Këngëtarja Gigliola Haveriku ishte së fundmi e ftuar në podcastin “Flet” të moderatores Ilnisa Agolli, ku ndau detaje të rëndësishme nga karriera, roli i saj si nënë, si dhe disa momente të vështira nga jeta e saj personale. Në mënyrë të hapur dhe të ndjerë, Gigliola ndau përvojat e saj mbi dhunën, një temë që ajo e përshkroi si shumë delikate.
“Kam përjetuar dhunë të formave të ndryshme. Sepse dhuna ka shumë forma. Është dhunë fizike, psikologjike, emotive. Padyshim është një temë tepër delikate. Sepse fare pak kohë më parë ka qenë dhe dita kundër dhunës ndaj grave dhe unë kam bërë një postim shumë të ndjerë ku mora pak kohë për të thënë se sa e rëndësishme është fjala ‘Jo’. Fjala ‘Jo’ kur i thuhet abuzuesit. Dhuna nuk ka justifikim. Në fund të kësaj videoje që unë bëra në rrjete sociale shpreha që edhe unë vetë kam qenë viktimë e dhunës. Padyshim që e kam përjetuar edhe unë vetë nën lëkurën time… në trupin tim… E kam përjetuar në forma shumë të ndryshme gjatë gjithë këtij rrugëtimi të mrekullueshëm që është jeta,” tha Gigliola.
Këngëtarja tregoi se edhe pse e ka kaluar këtë përvojë të dhimbshme, ajo është ende në proces të shërimit emocional dhe të përballjes me kujtimet e saj. E pyetur për arsyet që çuan drejt kësaj dhune, Gigliola zgjodhi të mos hyjë në detaje, duke theksuar se aktualisht po e përpunon këtë periudhë me ndihmën e terapistes së saj.
“Unë mund të të flas vetëm për ndjesitë… ndjesitë e mira rreth dhunës. Për të gjitha etiketimet që ti i vendos vetes. ‘E meritoj. E nxita. E kërkova. E desha. Ishte faji im.’ Këto janë fjalët që një viktimë e dhunës e shoqërojnë në çdo hap. Para se të flesh gjumë, kur zgjohesh në mëngjes, të mundon një episod që mbase është i shumë viteve më përpara. Duhet t’i thuash vetes se këto nuk janë të vërteta. Ti duhet të punosh me veten dhe të luftosh këto mendime që të kaplojnë, sepse nuk është faji yt. Dhe kjo mendoj se nuk thuhet mjaftueshëm,” u shpreh këngëtarja.
Gigliola vuri në dukje se shoqëria shqiptare shpesh e paragjykon viktimën e dhunës, duke ia vënë fajin gruas për sjelljet abuzive të burrave.
“Ne jemi një popull që paragjykojmë dhe ja vëmë gjithnjë fajin femrës. Ne themi ‘Mbase e mërziti ajo ndaj ai veproi ashtu’ ose ‘Mbase kishte pirë një gotë më shumë. Ti e di si janë burrat.’ Thashë disa shembuj të realitetit shqiptar, por unë këto fjalë i kam përjetuar dhe vetë,” shtoi ajo.
Rrëfimi i Gigliolës duhet të vijë si një thirrje për ndërgjegjësim dhe mbështetje për të gjitha gratë që kanë kaluar apo po kalojnë situata të ngjashme.