumë vajtje-ardhje dhe do të jeni kryesisht të preokupuar me fëmijët apo me çështje sentimentale jashtë familjes suaj. Në datën 6 dhe 7 të jeni të kujdesshëm në mënyrën si do të trajtoni çështjet apo problemet tuaja profesionale dhe sociale. Mos merrni vendime, mos besoni ato që dëgjoni dhe tregoni vëmendje të veçantë bisedave në mjedisin tuaj. Kontrolloni sjelljen dhe ruani marrëdhëniet, ju të lindurit rreth datës 10/4, dhe njëkohësisht mos lejoni problemet familjare të jenë pengesë në punën tuaj. Mos u mbështetni në premtimet e të tjerëve dhe tregoni kujdes në lëvizjet financiare gjatë javës, vetëm në qoftë se jeni të sigurt për rezultatin mund të veproni.
DEMI
Gjatë kësaj jave vëmendja juaj është e përqëndruar kryesisht në sferën financiare, diskutime dhe lëvizje të theksuara në këtë drejtim. Disa nga ju do të doni të bëni një investim lidhur me zgjerimin e biznesit, apo do të konsideroni si rast një hapje në fushën profesionale e cila do të kërkoj një farë invenstimi nga ana juaj. Do të thosha të mos merrni vendime dhe të mos bëni invenstime këtë javë dhe sidomos në datat 6 dhe 7, pasi gjërat nuk janë ashtu siç duken dhe ekziston mundësia të dilni të humbur,lëreni për pak më vonë. Probleme me marrëdhëniet tuaja mund të keni rreth datës 6, çdo gjë varet nga sjellja juaj. Mos hyni në marrëveshje financiare me ambientin tuaj shoqëror.
BINJAKËT
Gjatë kësaj jave do të jeni shumë të komunikueshëm dhe të përqëndruar kryesisht në marrëdhëniet si dhe në sferën profesionale. Është një javë jo shumë e mirë për ju, pasi ekziston mundësia të bëni gabime. Mos merrni vendime lidhur me biznesin dhe mos bëni lëvizje financiare, veçanërisht rreth datave 6 dhe 7 qershor. Ju të lindurit rreth këtyre datave do të keni një ndjeshmëri më të madhe, mbase dhe atoni dhe do të keni tendenca të anulloni gjërat, të jeni të kujdesshëm gjatë gjthë vitit, të mos bëheni viktima shfrytëzimi dhe të mos zhgënjeheni nga gjëra që ndryshe i prisnit dhe ndryshe do t’ju dalin. Në sferën sentimentale gjithashtu ekziston një antitezë, disa do të zhgënjehen dhe të tjerë do të hyjnë në një marrëdhënie që për momentin e konsiderojnë ideale, por koha do ta tregojë. Në përgjithësi mbani shportë të vogël.
GAFORRJA
Të preokupuar me marrëdhëniet apo bashkëpunimet do të jeni në fillim të javës dhe sidomos në datën 6 qershor. Shmanguni tendencave për kontroll dhe sundim, gjithashtu kontrolloni pasionin me qëllim ruajtjen e ekuilibrit në to. Rreth datave 6 dhe 7 të jeni të vëmendshëm dhe të mprehtë ndaj prapaskenave apo marrëveshjeve me karakter financiar. Këtë javë ndoshta nuk do të jeni në formë të mirë për të ndjekur ritmin e shpejtë që kërkojnë detyrimet tuaja profesionale si dhe jeta e përditshme, mos u shqetësoni merrni kohën që ju duhet dhe planifikoni hapat e mëtejshme pasi shumë shpejt kushtet do të ndryshojnë.
LUANI
Gjatë kësaj jave jeta juaj shoqërore është mjaft intensive dhe do të bëhet dhe më intensive javën tjetër. Do të ndiheni të lodhur, por është e domosdoshme të jeni të aktivizuar në jetën sociale dhe t’u përgjigjeni ftesave që ju bëjnë, pasi nëpërmjet njohjeve që do të bëni do t’ju jepet mundësia të realizoni planet tuaja ambicioze apo do t’ju ndihmojnë në karrierën tuaj. Në sferën financiare mos bëni marrëveshje, kontrata si dhe investime. Kujdesuni për shëndetin, por kryesisht për një mënyrë jetese të shëndetshme. Në ambientin e punës mos diskutoni për të tjerët se mund të gjendeni të ngatërruar pa shkak në thashetheme. Ditët më problematike janë 6 dhe 7 qershor.
VIRGJËRESHA
Shumë komunikues dhe të aktivizuar do të jeni si në sferën profesionale ashtu dhe në atë sociale, por mirë është të mos flisni për jetën tuaj personale gjatë bisedave që do të keni, pasi jepni ushqim të tjerëve për t’ju mbajtur në gojë. Gjatë kësaj jave duhet të jeni shumë të kujdesshëm dhe të mbani shportë të vogël ndaj sugjerimeve profesionale që mund të keni. Gjithashtu mos hyni në marrëveshje financiare dhe mos bëni investime, veçanërisht rreth datave 6 dhe 7 qershor, pasi mundësia më e madhe është të dilni të humbur. Të njëjtën kujdes duhet të tregoni në marrëdhëniet me fëmijët si dhe me bashkëshortin apo me lidhjen tuaj në përgjithësi. Disa mund të ndiheni të zhgënjyer gjatë këtyre ditëve, ndërsa ju që filloni një lidhje të re në këtë periudhë mund ta konsideroni ideale, por është shpejt të nxirrni konkluzione. Më të ndikuar janë ata të lindurit rreth datave 7-9 shtator.
PESHORJA
Vazhdoni të kaloni një periudhë pozitive gjatë së cilës dhe të doni nuk do të arrini të ngadalësoni ritmet e aktivitetit tuaj. Jeni shumë komunikues dhe shumë të interesuar të merrni informacione për gjëra që ju interesojnë dhe do t’ia arrini me sukses. Të tregoheni diplomat, madje është diçka që ju karakterizon, në problemet që mund të hasni në marrëdhëniet tuaja profesionale por dhe personale, veçanërisht të martën dhe të mërkurën. Në momentin që merreni me një aktivitet apo një punë fizike të jeni të kujdesshëm ndaj aksidenteve, kjo mund të ndodhë si pasojë e mospërqëndrimit. Ditët më problematike të javës 6 dhe 7 qershor.
AKREPI
Kaloni një periudhë që herë-herë karakterizohet nga euforia dhe herë-herë nga një pakënaqësi. Mund të keni edhe gjatë kësaj jave momente që nuk do të dini se çfarë doni dhe do të keni njëfarë ndjenje pakënaqësie, gjë që mund t’ju udhëheqë të bëni një kontroll endoskopik dhe të gjeni zgjidhje për ato që ju shqetësojnë. Mos bëni shpenzime të panevojshme gjatë ditëve 6 dhe 7 qershor. Ruani marrëdhëniet tuaja të martën dhe të mërkurën dhe ka mundësi që disa prej jush të bëjnë bisedime apo kontrata të fshehta në këto ditë. Çështje ligjore, që mund t’ju preokupojnë mirë, është t’i lini nga e premtja dhe në vijim.
SHIGJETARI
Kemi thënë që gjatë kësaj periudhe marrëdhëniet dhe bashkëpunimet janë në qendër të interesit tuaj, por edhe biznesi apo puna ju preokupojnë tani. Jeni shumë komunikues dhe hyni në kontakte për realizimin e synimeve profesionale, por mos harroni se duhet patur shumë kujdes rreth datave 6 dhe 7 qershor dhe kryesisht ju të lindurit rreth datave 7- 9 dhjetor. Kujdes në sferën financiare por dhe në marrëdhëniet ekzistuese, qoftë profesionale apo personale. Të njëjtën gjë do të thosha dhe për sferën sentimentale, i jepni dimensione më të mëdha dhe mund të duken ideale, por mos u nxitoni pasi mënyra si i shikoni gjërat këtë periudhë nuk është dhe kaq reale.
BRICJAPI
Java fillon me perspektiva të mira në sferën profesionale, por dhe në atë financiare.Njëkohësisht është një javë që do t’ju jepet mundësia të krijoni marrëdhënie që do të jenë frytdhënse në të ardhmen. Rreth datës 6 këmbëngulja për të imponuar “vullnetin” tuaj ose për të kontrolluar situatat mund të dëmtoj marrëdhëniet tuaja, tregohuni më elastik. Të kujdeseni për shëndetin dhe të jeni të përqëndruar kur ngasni makinën, veçanërisht gjatë datave 6 dhe 7. Jepni ndihmën tuaj njerëzve që kanë nevojë. Në fund të javës kujdesuni për relaksimin tuaj, sidomos të dielën që është një ditë mjaft pozitive për ju.
UJORI
Fillimi i javës ju gjen të preokupuar me fëmijët, ju që jeni prindër, por edhe me jetën tuaj personale ju të tjerët. Jeni mjaft komunikues, me dëshirë të madhe për flirt dhe për të kaluar bukur. Rreth datave 6 dhe 7 duhet të tregoni kujdes në çështjet financiare dhe t’i shmangeni riskut. Të martën dhe të mërkurën mos jepni ushqim për komente apo vërejtje në ambientin e punës dhe mos ngatëroni çështjet familjare me ato profesionale. Kujdesuni për shëndetin dhe vendosni një regjim në prag të verës.
PESHQIT
Çështje lidhur me ambientin familjar mund t’ju preokupojnë gjatë kësaj jave dhe kryesisht nga e marta deri të premten. Mund të jenë çështje që kanë të bëjnë me pasurinë e patundshme, me një ndërrim vendbanimi apo çështje shëndeti të një personi familjar. Punët që presin mirë është t’i lini për më vonë përndryshe tregohuni të kujdesshëm dhe ofroni ndihmën tuaj pa menduar se të tjerët përfitojnë nga ju dhe ju përdorin. Mund të kaloni momente të bukura me kolegët në fillim të javës dhe diskutimet që do të bëni mirë është të mos bëhen të njohura. Në sferën sentimentale situata është premtuese në përgjithësi, por nuk do të mungoj dhe zhgënjimi për disa përfaqësues të shenjës.Mos u besoni gjithë premtimeve, por dhe ju mos premtoni gjëra për të cilat ende nuk jeni të sigurt.