Edhe nëse nuk keni zë si Beyoncé, këndoni me gjithë shpirt. Në makinë, në dush, në karaoke – kudo që ndiheni rehat. Shkenca thotë se muzika është një nga mënyrat më të mira për të ushqyer trurin, për të përmirësuar shëndetin mendor dhe për të na afruar me të tjerët.
“Muzika mund të na prekë emocionalisht, fizikisht dhe të na lidhë me të tjerët – e gjitha kjo ndihmon shëndetin mendor,” thotë Daniel Bowling, profesor në Shkollën e Mjekësisë në Stanford. Edhe dëgjimi i një kënge të dashur ndihmon në uljen e stresit dhe përballimin e emocioneve negative. Por, kur ne e krijojmë vetë muzikën, ndikimi është edhe më i madh.
Sipas Bowling, këndimi ose luajtja me një instrument na jep ndjenjën e kontrollit dhe angazhimit, gjë që përforcon përvojën pozitive. Në fakt, një studim në Suedi me 8,000 binjakë zbuloi se njerëzit që merren më shumë me muzikë kishin ndjeshmëri emocionale më të lartë.
Një tjetër përfitim? Muzika ndihmon trurin të ruajë shëndetin me kalimin e moshës. Krijimi i muzikës nxit neuroplasticitetin – aftësinë e trurit për të krijuar lidhje të reja. Edhe nëse nuk jeni “të mirë” në muzikë, truri juaj përfiton.
Por muzika nuk është vetëm për ne si individë. Kur këndojmë me të tjerët – në kor, në një sesion karaoke apo edhe thjesht duke rrahur ritmin së bashku – trupi dhe truri ynë sinkronizohen me të tjerët. Kjo përforcon ndjenjën e lidhjes, ul nivelin e kortizolit (hormonit të stresit) dhe rrit oksitocinën – hormonin e “lidhjes sociale”.
“Këndimi në grup është një nga mënyrat më të mira për të harruar egon dhe për t’u ndjerë pjesë e diçkaje më të madhe,” thotë Daniel Levitin, neuroshkencëtar dhe muzikant.