Mal Retkoceri u shpall fitues i edicionit të 62-të në Festivalin e Këngës. A e njihnim? Jo, por ai u bë menjëherë kryefjalë e çdo lajmi. Në “10 pyetje me…”, ai ka zbuluar detaje të këngës, por planet e së ardhmes. “Çmendur” është shkalla e pare e një karriere që duket se premton shumë.
1. Kënga e parë, debutim i parë, çmimi i parë në Festivalin e Këngës, goditje në shenjë, ka qenë plan i mirëmenduar, apo diçka momentale që rezultoi sukses?
Dëshira ime ka qenë që ndoshta të fitoj diçka, sidomos çmimin për Eurovision, por nuk e kam menduar se do të ndodhte ky sukses që ndodhi. Kam dashur shumë më herët të provoj diçka në industrinë e muzikës, por nuk kam pasur projektin e duhur. Unë këtë rrugëtim e nisa disa muaj më pare, me një dëshirë të madhe, por nga ana tjetër e dija se isha artist i ri që sapo ka nisur rrugën në muzikë. Por, ndodhi e kundërta, e fitova festivalin. Jam shumë falënderues për komentet e mira dhe atyre që e kanë pëlqyer këngën. Këngën e kam krijuar dhe interpretuar nga zemra dhe mendoj se kjo është reflktuar te njerëzit.
2. Si e ke realizuar këngën “Çmendur”, është një këngë dedikim?
Këngën e kam realizuar në mënyrë shumë profesionale në dhomën time dhe vokalet i kam rregjistruar në dollap dhe i gjithë projekti dhe fitorja e vendit të parë në Festivalin e Këngës është realizuar me 0 euro, pra pa asnjë kosto. Gjithçka e kam realizuar vetë. Por kënga është dedikim dhe është interpretuar nga perspektiva e nënës time.
3. Si u ndjeve në skenë, teksa qindra sy të shihnin, qindra veshë të dëgjonin dhe juria të dha çmimin e parë?
Në natën e parë kam pasur emocione, por gradualisht në performancën e dy kam qenë më i qetë, pastaj edhe në performancën finale ku edhe mora çmimin, u ndjeva si në shtëpi, ka qenë një ndjenjë që nuk e kam përjetuar kurrë më parë. Kam qenë shumë i lumtur në performancën e tretë dhe më është dukur sikur jam duke performuar para fansave të mi, sepse publiku më ka dhënë të njëjtën energji që unë iu dhashë atyre dhe i falënderoj shumë. Jam shumë i lumtur edhe për vendimin që mori juria për të më dhënë çmimin e parë.
4. Në skenë pati dhe detaje, si gjuha, veshja që u komentua gjatë në media, kanë qenë thjesht rastësi, apo gjithçka e menduar mirë që goditja te publiku të jetë në të gjitha anët?
Në këtë festival jam nisur me dy gjëra në kokë. Këngën kur e kam realizuar, jam siguruar që të më pëlqejë mua dhe nuk e kam menduar se do të kishte impakt te një audiencë aq e madhe. Për mua ka qenë shumë e rëndësishme. Unë fitore e kam kosnideruar nëse do të kishte vetëm një persn që do të kishte të njëjtën shije muzikore dhe këngës që kam realizuar, por doli krejtësisht e kundërta. Këngën po e pëlqejnë shumë persona dhe për këtë jam falënderues.
E njëjta gjë ka ndodhur dhe me veshjen, nuk është se e kam menduar se çfarë do të mendojë apo komentojë publiku. Veshjen e kam bërë për këngën, temës që ka pasur dhe mbi të gjitha sepse më ka pëlqyer. Veshja ka pasur elemente femërore sepse kënga është interpretuar nga një grua e forte që është nëna ime dhe teksti tregon sesi ajo ka përjetuar dhe tejkaluar një pjesë të jetës së saj. Gjuha ka qenë e rastësishme, ashtu jam ndjerë të reagoj dhe ashtu kam reaguar.
5. Si je pritur në Shqipëri, si je ndier ti?
Në Shqipëri jam pritur shumë mirë. Pasi ka mbaruar festivali dhe mora çmimin, më kanë ndaluar shumë persona për të më përshëndetur, madje më kanë kërkuar dhe foto, më është dukur e çuditshme, por edhe e bukur njëkohësisht. Një çift madje më ftuan për darkë. Jam ndier shumë mire dhe vij me dëshirën më të madhe.
6. Çfarë bën tjetër në jetë Mali përveç muzikës?
Unë përveç muzikës mundohem që të jem sa më i shëndetshëm dhe aktiv në palestër. Këtë të fundit e kam pasion por edhe mënyrë jetese. Unë merrem dhe me video-editime, por tani jam duke u munduar të fokusohem më së shumti në muzikë.
7. Do të jetë muzika rruga jote tanimë, apo kryqëzim në të cilin do rikthehesh herë pas here?
Unë dua t’i bëj edhe videoklipin këngës “Çmendur” dhe të tregoj edhe vizualisht këngën dhe fabulën që ka. Mendoj se kënga është shumë e veçantë dhe me një temë interesante që mund ta përjetojë çdokush, kurdo. Unë do të publikoj edhe këngë të tjera këtë vit, por do përgatitem edhe më mirë për vitin tjetër, për çmimin e Eurovizionit.
8. E mendon qëndrimin për një kohë të gjatë në Shqipëri, apo do të rikthehesh shpejt në Kosovë?
Nuk i dihet, ndoshta do shpërngulem në Shqipëri.
9. Do të rikthehesh sërish në Festivalin e Këngës? Po në kompeticone të tjera do të jesh gati për të marrë pjesë?
Jam duke e menduar që të rikthehem prapë në Festivalin e 63-të me një këngë edhe më të mirë se kjo që kisha dhe synoj prapë Eurovizionin.
10.Nëse do t’i vije një titull vitit 2023 për ty, cili do të ishte?
Titullin qe do i jepja vitit 2023 është: Çmendur!/M.M-revistawho.com