Kur vjen puna për të zgjedhur kohën ideale për të pasur fëmijë, shpesh gratë ndodhen mes dëshirës për të ndjekur ambiciet personale dhe biologjisë. Por çfarë thonë shkencëtarët?
Sipas një studimi të realizuar nga kërkues hungarezë, periudha më e mirë për të sjellë në jetë një fëmijë është ndërmjet moshës 23 dhe 32 vjeç. Kjo periudhë nëntëvjeçare rezulton më e sigurt për shëndetin e fëmijës dhe zvogëlon mundësinë e defekteve të lindjes.
Studiuesit vunë re se lindjet jashtë këtij intervali kishin më shumë gjasa të shoqëroheshin me probleme shëndetësore: “Problemet e zemrës ishin problemet më të zakonshme tek ata që lindnin jashtë asaj dritareje, si dhe problemet nervore për nënat nën 20 vjeç dhe çarjet e qiellzës për ato të lindura nga nëna në të 30-at dhe 40-at e vona.”
Profesoresha Boglarka Petho nga Universiteti Semmelweis shpjegon se këto të dhëna mund të ndihmojnë në përshtatjen e kujdesit prenatal për gratë që vendosin të bëhen nëna më vonë:
“Çrregullimet jo-gjenetike të lindjes shpesh mund të zhvillohen nga ekspozimi afatgjatë i nënave ndaj efekteve mjedisore. Meqenëse mosha e lindjes së fëmijëve në botën e zhvilluar është shtyrë në një masë ekstreme, është më e rëndësishme se kurrë që të reagohet siç duhet ndaj kësaj tendence. Kërkimi ynë mund të luajë një rol të rëndësishëm në krijimin e protokolleve moderne dhe të sigurta të kujdesit dhe shqyrtimit të shtatzënisë.”
Sipas të dhënave zyrtare, mosha mesatare e lindjes për një grua në Angli dhe Uells ishte afërsisht 31 vjeç në vitin 2021 — mosha më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Në vitin 1973, kjo moshë ishte vetëm 26 vjeç.
Ndërkohë, kërkimet e mëhershme kanë treguar se lindja pas moshës 35 vjeçare mund të shoqërohet me rreziqe shtesë për nënën dhe fëmijën, si: rreziku i abortit, hipertensioni, diabeti gestacional, lindjet e parakohshme dhe anomalitë kromozomale si sindroma Down. Sërish, ekspertët theksojnë se një shtatzëni e shëndetshme është e mundur në çdo moshë për sa kohë gruaja është para menopauzës.
Ky studim është një tjetër kujtesë që planifikimi i familjes është një vendim i ndërlikuar ku duhen marrë parasysh jo vetëm rrethanat personale dhe sociale, por edhe faktorët biologjikë.








