Shumë shpejt në ekranin e ‘Top Channel’ pritet të nisë emisioni më i ri muzikor i quajtur ‘Jeho’, i cili do të jetë një prodhim i ri pas mbylljes së ‘Top Fest’. Juria e spektaklit të ri muzikor do të përbëhet nga Kledi Bahiti, Elgit Doda dhe Megi Pojani, sipas burimeve të ‘Anabel.al’.
Të tre emrat e njohur, Bahiti, Doda dhe Pojani do të vlerësojnë konkurrentët në lidhje me projektet e tyre muzikore, të cilat do të paraqiten në kompeticion.
Ashtu siç është bërë e ditur dhe disa muaj më parë, drejtori artistik i tij do të jetë Alban Male, ndërsa Fjoralba Ponari do ta drejtojë. Në këtë garë pritet të prezantohen 4-5 konkurrentë çdo javë, të cilët me vlerësimin e jurisë do të kalojnë në netët gjysmë finale dhe atë finale.
“Jeho është një festival i mirëfilltë i muzikës moderne shqiptare, në sensin që nuk ka ndonjë barrierë ashtu si ‘Top Fest’” u shpreh Alban Male në “E Diell” disa javë më parë, duke sqaruar të gjithë teleshikuesit rreth asaj çfarë pritet të sjellë./revistawho.com