Fotot: Endrit Mërtiri / Hair & Make Up: Suela Çangu / Ambienti: Epoca Arredamenti Albania
Flokëkuqja më simpatike e showbiz-it shqiptar, ka ndenjur pak urtë kohët e fundit. Por kjo nuk do të thotë se ajo ka marrë pushimet. Përkundrazi, po përgatitet të rikthehet më në formë se kurrë. Dhe këtu nuk e kemi fjalën vetëm për pamjen fizike, sepse me siguri sytë ju shkuan menjëherë tek fotot që po ju sjellim nga Jeta Faqolli. Ajo po bëhet gati ta mbyllë me “zhurmë” vitin që po lëmë pas, dhe të nisë me shumë vrull të riun që po vjen. Në një rrëfim për “revistawho.com”, këngëtarja rrëfen si ishte jeta e Jetës përgjatë gjithë vitit. Ajo ndan me lexuesin momentet më të gëzuara e të trishtueshme të tij. Po ashtu tregon se ka shumë shpresa për 2016-tën. Jeta i ka bërë një kërkesë të veçantë babagjyshit… Zbulojeni në rreshtat e kësaj interviste.
Jeta, si ka qenë ky vit për ty?
Ky vit që po mbaron ka qenë i mbushur me punë e angazhime të shumta. Mund të them se rezultati më i mirë i këtij viti, do të shihet pikërisht tani në fund. Kemi surpriza (buzëqesh).
Momenti më i bukur dhe ai më i keq?
Jam me fat se kam plasur plot momente të bukura në jetën time private. Ndërsa momenti më i keq i këtij viti, është ndarja nga jeta e dajës tim. E përjetova vërtetë keq.
Çfarë mësove gjatë këtij viti?
Kam mësuar diçka shumë të rëndësishme. Ka lidhje me punën time. Dhe në bazë të kësaj kam vendosur që t’ia nis nga e para, me një menaxhim komplet ndryshe.
Çfarë fitove gjatë këtij viti?
Gjënë më të vyer që ekziston, gjatë këtij viti kam fituar njerëz. Plot njerëz e miq të mirë që tashmë janë shumë të rëndësishëm.
Bëre para?
Në fakt kam bërë para. Por nuk kam bërë mjaftueshëm, aq sa do të duheshin.
Cila është kënga që të pëlqeu më shumë gjatë këtij viti?
Jan ë dy këngë që më kanë mbetur gjatë në memorie. Dua shumë këngën e Cris Cab – “Englishman in New York” dhe bashkëpunimin midis kolegëve Ledri Vula e Era Istrefi – “Shumë pis”.
Po këngëtari?
Këngëtarja ime e preferuar vazhdon të mbetet Dafina Zeqiri.
Jeta si po i pret festat?
Të them të drejtën tanimë festat nuk është se i pres me aq padurim sa dikur. Megjithatë kur vjen dita me shumë dëshirë i festoj dhe unë bashkë me të tjerët.
Ku të pëlqen t’i kalosh?
Më pëlqen më së shumti t’i festoj jashtë vendit. Ndihem shumë më e lirë andej.
Bëhesh pjesë e përgatitjeve për festat në shtëpi? Gatuan, pastron?
U bë ca kohë që unë nuk marr pjesë në përgatitjen e festave në shtëpi. Kjo për arsye se shpesh ditët e festave mua më gjejnë larg.
Të pëlqen të bësh dhurata? I ke nisur blerjet?
Më pëlqen shumë. Kam në plan që edhe sivjet të bëj jo pak dhurata. Sidomos do përgatis patjetër një super-dhuratë për mbesën time e cila ka ardhur në jetë vetëm prej pak kohësh. Mezi po pres.
Vetë çfarë dhurate dëshiron të marrësh?
S’kam shumë pretendime (qesh). Për shembull do të më gëzonte thjesht ideja që dikush është kujtuar për mua. Mjaftohem me kaq!
I ke kërkuar Babagjyshit një princ të kaltër për këtë vit?
(Qesh) Po, ia kam kërkuar dhe e di që do të ma plotësojë dëshirën. Me siguri shumë shpejt do të kem në dorë princin tim të kaltër (qesh).
Do të sjellësh ndonjë material të ri për festa?
Po. Ky është lajmi i mirë që dua të ndaj me ju (buzëqesh). Kam një baladë që po bëhet gati të dalë për publikun. Do të vijë nga unë si dhuratë festash për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri. Nuk po zbuloj më shumë…
Çfarë pret nga viti 2016? Cilat janë objektivat që i ke vënë vetes?
Shpresoj që ky vit i ri që po troket, të më sjellë plot gjëra të reja dhe suksese. Kam punuar shumë dhe kam besim se do t’i korr shumë shpejt frytet e punës sime. Objektivat janë të shumta, dhe kryesisht kanë të bëjnë me karrierën time.