Aktorja e njohur Anais Lika ka zgjedhur të ndajë me publikun një periudhë të errët dhe tejet personale të jetës së saj, të cilën e kishte mbajtur të fshehur deri më sot. E ftuar në emisionin “Mam” të Orinda Hutës, Ana tregoi për herë të parë se është përballur me një diagnozë tronditëse: një formë epilepsie.
Lidhur ngushtë me këtë rrëfim ishte edhe momenti delikat i lindjes së vajzës së saj. Ana pranoi se, për shkak të krizave që përjetonte, u detyrua të ndërpriste gjidhënien. Ishte një vendim i dhimbshëm, por i domosdoshëm për të, nga frika se nuk do të ishte një nënë e aftë për vajzën e saj.
“Pas humbjes së mamit, më diagnostikohet një problem neurologjik, një formë epilepsie. Kur po bëja ekon e parë të gocës, më kapi një krizë epilepsie e plotë. Kisha frikë të tregoja se isha e sëmurë. E ndërpreva gjidhënien, sepse nuk doja që goca ime të kishte një mama të paaftë, vendosa të mos i jepja gji,” rrëfeu ajo me sinqeritet.
Në rrëfimin e saj emocional, Ana ndau edhe një moment reflektimi që pati me partnerin e saj, Bjordi Mezini. Ajo nuk kishte frikë të përballej me ndjenjën e fajit apo braktisjes, por dëshironte që partneri i saj të kishte një zgjedhje të lirë.
“Bjordit i thashë: nëse donte të rrinte me mua, ishte i lirë, sepse nuk doja t’i bëhesha barrë askujt,” shtoi aktorja.
Ky rrëfim prekës vjen pas humbjes së nënës së saj, një tjetër ngjarje që ka lënë gjurmë të thella në jetën e saj. Kujtojmë se Ana dhe Bjordi janë prindër të një vajze dhe prej kohësh janë një nga çiftet më të dashura për publikun.