Ata që mezi presin të premten t’ia mbathin apo ata që mezi presin të flenë deri në 10? Udhëtime laps e letër apo “të dalë ku të dalë?”… Plazhi më “in” i jugut apo një qoshkë e fshehur për qejf të shpirtit? Bileta që të çojnë larg apo salloni i shtëpisë para tv? Edhe kështu, edhe ashtu. Sepse fundjavat e verës kanë tjetër shije. Zbuloni sot fundjavën verore të Klodiana Shalës…
Cili është mendimi i parë që të sjell e premtja verore?
Të premtet si në dimër dhe në verë i pres me gëzim se afrohet fundjava, e cila shpesh nuk është pushim i plotë. Në këto ditë të nxehta mundohem të shikoj qetësinë dhe rrugët e zbrazura
A të duket sikur fundjavave të verës gjithë ‘Instagrami’ ikën në plazh, kurse gjithë bota është në shtëpi?
Dihet tashmë prej shumë kohësh dhe nga të gjithë që ne shqiptarët edhe qejfin edhe hallin i jetojmë për dukjen e të tjerëve. Instagrami është kthyer në një pasqyrë të kësaj parade të rëndomtë, krejt fallco të plazhit, argëtimeve, veshjeve, hoteleve e pijeve të shtrenjta. Kam kohë që nuk më krijojnë asnjë reagim, qoftë dhe keqardhje për këtë uri vëmendjeje dhe protagonismi që kanë njerëzit për t’u dukur. Gjithsesi duhet ta them se dyndja për foto e video ka tejkaluar çdo cak. Gjithsesi kjo verë kaq e nxehtë po na bën të injorojmë gjëra edhe shumë më të rëndësishme jo më dukjet e ‘Instagram’.
A është opsion për fundjavën tënde: “Zgjohu në 10, rri në divan fli prapë e mos dil nga shtëpia”?
Ndodh, por shumë rrallë. Në përgjithësi kam disiplinë sportisteje edhe ndaj pesimizmit apo mërzisë.
Plazh larg syve të botës apo në rreshtin e parë të resortit më të famshëm?
As njëra dhe as tjetra. Koncepti i pushimeve është komoditeti i një shtëpie në plazh, jo shumë i populluar, ku unë me miqësinë time të kalojmë ditë dhe darka të këndshme të gatuara vetë. Më pëlqen të shikoj detin në orët e para të mëngjesit dhe ndonjë bisedë në breg gjatë natës.
Fundjava më e bukur e jetës tënde që të del edhe në ëndërr?
Nuk ka rëndësi që të jetë fundi i javës apo ditë jave për të mbetur në memorie. Them se ndjesitë e bukura lidhen me momente.
Po fundjava apo udhëtimi që do doje ta harroje?
Ka shumë.
Një fundjavë vere në plazh apo një dasmë të zhurmshme fisi?
E para. Sigurisht me shoqërinë e duhur. Sepse njerëzit e këqij ndotin edhe natyrën më të bukur.
Bën plane të gjata e të detajuara apo destinacioni vendoset të premten pasdite në çastin e fundit?
Zakonisht jam tip që i parapërgatis gjërat. Nuk ia lë rastësisë, sepse nuk më pëlqejnë të papriturat e pakëndshme që Shqipëria jonë t’i ofron shumë….
A nuk shijojnë më shumë të shtunat e të dielat pa plan?
Po ka plot raste që më kënaqin ftesat e shoqërisë për dreka apo darka apo vizita në vende të ndryshme të propozuara në orën e fundit, pa plan.
Përshkruaje me një fjalë të dielën në darkë…
Motivim për të hënën./revistawho.com