Vetëm një ditë pasi ndezi polemika me deklaratat e tij pro Hitlerit dhe nazizmit, Kanye West ka tronditur sërish rrjetin me një tjetër veprim kontrovers. Reperi 47-vjeçar ka shprehur hapur mbështetjen për Diddy-n, i cili ndodhet në burg, dhe ka ironizuar sulmin e tij ndaj Cassie.
Fillimisht, West postoi një foto të Diddy-t në Twitter, duke përdorur një imazh të marrë nga pamjet e sigurisë së një hoteli në 2016, ku Diddy shihet duke goditur me grushte dhe shkelma partneren e tij të atëhershme, Cassie. Në përshkrimin e postimit, West shkroi:
“Kur një mashkull e do vërtet një grua, ai mund ta shprehë atë me inat. Identifikohem me të dyja palët.”
Në një tjetër postim ai shtoi:
“Duhet ta duash vërtet tjetrin që të arrish deri në pikën që të rrezikosh gjithçka.”
Si pjesë e këtij provokimi, West ndau gjithashtu një foto të një xhupi të markës së tij Yeezy, i cili ngjason me atë që Cassie kishte veshur në momentin e sulmit, duke e quajtur atë “Love Hoodie”.
Pamjet e dhunës, të publikuara nga CNN në maj, tregojnë producentin e njohur duke sulmuar fizikisht Cassie në një korridor hoteli në Los Anxhelos, i veshur vetëm me një peshqir të bardhë. Këto skena kanë shkaktuar zemërim të madh në rrjet, sidomos pas mbështetjes që Kanye i ofroi.
Postimi i tij erdhi pak pasi ai i bëri thirrje Donald Trump-it të ndërmjetësojë për lirimin e Diddy-t. Ky veprim shkaktoi reagime të ashpra, me shumë përdorues që ngritën shqetësime për sigurinë e gruas së tij, Bianca Censori, si dhe për ndikimin e tij si baba i dy vajzave të mitura, North dhe Chicago.
Në rrjetet sociale u shfaqën komente të shumta, ku thuhej:
“Kjo nuk është dashuri o vëlla, por urime që u ekspozove kështu. Tashmë të gjithë e dimë si e trajton Biankën.”
“Ke vajza dhe flet kështu. Turp.”
Ky nuk është rasti i parë që Kanye West përfshihet në polemika të rënda. Ditë më parë ai shkaktoi një stuhi reagimesh me komente antisemite, seksiste dhe homofobike në X (ish-Twitter). Kulmi i deklaratave të tij erdhi më 7 shkurt, kur ai shkroi se e konsideron veten nazist dhe shprehu hapur dashurinë për Hitlerin.