Lajmet nga Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara kanë shkaktuar shqetësim të madh: forma e kancerit që i është diagnostikuar mbreti Charles në vitin 2024 thuhet se është e pashërueshme. Ky zhvillim tronditës është konfirmuar nga burime pranë ekipit mjekësor të sovranit dhe është publikuar nga “Daily Telegraph”, “Perez Hilton” dhe “Radar Online”.
Lajmi duket se përforcon komentin e pazakontë të princit Harry, i cili pak javë më parë kishte deklaruar për BBC-në: “Pyes veten se sa kohë i ka mbetur për të jetuar.”
Megjithatë, pavarësisht gjendjes së rënduar, mbreti Charles vazhdon të marrë pjesë në aktivitetet e tij zyrtare. Ai pritet të jetë i pranishëm edhe në ceremoninë madhështore “Trooping the Colour” më 14 qershor.
Familja mbretërore po përgatitet për më të keqen
Trashëgimtari i fronit, princ William, dhe bashkëshortja e tij Kate Middleton, kanë shtuar ndjeshëm paraqitjet publike dhe angazhimet zyrtare, teksa të gjithë sytë janë tashmë nga ata. Sipas burimeve, çifti po përgatitet për çdo eventualitet dhe po ndërmarrin hapa të qartë për të qenë gati për ndryshime të mëdha.
Shtypi ndërkombëtar shkruan: “Sovrani nuk do të vdesë nga kanceri, por me kancer”, duke cituar fjalët e mjekëve të tij. Pallati i Buckinghamit është duke menaxhuar me kujdes rrjedhjen e informacionit, duke theksuar se mbreti nuk është i shëruar, por është duke luftuar me vendosmëri. “The Irish Star” raporton se ai e ka përshkruar veten si “në anën tjetër” të fazës më të vështirë të sëmundjes.
Çfarë pritet të ndodhë nëse Mbreti Charles ndërron jetë?
Nëse ndodh më e keqja, procesi i tranzicionit është i qartë: princ William do të shpallet menjëherë mbret i Britanisë së Madhe. Ky proces do të ndodhë automatikisht në momentin e vdekjes së sovranit aktual, sipas ligjit të trashëgimisë.
Ceremonia tradicionale e shpalljes së mbretit të ri do të zhvillohet në Këshillin e Trashëgimisë në Londër, dhe pas kësaj, do të caktohet data e kurorëzimit – një ngjarje madhështore që do të ndodhë disa muaj më vonë.
Kate Middleton do të marrë titullin Mbretëreshë Konsort, dhe roli i tyre do të forcohet ndjeshëm në jetën politike dhe publike të vendit. Gjithashtu, pritet të ketë një peridhë zie kombëtare, gjatë së cilës aktivitetet publike do të pezullohen, dhe media do të ndryshojë axhendën e saj në respekt të sovranit të ndjerë.
Në vitin 2024, Pallati Buckingham njoftoi se diagnoza e Mbretit u bë gjatë një ndërhyrjeje për prostatën. Në atë kohë, gjendja dukej se ishte nën kontroll, por trajtimet e mëvonshme kanë sjellë pasoja dhe ndërlikime. Në mars, Charles u detyrua të ndërpriste përkohësisht angazhimet për shkak të efekteve anësore të terapive.
Ndërkohë, publiku dhe mbështetësit e monarkisë ndjekin me shqetësim çdo zhvillim, ndërsa familja mbretërore përpiqet të ruajë qetësinë dhe shpresën.