Gjithsecili prej nesh është penduar për diçka në jetë. Veprime këto që kanë lënë ose jo pasoja. Por, për çfarë mund të jetë penduar aktori i humori Julian Deda? Në një intervistë për revistën Shije, njohim një anë tjetër të Julian Dedës. A gatuan Juli, cili është ushqimi i tij i preferuar, çfarë nuk vë dot në gojë, çfarë çmendurie ka bërë kur ka qenë i dehur? Përgjigjet e këtyre dhe informacione të tjera i gjeni në intervistën e mëposhtme:
T’ia nisim nga rutina e ditës dhe nga angazhimet e tua. Emisioni, familja, rrjetet sociale janë shtuar impenjimet në jetën e Julianit. Keni vendosur një listë të gjërave më të rëndësishme?
Përshëndetje si fillim, ju falenderoj për intervistën. Për sa i përket pyetjes
emisioni, familja dhe rrjetet sociale nuk janë për mua impenjime të shtuara por
janë zgjatime, tashmë janë bërë normale nuk jetohet as pa punë, as pa familje e
cila nuk diskutohet dhe rrjetet sociale janë bërë të domosdoshme.
Për më tepër që jemi në një kohë që media ka maninë të kapet dhe mos të jetë e
lirë dhe rrjetet sociale janë një media e pavarur ku askush nuk arrin dot të
censurojë mendimin tënd të paktën deri tani, më vonë nuk e di. Prandaj ne i
mëshojmë më shumë rrjeteve sociale, pasi aty themi atë që ne mendojmë dhe
ashtu siç e mendojmë, ka dhe të metat e veta pasi të jep një vetëbesim të shtuar
në lidhje me opinionin publik, sepse ti mendon se ajo që ti thua është e vërteta
dhe kjo është e gabuar pasi ai është thjesht mendimi yt. Por, është e vërtetë që rrjetet sociale marrin shumë momente të rëndësishme të
ditës.
Çfarë ka kaluar në vend të dytë në jetën tuaj nga ato gjëra që dikur kanë qenë më
të rëndësishme?
Asgjë, gjithsecila ka kohën e vet. Ka ditë që familja është në vend të dytë në
sensin e kohës, ka ditë që është në vendin e parë dhe puna kalon në vendin e
dytë. Varet nga rrethana dhe situata.
Flasim për Julianin dhe ushqimin. Cila është marrëdhënia juaj me kuzhinën?
Siç e shikon jam një njeri i bollshëm, kam një marrëdhënie shumë të mirë me
ushqimin, një marrëdhënie gati-gati ndjenjash. Por aq sa dukem sportiv në të
ushqyer aq kam dhe preferencat e mia në përzgjedhje. Për shembull pastiçon
unë nuk e ha dot fare, bamjet gjithashtu. Me pak fjalë ushqimet e shëndetshme
unë nuk i ha. Menuja ime fillon me patatet e skuqura, djathin e bardhë, unë e ha
djathin me djathë. (qesh) Përsa i përket pijeve, nuk pi birrën.
Gatuan Juli për fëmijët?
Jo, nuk kam mësuar dot kurrë megjithëse kam dashur shumë. Nuk e di sepse
nuk kam arritur dot kurrë të mësoj të gatuaj. Dhe nja dy gjëra që i dija, i kam
harruar.
Ka ndonjë menu ditore të përcaktuar në familjen tuaj, apo ndonjë dietë me
ushqime të preferuara, apo edhe ndoshta të ndaluara?
Bashkëshortja ime është ajo që merret me këtë pjesë dhe gatuan në mënyrë të
shkëlqyer. Në përgjithësi është e prirur të gatuajë gjellë me lugë, unë jam ai që
kërkoj gjëra të thata. Por varet nga dita dhe ne e vendosim çfarë do të hamë.
Menuja ime është e improvizuar, por në shtëpinë tonë gatuhet gjithçka.
Të kanë ngjarë fëmijët mbi preferencat e ushqimit? I këshillon mbi ushqime të
caktuara të cilat ti nuk ke dëshirë që ata t’i konsumojnë?
Vajza po, djali jo. Me vajzën po, ndodh shpesh t’i them mos ta teprojë me
ushqime të caktuara, por më pas shoh sesi ajo rehatohet kur ushqehet dhe aty
nuk them më asgjë. Vjen në shtëpi dhe thotë “babi jam e këputur, s’jam mirë”
dhe direkt sapo ha diçka e shikoj sesa mirë ndihet dhe e ka argëtim ushqimin.
Mendon se ushqimi është një nga “dashuritë” më të mëdha të jetës?
Po, pa diskutim që është një nga momentet më të preferuara të ditës, sidomos
kur je me pushime, unë dua të ha mire, të pushoj mirë.
Cili është ai ushqim që bashkëshortja juaj e përdor si “armë sekrete” dhe direkt
nervat e tua bien, ose të rregullohet dita?
Po më vendosi patate të skuqura para aty gjithçka rregullohet. Po pashë patate
të skuqura dhe një copë djathë të bardhë të mirë, dhe nerva po të kem bien. Jam
i thjeshtë, pa shpenzime (qesh).
Po të binte flakë në kuzhinë, cilin ushqim do të shpëtoje të parin?
Do të shpëtoja veten bashkë me gruan dhe fëmijët. Por, varet se çfarë do
ndodhej aty. Një byrek me spinaq do e shpëtoja për shembull, ndonjë patate,
ndonjë imam bajalldi ose ndonjë turshi simpatike (qesh). Dhe krudot. (qesh)
Çfarë konsumon para një shfaqjeje, po pas saj?
Para shfaqjes nuk ha shumë, pasi nuk është e mirë për diafragmën dhe zërin. Ha
minimalisht 3-4 orë para. Pas shfaqjes varet, nuk kam një ushqim të caktuar.
Nuk jam një njeri që ha shumë në sasi, por jam njeri me neps të madh i dua t’i
ha të gjitha nga pak. Nuk e kam problem nëse rri një darkë pa ngrënë.
Cili është ushqimi i preferuar nga duart e nënës, për të cilin të ka marrë malli?
Sa herë që shkoj në Shkodër, mamaja ime gatuan në sistem otoman, pra gatuan
gjithçka që unë më pas të ha çfarë të dua. Ajo e ka shumë qejf uthullën dhe e
përdor në çdo gatim (sepse mendon se uthulla të dobëson), dhe mua më pëlqen
uthulla t’ia hedh sallatës ose gjellës dhe në shtëpinë time nuk e bëj dot ose e bëj
vetëm tek pjata ime dhe kur shkoj tek mamaja këtë gjë e gjej gjithmonë.
Konsumon alkool?
Jo nuk hyj tek konsumatorët e rregullt të alkoolit, mund të pi ndonjë gotë rrallë.
Cila është gjëja më e çmendur që ke bërë kur ke qenë tapë?
Kam bërë një tatuazh budalla, kur kam qenë adoleshent kam bërë një tatuazh që
nuk di sesi t’a heq pasi kam frikë nga dhimbjet.
Të pëlqejnë ushqimet e çuditshme?
Po, më pëlqen shumë sushi, ushqimi kinez gjithashtu.
Ke menduar të kesh një emision tëndin, ta ideosh vetë dhe të jesh ti moderatori?
Po, padyshim që e kam menduar sepse gjithmonë mendoj për një hap tjetër për
një “next level”, por mendoj gjithashtu që duhet bërë më ngadalë. Sepse nuk
është problemi tek vështirësia për të bërë një emision vetëm, por tek fakti se ku
do shkosh pas kësaj. Pasi duhet një moshë pjekurie artistike edhe përvoje
përballë spektatorit, pasi unë këtë e quaj mbyllje karriere.
Por, unë ndihem ende i ri dhe energjik për të bërë këtë që po bëj sepse dua të
jem pjesë e një spektakli ku gëlon energjia dhe spektatorët nuk rrinë të ulur
duke bërë muhabet me njëri-tjetrin. Nuk jam ende i bindur që dua të dal nga kjo
guackë, dhe për momentin jam shumë mirë dhe ndihem ende i ri, dua t’a shfryj
energjinë që kam.
A ke një bllok ku shënon batuta që të vijnë në mendje dhe ke frikë se mos i
humb?
Jo, nuk kam asnjë bllok të shënoj batutat, nuk shënoj sepse preferoj të jem
spontan në prova. Në 100% të Apartamentit 2xl 60% të skenave janë
improvizime.
A ke në projektet e tua të afërta realizimin e një filmi?
Po, kam bërë një film para dy vitesh, dhe jam në pritje për një tjetër projekt,
sepse fatkeqësisht puna ka ngecur tek mbledhja e fondeve, pasi në Shqipëri ka
para për çdo gjë vetëm për artin jo. Nëse bëhet një konkurs bukurie jepen fonde
ndërsa për filmin shumë pak.
Cili nga fëmijët e ka trashëguar sensin e humorit?
Të dy e kanë, djali e ka më të theksuar, por edhe vajza e ka të trashëguar pak.
Nuk mund të them dot sot nëse do bëhen aktorë ose jo, di të them se dua të
bëhen profesionistë dhe njerëz të mirë në fushën që do zgjedhin