Marrëdhënia mes Mirit dhe Selinës ka kaluar nga afrimi i heshtur në një përplasje të hapur, me tone që tejkalojnë emocionin e momentit. Gjatë Prime-it të fundit të Big Brother VIP Albania, Miri e cilësoi Selinën “besëprerë”, duke shtuar se nga ajo kishte marrë “thika pas shpine”. Një deklaratë e drejtpërdrejtë që la të kuptohej se bashkëpunimi i tyre në lojë kishte marrë fund, të paktën për tani.
“Ne jemi të ndarë dhe kam mbetur pak keq nga kjo pjesë, sepse nuk më është thënë në sy që do ta vazhdonim lojën vetëm. Unë e prisja këtë në çdo moment, e pyesja shpesh: a jemi bashkë apo jo? Ndodhi ajo që ndodhi, thika pas shpine. Të vazhdojë vetëm, i uroj fat,” deklaroi ai, në një rrëfim që vulosi ndarjen e tyre strategjike dhe emocionale.
Selin, nga ana tjetër, reagoi duke e zhvendosur fokusin nga drama te parashikimi i saj i hershëm për këtë distancim.
“Dua t’i them Rogertit të mos shqetësohet për familjen time. Për pjesën e Mirit, mezi po prisja Prime-in e sotëm sepse e dija që kishte folur për mua. Miri në çdo cep të shtëpisë flet vetëm për Selin. E kam pritur nga ai këtë qasje,” u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se përplasja nuk ishte surprizë, por një kapitull i paralajmëruar.
Miri e mohoi këtë pretendim me një përgjigje të drejtpërdrejtë:
“Unë nuk flas vetëm për Selinën, flas për të gjithë kur më pyesin.” Por ndërhyrja e Rogertit e shtoi edhe më shumë tensionin, duke deklaruar se situata mund të mos jetë përfundimtare dhe se Selina “mezi pret largimin e Gimbos nga shtëpia që të kthehet edhe njëherë me Mirin”, një aludim që ndezi debat të ri për motivet reale brenda shtëpisë.
Për momentin, një gjë është e sigurt, përplasja Selin-Miri ka ndryshuar ekuilibrat e lojës dhe ka ndezur një nga debatet më të forta të këtij edicioni.








