Ish-moderatorja dhe artistja e njohur, Inida Gjata, e njohur si Zhaku, ka ndarë detaje të sinqerta mbi periudhën më të errët të jetës së saj. Në një rrëfim të hapur për emisionin “Profil”, ajo tregoi sesi emigrimi në Gjermani ishte vendimi që e shpëtoi.
Zhaku pranoi se, përpara se të largohej nga Shqipëria, ishte në një gjendje të rënduar emocionale dhe shpesh e ndjente veten të humbur. Ajo e përshkroi rininë e saj si një periudhë kaotike, ku abuzimi me alkoolin dhe substancat narkotike ishte i pranishëm.
“Ku rafsha mos u vrafsha, është përcaktimi që i bëj vetes. Shyqyr që në atë drejtim nuk jam më ashtu, sepse me vërtetë shpesh herë kam qenë në dorë të Zotit. Dhe realiteti kur unë kam qenë e re ka qenë ku rafsha mos u vrafsha,” rrëfeu ajo.
Duke kujtuar adoleshencën e saj në Shqipëri, Zhaku tha se situata e vendit në vitet ‘90 ndikoi drejtpërdrejt në mënyrën se si ajo e jetoi atë periudhë.
“Kur kam qenë unë 15-vjeçe ka qenë 1997 këtu, dhe ne na lanë pa shkollë, plumba gjithandej, kriminelë gjithandej, kallashnikov gjithandej. Dhe ne gjithë ditën pinim barë sa këtu, atje, sa te liqeni, kështu e kalonim kohën. Imagjino ti çfarë abuzimi kur je 15 vjeç, një abuzim sikur je një njeri komplet i dëshpëruar që nuk ke fare të ardhme që në pikë të mëngjesit kaçurel, bar, rrugëve… Këtu mu mbyllën të gjitha dyert, e vetmja derë e hapur ishte Kristjani dhe Gjermania,” u shpreh ajo.
Pasi u vendos në Gjermani, ajo e pa këtë ndryshim si një proces të nevojshëm që i dha mundësinë të ndërtonte një jetë të re.
“Në Gjermani kam nisur një proces shumë të domosdoshëm, shumë të nevojshëm për mua, që më ka bërë shumë mirë… Kështu 31 vjeçe nisa jetën nga e para, shkova në Gjermani, mësova gjuhën, krijova një jetë të re, s’më njihte askush. Nisa një jetë shumë të thjeshtë. Punoja në kuzhinë,” tha ajo.
Sipas saj, ky ndryshim ishte shpëtimi që i duhej për të dalë nga gjendja depresive.
“Në ato momente njeriu ka nevojë për një ndryshim rrënjësor, vetëm ajo është zgjidhje… Nuk doja fare të ekzistoja në Shqipëri dhe sa herë shikoja ndonjë koment, u thoja mos të më përmendnin. Kisha nevojë për këtë restart. Mbi të gjitha kuptova se para se të mendoj të shpëtoj botën, duhet të shpëtoj veten,” përfundoi ajo.