Të gjithë e kanë ndjekur pastorin Akil Pano në shumë prej programeve sociale në ekran, por pakkush e di se përtej citimeve bilblike apo këshillave të një pastori, Akili jeton një jetë të lumtur familjare me Linditën, bashkëshorten e tij, dhe dy fëmijët, Deborah 21 vjeҫ dhe Xhonatanin, 18 vjeҫ. Të ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan, pastor Akili së bashku me Linditën, kanë rrëfyer më shumë detaje nga jeta e tyre e përbashkët përgjatë këtyre 22-vjetësh. Të njohur në fillim të viteve ’90, Akili dhe Lindita gjetën diҫka të përbashkët që i lidhi me njëri-tjetrit. Ai në atë kohë nuk ishte pastor, por një muzikant që i binte organos, me duar të bukura, të cilat Lindita ia kishte vënë re dhe ia kishte pëlqyer, ndërsa ajo ishte në fund të studimeve për Inxhinieri Elektrike. Por ishte natyrë rebele: “Të gjithë meshkujt (sidomos shqiptarë) janë të prirur të zbusin kryeneҫësinë, ndaj edhe ajo i tërheq më tepër”, – tregon Akili për Linditën, e cila e kishte bërë më shumë për vete me natyrën e saj rebele. Dhe dy vjet pas njohjes, më 25 shtator të 1994-ës, Lindita dhe Akili u martuan dhe më vonë sollën në jetë Deboran, tre vjet pas saj edhe Xhonatanin. Jeta përgjatë këtyre 22-vjetëve nuk ka qenë e thjeshtë as për familjen e pastor Panos, ashtu siҫ nuk ka qenë e tillë edhe për shumë të tjerë, por ndryshe nga të gjithë, ata e gjejnë gjithmonë një ushqim shpirtëror për jetën e tyre dhe të fëmijëve. Të pyetur se cili është sekreti i një martesë jetëgjatë si ajo e tyre, Akili dhe Lindita këmbëngulin te kultivimi i saj, ditë pas dite, nga të dy palët: “Unë mendoj se muaji i mjaltit dhe dashuria mund të mbarojnë, nëse nuk kultivohet ditë pas dite dhe nuk ushqehet nga të dy palët”, – thotë pastori. Këshilla e tij kryesore për ҫiftet e reja, ata që janë në prag apo sapo kanë nisur një jetë të re bashkë është: “Mos lejoni askënd ta administrojë martesën tuaj, përveҫ ju të dyve. Ju mund t’ia lini nën administrim dikujt një faqe Facebook-u, por martesa nuk funksionon kështu. Shumica e femrave ia besojnë martesën e tyre shoqeve, mamave, apo më keq edhe kolegëve… Jini administratorë të mirë të martesës suaj dhe vetëm flisni të vërtetën”, – është mesazhi që Pano u jep të gjithëve nga ekrani./ revistaclass.al