Kanye West, i njohur gjithashtu si Ye, është bërë sërish qendër e vëmendjes – këtë herë për shkak të publikimit të një kënge të re me titullin provokues “Heil Hitler”, e cila ka ngritur shqetësime serioze për gjuhën e urrejtjes dhe përmbajtjen antisemitike.
Videoklipi që shoqëron këngën tregon një grup burrash me ngjyrë të veshur me lëkurë kafshësh, që këndojnë fraza tronditëse si: “N**r, heil Hitler”. Ndërkohë, vetë West dëgjohet duke thënë: “I became a Nazi, I’m the villain”/U bëra nazist, jam personazh negativ.
Përzierja e një termi historikisht diskriminues me një përshëndetje naziste ka tronditur publikun, ndërsa një tjetër detaj shqetësues është përfshirja e një fragmenti të një fjalimi të Adolf Hitlerit nga viti 1935 në fund të këngës. Fakti që publikimi ndodhi më 8 maj – Ditën e Fitores në Europë kundër Nazizmit – është parë si një provokim i qëllimshëm.
Në një reagim të bërë në platformën X (ish-Twitter), West shprehu arsyet personale pas krijimit të këngës: “Këta njerëz më morën fëmijët dhe më ngrinë llogarinë bankare, kam kaq shumë zemërim brenda meje.”
Publikimi ka nxitur reagime të fuqishme, veçanërisht nga komuniteti hebre dhe organizata që luftojnë antisemitizmin. Disa platforma kanë vendosur ta heqin videon për shkak të shkeljes së politikave për gjuhën e urrejtjes, edhe pse materiali vazhdon të qarkullojë në internet.
Kjo nuk është hera e parë që West bën deklarata ose publikime kontroverse që nxisin debat të gjerë publik. Me këtë lëvizje të fundit, duket se ai po sfidon edhe më shumë kufijtë e shprehjes artistike dhe moralit publik.








