Kastro Zizo, një ndër artistët më të njohur të skenës shqiptare, ka ndarë një prej historive më të dhimbshme të jetës së tij personale. Në një rrëfim të sinqertë për Top Albania Radio, këngëtari tregoi se për plot një dekadë i është mohuar e drejta të shihte vajzën e tij – një periudhë që ai e përshkruan si më të errëtën e jetës së tij.
Pas shumë vitesh largësie të detyruar, Kastro mësoi se vajza e tij, tashmë 13 vjeçe, është në spektrin autik – një fakt që e ka tronditur thellë.
“Vajza nuk është si fëmijët e tjerë. Është në spektrin autik, vjen si pasojë e një historiku të gjatë, pak të errët, ku ka jetuar, te nëna e saj,” – rrëfeu ai me emocione të dukshme.
Këngëtari thotë se po lufton ligjërisht për të ndërtuar një marrëdhënie normale me të bijën dhe për të korrigjuar atë që e quan “padrejtësia më e madhe e jetës sime.”
“Unë mund të flas me orë të tëra për të… Në një moment kur nuk të është lejuar të shohësh vajzën për 10 vite, mëson se është autike. Mua më është ndërprerë çdo kontakt. Mesa duket kanë menduar se nuk isha i denjë, kanë tentuar të rrisin jo një qenie njerëzore, nuk kanë ditur të rrisin një fëmijë.”
Pasi mësoi për gjendjen e vajzës, Kastro nuk qëndroi duarkryq. Ai udhëtoi drejt Prishtinës, pas sinjaleve të marra nga shërbimet sociale, për të parë me sytë e tij kushtet në të cilat ajo po jetonte.
“Vajza është marrë nga unë në kushte të tmerrshme. Shkova në Prishtinë, u lajmërova nga shërbimet sociale, jetonte me të ëmën,” – tregoi ai.
Historia e Kastro Zizos nuk është vetëm një rrëfim prindi, por një thirrje për vetëdije dhe ndjeshmëri ndaj fëmijëve në spektrin autik dhe prindërve që luftojnë për t’u qëndruar pranë.








